Kulturë

Muzika shqipe jehon në Bullgari nëpërmjet Besa Llugiqit me “Suonos Albanicus”

Muzika shqipe ka jehuar në natën e gjashtë të edicionit të 52-të të Festivalit të Operës dhe Baletit organizuar nga Opera Shtetërore në Stara Zagora të Bullgarisë. Sopranoja shqiptare Besa Llugiqi me atë që është titulluar “Suonos Albanicus”, siç quhet edhe kuarteti, kanë bartur perlat e muzikës shqipe, në institucionin i cili, pas Operës dhe Baletit Kombëtar në Sofje, është teatri i dytë i operës në Bullgari i themeluar në vitin 1925. Interpretimi i muzikës shqipe me koncertin e së mërkurës mbrëma është edhe një konfirmim se muzikantët shqiptarë po vazhdojnë të dalin përtej kufijve dhe të interpretojnë në disa nga skenat më të njohura evropiane.

Sopranoja Llugiqi ka bërë të ditur se ky interpretim ishte pritur me shumë duartrokitje teksa ka dhënë detaje edhe për këngët që kanë performuar.

“Ka qenë një mbrëmje jashtëzakonisht e bukur dhe besoj se lamë një përshtypje të mirë, sepse edhe komentet në fund ishin shumë pozitive edhe për kuartetin, të cilët luajtën edhe vepra solo. Ishte hera e parë që ata kishin mundësinë që të dëgjonin veprat nga kompozitorë shqiptarë dhe melosi ynë popullor, natyrisht i përpunuar me mjeshtëri nga kompozitorë si Çesk Zadeja, Avni Mulaj e të tjerë. Gjithashtu duhet të cekim edhe dy veprat e kompozitorit Valton Beqiri, që ishin të përpunuara nga këngët e interpretuara dhe të kompozuara nga Muharrem Qena, ‘Lamtumirë’ dhe ‘O vendi im’”, ka bërë të ditur Llugiqi, teksa ka shtuar së repertori i tyre përbëhej nga dymbëdhjetë këngëve të larmishme të muzikës klasike shqiptare.

“Suonos Albanicus” përbëhet nga Abigeila Voshtina – violinë e parë, Visar Kuqi – violinë e dytë, Herida Duro – violë dhe Mario Goralumi – violonçel. Grupi u themelua qysh në vitin 2000. Secili prej katër artistëve ka një teknikë të veçantë të performancës virtuoze dhe stilin e vet individual. Gjatë këtyre viteve ata kanë performuar në disa nga festivalet ndërkombëtare. Bashkëpunimin e ka vlerësuar lart sopranoja Llugiqi, e cila ka performuar disa herë me këtë kuartet.

“Është gjithmonë një kënaqësi e jashtëzakonshme të punosh me një kuartet të tillë, me artistë prej të cilëve përbëhet ky kuartet dhe jam e lumtur shumë që kjo muzikë po lansohet edhe në vendet ku nuk kanë pasur mundësi të dëgjojnë më herët këngë shqipe”, është shprehur ajo.

“Fqinjët ballkanikë Shqipëria dhe Kosova kanë histori të përbashkët që bashkon kulturën e tyre. Meloditë tradicionale dhe tekstet frymëzuese ofrojnë një mori ndjesish tipike shqiptare”, është përshkrimi që i bëhet projektit “Suonos Albanicus”.

Me “Suonos Albanicus”, sopranoja Llugiqi është rikthyer në skenën e Operës Shtetërore të Stara Zagoras, gjashtë ditë pasi aty jetësoi rolin e Margaritës, në operën e famshme “Faust” të Charles Gounod. Ky qe debutim i saj në këtë rol. “Margarita përveçse është e vështirë në interpretim – po flas nga aspekti muzikor – është e vështirë edhe për nga ana dramaturgjike. Mund të them se nuk është aspak e lehtë. Në aspektin muzikor kërkon shumë muzikalitet, frazime, frymë, mbështetje, është muzikë e jashtëzakonshme si për nga përmbajtja, si për nga fjalët. Karakteri i saj reflekton pozitivitet, mirësi, pastërti, dashuri, meqenëse në këtë operë gjithçka sillet rreth saj”, kishte thënë Llugiqi.

Në Teatrin e Operës së Stara Zagoras kanë interpretuar një numër i madh artistësh të njohur si Elisabeta Yovovich dhe Katya Spiridonova. Sot ai është një teatër me repertor të pasur me opera, operetë, balet, spektakle për fëmijë dhe koncerte simfonike. Për njëqind vjetët e fundit zhvillimi i operës në Stara Zagora është lidhur pa dyshim me emrat e këngëtareve operistike të njohura ndërkombëtarisht e të lindura në Stara Zagora si: Christina Morfova, Dimitar Uzunov, Anna Tomoëa-Sintow, Stefka Mineva dhe Vesselina Kasarova.