A do të shkonit në burg për të drejtën tuaj për të bërë muzikë? Muzikanti iranian Mehdi Rajabian: po, dhe atë tri herë. I lindur në Iran në vitin 1989, ai e ka njohur vendin e tij vetëm pas revolucionit islamik. Kufizime të rënda ishin bërë në art kur pushteti i Shahut ishte rrëzuar nga Ayatollah Khomeini më 1979.
Çdo gjë “joislamike” mund të rezultojë në dënimin që nga gjoba e deri te burgosja.
Rajabian nuk e pa kurrë Iranin “perëndimor” të epokës së Shahut, por megjithatë dashuria e tij për muzikën ishte rritur dhe ai synonte të bënte karrierë.
Kompozitori, aranzhuesi dhe producenti kishte themeluar “Barg Music” në vitin 2007, kompani për të prodhuar dhe mbështetur muzikantët e ndaluar në Iran.
Kjo ide rezultoi e suksesshme. Njerëzit kishin populluar prodhimet e “Barg Music”. Videot e tyre kishin arritur mbi 200 mijë shikime deri në vitin 2013.
Edhe
Gratë pa shami në krah të regjimit, nacionalizmi i ri që po ndërton Irani
Edhe Rajabian ka qenë duke punuar për albumin e tij “History of Iran Narrated ny Setar”, i luajtur në instrumentin persian – setar, i frymëzuar nga historia muzikore e vendit.
“Në album, unë e quajta absurde luftën mes Iranit dhe Irakut dhe kisha njoftuar përmes një statusi në Facebook se do ta lansoja albumin së shpejti”, ka thënë Rajabian për Euronews.
Por ky sukses kishte qenë një thikë me dy tehe. Rritja e shikueshmërisë kishte bërë që zyrtarët iranianë të mbyllnin studion e tij.
Albumet e tij ishin ndaluar dhe i ishin marrë të gjitha materialet si faqet e kompanisë, faqet e internetit dhe hard-disqet që lidhen me të.
Rajabian ishte arrestuar dhe dërguar në burg. Kishte kaluar dy vjet në burgun “Evin” në Teheran. Tre muaj më pas kishte kaluar në izolim ku edhe sytë i ishin lidhur.
Në kohën kur ishte liruar, “History of Iran Narrated by Setar” qëmoti ishte shkatërruar. Por pasioni për mbrojtjen dhe promovimin e arteve të ndaluara padrejtësisht nuk ishte zbehur.
“Arsyeja e arrestimit ka qenë, sepse kam ndihmuar në botimin e veprave të ndaluara të artit. Çdo vepër arti që nuk lejohej të prodhohej, u shpërnda me të madhe përmes kompanisë sime”, ka shpjeguar Rajabian. “Ishim aktivë në të gjithë sektorët, nga muzika te librat, nga artet vizuale te kinemaja”, ka thënë ai me krenari.
Pas daljes me vështirësi nga burgu, Rajabian ishte arrestuar sërish në vitin 2015, ku ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Së bashku me vëllanë e tij, regjisorin Hossein Rajabian, ata u përballën me një gjykim treminutësh. Dyshja hy në grevë urie dhe pasi kishte zgjatur për 40 ditë, Rajabian ka thënë se ka humbur 15 kilogramë. Greva e urisë kishte qenë e gjatë dhe rraskapitëse, por më në fund kishte funksionuar, duke i liruar dy vëllezërit. Megjithatë, dënimi i tij vetëm ishte pezulluar dhe qeveria iraniane mund ta rikthejë atë në çdo kohë.
Gjatë qëndrimit në burg, Rajabian kishte ideuar “Middle East”, projekt multimedial që do të përfshinte muzikën, pikturën, vallëzimin, fotografinë dhe letërsinë.
Lansimi i pjesës muzikore në vitin 2019 ishte një sukses, por përfshirja e një artisteje femër në projekt kishte bërë që Irani të arrestonte Rajabian për herë të tretë në vitin 2020.
Edhe
Gjykata iraniane konfirmon dënimin me burg të regjisorit Jafar Panahi
“Unë besoj në lirinë e muzikës dhe të filozofisë. Nuk do ta censuroj kurrë veten, edhe nëse kthehem përsëri në burg, do të prodhoj çfarë të dua dhe sa herë të ndiej nevojën për të bërtitur, qoftë nëpërmjet mediumit të artit apo fizikisht, patjetër do të bërtas dhe nuk do të hesht. Unë nuk jam trim, thjesht po bëj detyrën time”, ka thënë Rajabian.
I liruar me kusht, Rajabian ishte zhvendosur në shtëpinë e tij ku kishte regjistruar albumin e ri “Coup of the Gods” në vitin 2021. Për të realizuar albumin, pjesët instrumentale të tij i kishte regjistruar fshehurazi në bodrum dhe ia kishte dërguar një numri të madh të producentëve e artistëve amerikanë për ta përfunduar.
“Për shkak të ndalimit të plotë, ura ime e vetme e komunikimit është interneti, sepse muzikantët këtu dhe shumë njerëz kanë frikë edhe të flasin me mua, prandaj më duhet të komunikoj me muzikantë jashtë Iranit për të prodhuar muzikë”, ka thënë ai.
Këtë muaj është albumi i katërt i lansuar këtë muaj. Rajabian ka shtyrë përpara krijimin e veprës përballë shtypjes.
Ai është i palëkundur. Puna e tij është të përballet me shtypësin nëpërmjet muzikës së tij.
“Fakti që një numër artistësh qëndrojnë të heshtur përballë shtypjes, mendoj se janë bashkëpunëtorë me shtypësin”, ka thënë Rajabian. “Kam qenë në burgje që në moshën njëzetvjeçare dhe nuk kam censuruar kurrë veten. Besoj se një artist duhet të jetë luftëtar fizik, domethënë ta njohë burgun, izolimin, grevën e urisë, torturën... dhe të mos ketë frikë. Vepra e artit duhet të jetë filozofike dhe plot mendime, në mënyrë që ai të mund të identifikojë rrënjët”.
Albumi ishte prodhuar edhe një herë në fshehtësi nga shumë artistë amerikanë që plotësonin boshllëkun. Një nga ata artistë është fituesja e çmimit “Grammy”, Amy Andersson, një muzikante klasike.
“Mehdi dhe unë e njohim njëri-tjetrin nëpërmjet komunitetit ‘Grammy’ dhe jemi interesuar për muzikën e njëri-tjetrit. Shumë prej artistëve bashkëpunues në albumin e tij ‘It Arrives’ janë kolegë dhe miq tonë dhe kështu ishte e natyrshme që të bashkëpunonim për të nxjerrë këtë album së bashku”, ka shpjeguar Andersson. “Lansimi i ‘It Arrives’ patjetër se është i rëndësishëm muzikalisht, por shumë i rëndësishëm edhe në nivelin njerëzor, duke marrë parasysh rrethanat”, ka shtuar Andersson.
“It Arrives” është pjesërisht një album shpresëdhënës. “Siç sugjeron titulli i albumit, ne jemi duke pritur që diçka të ndodhë”. ka thënë Rajabian. Ai flet për pjesë muzikore të mbushura me ngjyra të ndryshme duke demonstruar ndjenjën e anticipimit.
“Ato ngjyra janë atje për të luftuar shtangien që njerëzimi mund të ndiejë kur mësohet shumë me shtypjen. Doja ta çoja dëgjuesin në një botë plot shpresë dhe ngjyra të ndryshme për të thënë se ne mund t'i kalojmë këto ngjarje të këqija, nuk duhet të jemi indiferentë ndaj ngjarjeve rreth nesh”, ka argumentuar ai.
Por ndërsa muzika është e mbushur me shpresë, Rajabian nuk e sheh ndryshimin që mund të vijë në çdo kohë për Iranin.
Edhe
Pse po protestohet në Iran?
“Nuk ka të ardhme këtu dhe për sa kohë që situata jonë është e tillë, unë nuk jam kurrë optimist për të ardhmen time”, ka thënë ai. “Pse duhet të presim në burg për të prodhuar muzikë, për të shprehur mendimet tona, për vetëm një intervistë? Kemi ende efektet e grevës së urisë, izolimit, burgut... Por nuk lodhemi kurrë, sepse ajo vjen”, ka thënë ai.
Marrë nga “Euronews”. Përktheu: Besartë Elshani