Paris, 25tetor – U desh më shumë se një dekadë që të përgatitej dhe thuajse ishte pamundësuar nga përplasjet diplomatike. Tash, një prej ekspozitave më të shtrenjta artistike në botë – në shënim të 500-vjetorit të vdekjes së Leonardo da Vincit – po hapet më në fund për publikun.
Muzeu i Louvreit në Paris, vendi i “Mona Lisas” së Da Vincit, ka hapur dyert të enjten për ekspozimin e më shumë se 160 pikturave dhe vizatimeve të kohës së Renesancës, disa prej të cilave janë huazuar nga Mbretëresha Elizabeth II dhe Bill e Melinda Gates.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEkspozita, që pritet të tërheqë më shumë se gjysmë milioni vizitorë gjatë katër muajve të ardhshëm, përpiqet të sjellë një kuptim më të thellë të metodave të punës së artistit duke përdorur shënimet e tij, teknologjinë me rreze të kuqe dhe realitetin virtual.
Ndriçimi me rreze infra të kuqe i disa prej veprave të tij më të njohura ka shpërfaqur një numër sekretesh, me shtresa të shumëfishta të vizatimeve nën veprat e përfunduara të artistit.
Nuk është hera e parë që është përdorur kjo metodë. Në gusht ekspertët kanë gjetur dizajne të engjëllit dhe Krishtit të sapolindur nën sipërfaqen e “The Virgin of the Rocks” të Leonardos, duke përdorur harta floroshente me rreze-X dhe infrared, si dhe imazhin hiperspektral.
Leonardo da Vinci ishte inxhinier, disenjator, shkencëtar dhe artist i fascinuar me formën njerëzore, sjelljet e kafshëve dhe me bimët.
Nga rritja e drunjve deri te lëvizja e zogjve, ai ishte i fiksuar pas fluturimit dhe sajoi një makinë fluturuese të mbështetur në krahët e lakuriqit – Leonardo studioi kompleksitetet dhe i dokumentoi ato me vizatime.
Ai gjithashtu ka dizajnuar armë, vegla dhe lugë, madje shënimet e tij përfshijnë interpretime të teknikave arkitekturore të ndërtimit.
Një prej veprave më të njohura të huazuara nga Louvrei është “Vitruvian Man” një vizatim me laps dhe bojë i një forme njerëzore të përpjesëtuar brenda një katrori dhe rrethi.
Kjo vepër, e cila do të bëjë pjesë në ekspozitë për tetë javë, është bartur në Paris vetëm javën e kaluar, pavarësisht përpjekjeve për të ndaluar largimin e saj nga Italia.
Duke qëndruar pranë veprës delikate, kuratori i ekspozitës Vincent Delieuvin, ka thënë se vizatimi tregon rëndësinë e lidhjes midis shkencës dhe artit.
“Në këtë rast ky tregon bukurinë e trupit njerëzor”, ka thënë ai. “Ne shpresojmë të tregojmë kush ishte ai si artist, pse dhe si Leonardo është kaq i rëndësishëm. Ai përdorte një metodë tejet të veçantë dhe origjinale të punës të mbështetur në shkencë”.
{gallery}
“Mona Lisa”, mbase një prej pikturave më të njohura të artistit, nuk shfaqet në këtë ekspozitë në formën e saj fizike – ajo mbahet në një vend tjetër në Louvre, në një kasafortë të mbrojtur me xham – por vizitorët mund ta shohin pikturën përtej xhamit.
Përvoja e realitetit virtual, e para e llojit të vet në “Louvre”, përfshin kërkime shkencore për të zbardhur hollësitë brenda pikturës që përndryshe janë të padukshme për syrin, kanë thënë zhvilluesit e projektit, “Vive Arts”.
Pastaj aty janë edhe vepra të marra hua nga Mbretëresha, që zakonisht mbahen prapa dyerve të mbyllura në shtëpinë mbretërore në Windsor Castle.
Këto përfshijnë “Studimin e duarve” dhe “Kryet e Ledës” të Leonardos, nëna mitologjike e Helenës së Trojës.
“Elizabetha ishte mjaft bujare, duke dërguar 24 vepra nga koleksioni i saj; për shkak të saj ne mund të shfaqim një përzgjedhje të bukur të vizatimeve të tij”, ka thënë Delieuvin.
Ekspozita po ashtu paraqet vepra nga koha e Renesancës nga artistë të tjerë, përfshirë skulptura, për të ndihmuar që vepra e Leonardo da Vincit të vihet në kontekst, kanë thënë në “Louvre”.
Delieuvin ka thënë për BBC-në se parashikon që rreth 600 mijë njerëz do të vizitojnë ekspozitën në Paris falë vëllimit mbresëlënës të veprave të paraqitura.
I lindur në Toskanë më 1452, Leonardo ishte një piktor, skulptor, arkitekt dhe matematikan i Rilindjes. Para vdekjes së tij në maj të vitit 1519, ai kaloi vitet e fundit të jetës së tij në Francë si mysafir i mbretit Francis I.
Ishte ky fakt që çoi në përplasjen e fundit politike dhe kulturore mes Francës dhe Italisë.
Planet e mëdha të ekspozitës, që ishin vënë në jetë prej kohësh, ishin gati të përfundonin kur e djathta italiane, partia nacionaliste Lega Nord kundërshtoi dërgimin e disa veprave artistike, duke pretenduar se Italia kishte mbetur “anash ngjarjes së madhe politike”.
Në një intervistë nëntorin e kaluar, nënsekretarja e asokohshme i Ministrisë italiane të Trashëgimisë Kulturore, Lucia Borgonzoni, ka thënë se “Leonardo ishte italian. Ai vetëm vdiq në Francë. Franca nuk mund të ketë gjithçka”.
Fjalosja ka përfunduar vetëm javën e kaluar në një gjykatë italiane, ku u lejua që “Vitruvian Man” , që ishte mbajtur për vite në një dhomë me klimë të kontrolluar në Venecia, mund të shkonte në Paris.
Gjykata veneciane ka cituar “rëndësinë e jashtëzakonshme globale të ekspozitës së (Louvreit) dhe dëshirën (e Italisë) për të maksimizuar potencialin e trashëgimisë së saj”, teksa njoftoi vendimin e saj për lejimin e vizatimit që të udhëtonte.
“Tani operacioni i madh kulturor italiano-francez i dy ekspozitave të Leonardos në Paris dhe Raphaelit në Romë mund të fillojë”, ka shkruar në Twitter ministri i Trashëgimisë Kulturore të Italisë, Dario Franceschini, pas vendimit të gjykatës/BBC.