Ka qenë e natyrshme që hapja e “Prishtina Music Conference” të bëhej me muzikë, e për këtë organizatorët kanë përzgjedhur Medina Surdullin në piano, e cila dëshmon se ajo dhe muzika s’kanë e s’njohin kufij. Por ngjarja, e cila debuton në skenën vendore, performancat muzikore i ka pjesë shtesë. Konferenca sjell këndvështrime të ndryshme mbi artin muzikor, zbërthime teorike e shkencore, që e gjejnë pikën e përbashkët te konstatimet sikurse ai se ajo është gjuhë e përbashkët, a se pasioni është zanafillë e saj
“Vesht’ kanë sy, shohin, gjykojnë e nuk harrojnë”, është fjalia rreth së cilës “Prishtina Music Conference” ka zhvilluar programin e saj. Si cak e ka t’i bashkojë njerëzit nëpërmjet muzikës. Për këtë, edicioni i parë është ndërtuar në shumë diskutime. Për ta sinjalizuar hapjen e parë të këtij eventi, e kanë ftuar Medina Surdullin. Nga skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, vajza me sindromën Down ka përçuar te publiku lojën e saj në piano. Ani pse pasioni i saj për këtë instrument kishte filluar në vitin 2010, asaj nuk është që i bie shpesh të luajë para publikut. Lojën e saj e ka nisur me veprën e njohur të Bethoveenit “Für Elise”. Surdulli, e cila merret edhe me aktivitete të tjera, është shprehur e lumtur që ka hapur edicionin e parë të “Prishtina Music Conference”, i cili u titullua “Muzikë për të gjithë”.
“Mendoj që e kam bërë hapjen shumë mirë dhe jam e aftësuar me aktivitete”, i ka thënë KOHËS, ajo pak minuta pasi ka performuar para publikut.
Edhe shumë miq të Medinës, të cilët janë të prekur me sindromën Down, e kanë përcjellë me emocione performancën e saj në piano. Surdulli ka thënë se shpreson që ta organizojë edhe një koncert më të madh me piano.
Edicioni i parë i konferencës muzikore në Prishtinë synon t’i lidhë njerëzit e ndryshëm përmes muzikës. Me qëllim kanë përzgjedhur që ta hapin me performancën e Medina Surdullit për të shënuar 3 dhjetorin - Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Si pikënisje e kanë zgjedhur Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke e vlerësuar si cak i gjithë zhvillimit kulturor në vend.
“Me këtë edicion synojmë të lidhim shumë njerëz me anë të muzikës me panele të ndryshme dhe performancë. Ky është vetëm fillimi i vitit të parë dhe synojmë ta zgjerojmë edhe më shumë”, ka thënë Fjolla Çunaku, koordinatore e projektit në “Prishtina Music Conference”.
Në dy ditë, kjo ngjarje muzikore synon të shpalosë edhe shumë aktivitete që lidhen me muzikën, ku do të diskutohet për shumë aspekte të saj. Për këtë ka mbledhur 20 artistë nga vende të ndryshme të botës. Kjo konferencë e muzikës me tema specifike gjithëpërfshirëse ka për synim zhvillimin e perspektivës ndryshe të mendimit rreth zhvillimit të muzikës në Kosovë, rajon dhe botë.
“Një perspektivë e re për t’ia kthyer kryet masës te rëndësia e detajeve në muzikë, përmes temave estetike, teknike e biznesore”, shkruhet në shkrimin e drejtorit të programit, Rron Kurtolli. Nga Teatri Kombëtar i Kosovës, PMC ka vazhduar me aktivitet në kinemanë “Armata”. Gjatë së premtes për dy orë e gjysmë në galerinë aty është realizuar performanca e “Agenda For Hope”, e cila është titulluar “Një tingull i lindur lokal pa nevojë për shpjegim”. Kurse në galerinë “Paper” është prezantuar ekspozita nga Dragan Kitanov me temën “E ardhmja: Analogët dhe NFTS”. Seria e diskutimeve ka filluar me prezantimin rreth shijes e kulturës ekonomike nga profesori Hedon Blakaj nga Aalto University në Helsinki të Finlandës. “Ping Pong: Si i mbijetuam sulmit të kulturës së muzikës hiperkapitaliste” ka qenë tema që është zhvilluar në njërin prej paneleve të mbrëmjes me Alan Crofton, Bruno Cabral, Grego O-Halloran, nën moderimin e Julia Richter.
Alan Crofton, i cili është drejtor menaxhues i “Mainstage Festivals”, ka thënë se edhe në Kosovë e sheh entuziazmin në këtë aktivitet dhe kjo duhet të jetë një festë e përbashkët për të punuar gjithmonë me pasion, pavarësisht rrethanave. Dhe për Crofton është e rëndësishme konsistenca.
“Për neve nëse do të doja të bëja para nuk do të futesha në këtë industri. Pavarësisht kapitalizmit duhet të ketë shumë pasion përbrenda. E shoh te këta njerëz që kanë organizuar këtë dhe njerëzit që më rrethojnë. Nuk është e gjitha për para, është për të krijuar njëfarë forme historinë dhe një hapësirë që mund t’i inspirojmë njerëzit që janë futur në këtë industri”, ka thënë Crofton, drejtori menaxhues i “Mainstage Festivals”, që përfshin shtatë festivale në mbarë botën, pesë prej të cilave janë në Shqipëri.
Panelistët kanë diskutuar edhe për rëndësinë e rrjeteve sociale dhe promovimin e DJ-ve përmes tyre. Crofton i ka parë ato si ndihmuese në industrinë ku operojnë.
“Rrjetet sociale janë pozitive sepse u ndihmojnë të arrijnë publikun, që nuk e kanë arritur më herët”, ka thënë ai.
Grego O’Halloran, i cili është edhe drejtor i PR-it në festivalin “Unum”, ka thënë se tentojnë në skenë të nxjerrin artistë që e kuptojnë dhe e ndiejnë skenën. Sa i përket gjetjes së artistëve, ai ka thënë se punon me një grup të artistëve energjinë e të cilëve e njeh. Për të punuar me artistë të rinj, ai shpesh kërkon rekomandimet e bashkëpunëtorëve të tij të zakonshëm.
“Është e rëndësishme të punosh me njerëz që besojnë në vlerat e njëjta”, ka thënë O’Halloran.
Gjatë ditës së dytë të “Prishtina Music Conference” i ftuar është edhe Dukagjin Lipa, themeluesi i festivalit “Sunny Hill” dhe babai i këngëtares më famë botërore, Dua Lipa. Ai do të rrëfejë për ngritjen e Kosovës në botë. “PMC” përmbyllet me 4 dhjetor (të shtunën) me një performancë double-bass nga Adam Ben Ezra, multi-instrumentist gjenial nga Izraeli, performancë e cila shënon shkëmbimin e parë kulturor mes dy shteteve të posanjohura zyrtarisht.