Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Muzeu i Louvreit ekspozon online koleksionin e plotë

(CNN) – Nuk ka asgjë më të mirë sesa të kalosh një pasdite me shi në muze, zhytur në bukuritë dhe mrekullitë e artit dhe historisë. Tani, Muzeu i Louvreit – muzeu më i vizituar në botë – po jua mundëson këtë nga shtëpia juaj.

Muzeu francez ka lansuar një platformë online ku po i shfaq të gjitha veprat e muzeut, që janë më shumë se 480 mijë. Këtë e ka bërë të ditur vetë muzeu, në një komunikatë për media.

Adhuruesit e artit dhe hulumtuesit tani e kanë mundësinë që ta shohin të gjithë koleksionin online dhe pa pagesë.

Ueb-faqja do ta bëjë të qasshëm shikimin e tetë departamenteve të koleksionit, duke nisur nga arti islamik e deri te skulpturat e renesancës, artefaktet e Egjiptit dhe piktura nga artistë nga mbarë bota.

“Sot, Muzeu i Louvreit është duke larguar pluhurin nga thesari i tij, deri te më i vogli”, citohet të ketë thënë drejtori i Louvreit. “Për herë të parë çdokush mund të ketë qasje në të gjitha veprat e koleksionit nga një kompjuter ose telefon i mençur dhe atë gratis, edhe nëse veprat janë duke u shfaqur në muze, të huazuara, apo edhe të vendosura në garazh”.

“Trashëgimia e mrekullueshme e Muzeut të Louvreit tani është një klikim larg”, ka shtuar ai. “Jam e sigurt që kjo përmbajtje digjitale do t’i inspirojë në të ardhmen njerëzit për të ardhur dhe për ta zbuluar këtë koleksion edhe në mënyrë fizike”.

Në komunikatë është bërë e ditur se vizitorët mund ta shohin koleksionin masiv të muzeut nëpërmjet kërkimeve të avancuara, duke kërkuar departamentin specifik, temën ose të ngjashme.

Edhe Louvre hap Galerinë Apollo për herë të parë pas vjedhjes, largohen stolitë e çmuara Kulturë Louvre hap Galerinë Apollo për herë të parë pas vjedhjes, largohen stolitë e çmuara

Ueb-faqja ka një hartë interaktive, që ua mundëson njerëzve ta eksplorojnë muzeun dhe çdo vepër nga një hapësirë në tjetrën.

Në komunikatë është bërë e ditur se ueb-faqja do të përditësohet rregullisht nga ekspertë të muzeut, të cilët do ta zgjerojnë gradualisht koleksionin.

Përderisa Muzeu i Louvreit vazhdon të jetë i mbyllur që prej tetorit të vitit të kaluar, aty po bëhen renovime afatgjate.