Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë me mbi 30 mijë vizitorë në vit

Ndërtesa që iu bën vend disa prej ikonave më të rëndësishme të Shqipërisë rezulton të jetë vizituar goxha vitin e kaluar. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo. Sipas të dhënave të shpalosura prej tij, gjatë vitit të kaluar Muzeu ka qenë nikoqir i më shumë se 30 mijë vizitorëve vendas dhe të huaj

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është duke u shndërruar në atraksion për vizitorë vendorë e të huaj. Ndërtesa që ju bën vend disa prej ikonave më të rëndësishme të Shqipërisë rezulton të jetë vizituar goxha vitin e kaluar. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

“Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është një nga hapësirat më të bukura muzeore dhe një nga destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, i cili ka pritur gjatë vitit që lamë pas më shumë se 30 mijë vizitorë vendas dhe të huaj. Të shumtë kanë qenë vizitorët edhe në ditët e para të këtij viti, të cilët janë mrekulluar nga objektet e ekspozuara në këtë muze”, ka njoftuar Filo.

Ndërsa po të hënën, vetë institucioni ka shpalosur disa të dhëna duke bërë të ditur se Laboratori i Restaurimit dhe specialistët e tij gjatë vitit 2023 restauruan dhe rikthyen në jetë 19 ikona me problematika dhe degradime të shumta, të ndodhura prej shekujsh dhe kushteve në të cilat ato janë ndodhur.

“Një punë e palodhur e specialistëve restauratorë të cilët me durim dhe përkushtim nxorën në dritë ikona prej shekullit të 17-të deri në të 19-tin dhe emra të mirënjohur të ikonografisë shqiptare, nga Kostandin Jeromonaku, Kostandin dhe Athanas Zografi apo Nilu Jeromonaku”, shkruhet në njoftim. Sipas të dhënave të institucionit mbi 300 ikona në ekspozim dhe pjesë e fondeve u rivlerësuan mbi gjendjen e tyre të deritashme, 13 ikona prej tyre iu nënshtruan konsolidimit dhe trajtimit të mëtejshëm.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullit 20 prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shekujve 13 dhe 14 dhe të tjerë të mirënjohur si Onufri e vëllezërit Zografi.

Folegj: Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ka shpalosur disa të dhëna duke bërë të ditur se Laboratori i Restaurimit dhe specialistët e tij gjatë vitit 2023 restauruan dhe rikthyen në jetë 19 ikona me problematika dhe degradime të shumta, të ndodhura prej shekujsh dhe kushteve në të cilat ato janë ndodhur