Bernë, 7 janar - Muzeu i Arteve të Bukura në Bernë ka nisur hetimet për origjinën e veprave më të rëndësishme që i janë dhuruar nga një koleksionist, e po ashtu edhe për mënyrën se si ato kanë arritur të jenë në koleksionin e tij.
Kur zvicerano-braziliani i famshëm, Georges F. Keller, filloi t’i dhuronte këtij muzeu piktura nga mjeshtër të tillë si Henri Matisse dhe Salvador Dali, ai njihej si tregtar i respektuar i artit.
Keller ia dhuroi 116 vepra muzeut, duke përfshirë "Bluzën blu" të Matisse (1936), mes viteve 1950 dhe 1981, kur ai vdiq.
Vitin e kaluar, megjithatë, një hulumtues i muzeut gjeti një dokument arkivor, i cili sugjeron lidhje mes Kellerit dhe nazistëve.
"Është përgjegjësia jonë të hetojmë me saktësi dhe të verifikojmë edhe një herë se si këto vepra që na i dhuroi Georges F. Keller, në një mënyrë shumë bujare, kanë arritur të jenë në koleksionin e tij", ka thënë Nina Zimmer, drejtoreshë e Muzeut të Arteve të Bukura në Bernë.
Sipas dokumenteve arkivore të botuara nga Biblioteka Frick e Referencës së Artit, Keller kishte qenë partner biznesi me Etienne Bignou, një francez që tregtonte vepra arti me gjermanët në Parisin e pushtuar nga nazistët.
Keller dhe Bignou punuan së bashku në Paris në galerinë Georges Petitit, e cila specializohej në veprat impresioniste derisa u mbyll në vitin 1933.
Edhe
Kina heton muzetë pas skandalit me zhdukjen e thesareve kombëtare
Bignou më pas ngriti galerinë e tij në kryeqytetin francez me Kellerin si partner, i cili gjithashtu kishte kombësinë franceze.
Sipas dokumenteve, Keller më vonë u bë drejtor i degës së New Yorkut në galerinë Bignou.
Për Muzeun e Bernës, dhurimet me lidhje të mundshme me nazistët nuk janë gjë e re. Në një rast tjetër të ngjashëm, muzeu u përpoq t'ua kthente thesaret pronarëve të tyre të ligjshëm/ AFP/"Koha Ditore"