Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Na flet Asdreni”- në nderim të poetit e publicistit

Nën organizmin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, nëpërmjet koncertit “Na flet Asdreni” do të nderohet poeti e publicisti Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni.

Koncert artistik me rastin e 150-vjetorit të lindjes do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Kosovës sot (e hënë). Sipas njoftimit, nën drejtimin artistik të kompozitorit Josif Minga, artistë të shquar nga Kosova dhe Shqipëria do të performojnë në këtë koncert të veçantë.

“Me pjesëmarrjen e korit kameral ‘Dardanica’, nën drejtimin e Edon Ramadanit, të formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, Zhulieta Sheremeni, Artan Bakija, Zamira Kita, Ligoraq Riza, Kristian Koroveshi, Grupit Polifonik të Burrave Drenovë, si dhe intervistave të personaliteteve dhe imazheve të shumta dokumentare, do të kujtohet dhe rrëfehet jeta e veprimtaria e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare”, bëhet e ditur në njoftim.

Asdreni u lind më 11 prill 1872 në Drenovë afër Korçës. Në fshatin e lindjes ndoqi shkollën fillore në gjuhën greke, kurse në vjeshtën e vitit 1885, me dy vëllezërit më të mëdhenj mbërritën në Bukuresht. Ndoqi studimet në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Bukureshtit. Gjatë karrierës së tij dha kontribut të madh në lëvizjen kombëtare. Njihet si krijues i zoti e veçanërisht si autor i vargjeve të Himnit Kombëtar, i njohur si “Himni i Flamurit.

Në vitin 1904 botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me 99 vjersha, “Rrez dielli”, që ndahet në 5 cikle: “Atdhesie”, “Fushore”, “Mendimtare”, “Dashurie” e “Satirike. Këtë vëllim ia kushtetoi heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.