Koncerti i titulluar “Lacho drom” si një udhëtim muzikor përmes trashëgimisë rome ka sjellë repertor të veçantë dhe të larmishëm. Janë vepra emrash të mëdhenj që frymëzim kanë gjetur te muzika rome, si Béla Bartóku, Brahmsu, Franz Listzi. Koncerti i organizuar nga organizata joqeveritare “Foleja” ka ardhur si synim për promovimin e gjuhës dhe kulturën rome
Prishtinë, 4 nëntor – Kultura e pasur rome ka dëshmuar ndikimin e saj në segmente të ndryshme. Muzika është një ndër to. Kompozitorë të shquar janë frymëzuar nga meloditë e saj.
Po me një pjesë të këtij opusi muzikor është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gjuhës dhe Kulturës Rome nga ansambli “Egnatia”. Në program ka qenë edhe poezia në gjuhën rome si formë e zgjedhur për promovimin e saj.
Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është veshur me ngjyrat e flamurit rom. Të paktën ngjyra të tilla u janë dhënë dritave që zbukurojnë perdet e sallës. Dy posterë të përmasave të mëdha kanë prezantuar ngjarjen.
Ansambli muzikor “Egnatia” me mysafir special perkusionistin Patris Berisha ka hapur programin muzikor me “Valle hungareze nr.1” e më pas me “Valle hungareze nr.5”. Meloditë janë shumë të bukura në këto vepra. Tek e para tema kryesore përsëritet disa herë, ndërsa te pjesa e dytë, që është shumë e njohur, janë përfshirë edhe perkusionet me të cilat lehtë luan Patris Berisha.
Pastaj është luajtur vepra “Gypsy soul” ku udhëheqësi i ansamblit “Egnatia”, violinisti Zeqir Sulkuqi, ka luajtur si solist pjesën me ritme të lehta por tejet delikate dhe melankolike të violinës solo. Në program kanë qenë edhe poezia “Romani Chib” e Kujtim Paçakut dhe tri poezi të shkurtra nën përcjellje të lehtë të muzikës nga ansambli. Ndonëse në gjuhë rome, një prej poezive, e interpretuar nga gazetari Denis Galushi, bazuar në mënyrën e interpretimit është e qartë se është një lloj ironie për pozitën e gjuhës rome. Poezi në gjuhën shqipe ka interpretuar aktorja Donika Ahmeti.
Më pas i janë rikthyer muzikës duke interpretuar pjesët “Romance che Czardas”, “Suitë hungareze” e instrumentalin e këngës arbëreshe “Moj e bukura more”. E para është transformuar duke zbërthyer tema të reja shumë harmonike e dinamike. Fillimisht është romantike e më intime. “Suitë...”, e thotë edhe Zeqir Sulkuqi, zbërthen dhimbje e vdekje, gëzim e mërzi.
Koncerti nën emrin “Lacho drom” si një udhëtim muzikor përmes trashëgimisë rome ka sjellë repertor të veçantë dhe të larmishëm.
Më pas janë interpretuar edhe “Valle” nga George Enescu, “Cart postale” nga Grigoraș Dinicu,
“Romanian dance” nga Béla Bartók dhe “Czardas” nga Vittorio Monti. Programi me gjithë këta emra të shquar ka qenë vetë dëshmia për ndikimin e kulturës rome në historinë botërore të muzikës klasike.
Violinisti Zeqir Sulkuqi ka thënë se janë mijëra vepra të tilla në repertorin e muzikës klasike.
“Sot kemi vepra të tëra, kemi faqe muzikore me qindra e mijëra nga kompozitorë të shquar botërorë, siç janë Béla Bartók, Brahms, Franz Listz, të cilët kanë shkruar dhe janë frymëzuar nga këto tema të bukura, sepse muzika cigane të bën ta harrosh një hall, të bën të kujtosh një mik, shpreh bujari, dhimbje, gëzim. Ka një adrenalinë tepër të veçantë dhe të ngre pasionin për ta dëgjuar këtë muzikë”, ka thënë ai.
Sa i përket programit muzikor janë interpretuar edhe pjesët “L’amour che passe”, “Hora di Caval” e “Suitë me melodi cigane”. Krejt në fund, programi është mbyllur me “Rapsodi hungareze nr.2” nga Franz Liszt.
Koncerti është organizuar nga organizata joqeveritare “Foleja”. Drejtoresha e kësaj organizate, Gjyzel Shaljani, ka thënë se koncerti ka qenë moment promovues për gjuhën e kulturën rome.
“Është një moment promovues, të promovohen gjuha dhe kultura e komunitetit rom. Ne si organizatë joqeveritare kemi organizuar një sërë aktivitetesh dhe për këtë koncert me ansamblin ‘Egnatia’ jemi shumë të lumtur që erdhën mu për këtë ditë, të na gëzojnë dhe të na ushqejnë me këto kompozime të bukura melodi rome nga mjeshtër e profesionistë të mëdhenj”, ka thënë ajo derisa është shprehur se me aktivitete të tilla synojnë vetëdijesimin e institucioneve shtetërore.
“Përmes këtij projekti ne dëshirojmë të vetëdijesojmë institucionet tona që të përdoret dhe të ruhet gjuha rome, përdorimi i saj nëpër institucione shkollore, në mënyrë që gjeneratat e reja të komunitetit rom ta njohin historinë, origjinën dhe ta mësojnë gjuhën dhe kulturën rome. U mbetet deputetëve që në Parlamentin e Kosovës ta ngrenë zërin dhe të zyrtarizohet 5 nëntori si ditë më e veçantë dhe e rëndësishme e identitetit të komunitetit rom”, ka thënë ajo.
Bashkorganizatorja e ngjarjes, profesoresha e muzikës Besa Luzha, ka thënë se ansambli “Egnatia” ka qenë i duhuri për këtë koncert pasi e kultivon muzikën klasike të ndikuar nga kultura rome.
“Gjetëm një ansambël që e lëvron shumë këtë muzikë, pra muzikën klasike, por të frymëzuar nga melosi i bukur rom. Kështu erdhi ideja dhe ansambli dhe sot kaluam shumë bukur. Meqë ka qenë gjuha rome, donim edhe ta dëgjonim duke recituar. Unë për këto ditë sa kam punuar rreth programit, veç ia nisa ta kuptoj dhe ta pëlqej melosin dhe tingëllimën e gjuhës. Më vjen mirë që bashkëpunimi ishte i suksesshëm”, ka thënë Luzha.
Dita Botërore e Gjuhës Rome promovon gjuhën, kulturën dhe arsimin rom. Ajo festohet prej vitit 2009 më 5 nëntor.
UNESCO-ja e shpalli Ditën Botërore të Gjuhës Rome në vitin 2015 për të nxitur ruajtjen e gjuhës dhe kulturës rome, “për të përmirësuar mirëqenien e romëve dhe për të njohur rëndësinë e të gjitha gjuhëve, diversiteti i të cilave është një burim force për të gjitha shoqëritë për të ndarë”.
“Gjuha rome ka rreth 33 mijë fjalë dhe ajo përfaqëson një bazë të mirë për modernizimin dhe standardizimin përfundimtar të saj. Ka 17 dialekte, por folësit e dialekteve të ndryshme mund të kuptojnë njëri-tjetrin. Ka pasur një punë thelbësore për të krijuar një idiomë standarde, por ende duhet bërë shumë punë”, shkruhet aty më tej.
© KOHA Ditore