Edicioni i V-të i këtij manifestimi letrar përmbyllet sot në Tuz me ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore ‘Teuta’, çmim ky që i ndahet njërit ndër figurat më të shquara të kulturës shqipe, Moikom Zeqos.
Me kumtesën ‘Letërsia shqipe dhe roli i saj historik’ dhe promovimi i librit të Radovan Zogoviqit, ‘Ardhësit-Këngët e Ali Binakut’, botim dhe përkthim i ri i Anton Nikë Berishës, u identifikua dita e dytë e manifestimit letrar ndërkufitar ‘Muzat e Alpeve 2017’, i cili u mbajt dje në Shkodër, pasi kishte nisur në Istog, ndërsa sot përfundon në Tuz.
Edicioni V i këtij manifestimi letrar përmbyllet sot në Tuz me ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore ‘Teuta’, çmim ky që i ndahet njërit ndër figurat më të shquara të kulturës shqipe, Moikom Zeqos, , përcjell KultPlus.
Shoqata ‘TEUTA’ për pesë vjetët e themelimit ka përshkuar disa komuna, ndërsa dje ishte në Shkodër, në djepin e artit dhe të kulturës e cila ka shumë njerëz të denjë për të qenë laureatë të ardhshëm të Çmimit Teuta. Dhe si e tillë, Shkodra e mirëpret dhe bashkorganizon me Bibliotekën e qytetit “Marin Barleti”, e cila është epiqendra e librit në Shkodër.
Aktorja Merita Smaja, e mirënjohur në mbarë hapësirat shqiptare tha ndër të tjera se: “Për 5 vjet e shoh se Teuta paska vlerësuar emrat që meritojnë,sepse në art ka meritor por nganjëherë ka tartuf të cilët nuk e meritojnë por janë të zot për të dalë në krye. Flas në emër të Shkodrës të cilët e kemi artin në shpirt, por të jesh artist sa është nder është edhe një përgjegjësi e madhe për t’u ndjerë i tillë dhe qenë i tillë. Ndaj më vjen mirë që kemi emra kaq të mëdhenj. Pra, vargu është i madh dhe aq i shenjtë sa ta duash përtej dashurisë”, tha Smaja, e cila shprehu vullnetin që karvani i Muzave të Alpeve të jetë edhe më i shtrirë në hapësirat tona etnike.
Aktivitetin e përshëndeti edhe përfaqësuesi i ministrisë për kulturë, rini dhe sport të Republikës së Kosovës, Albert Kurtulaj i cili në fjalën e tij të shkurtër tha se Ministria e Kulturës e Rinisë dhe Sporteve po mundohet sadopak të mbështes aktivitete me vlera, dhe aktivitet të tilla veç sa promovojnë vlerën e njerëzve të letrave dhe veprave të mëdha por edhe imazhin e Kosovës . Ndoshta, mbështetja jonë është modeste, por herë herë edhe vetëm vullneti i mirë për të ju mbështetur dhe prania jonë është stimulim për punën tuaj të mëtutjeshme”, tha Kurtulaj.
“Letërsia shqipe dhe roli i saj historik”, ishte tema mbi të cilën doli me kumtesë profesori Sali Bashota, i cili ndër të tjera tha se: “Letërsia shqipe, ndër shenjat emblematike e ka Shkodrën, sepse Shkodra me gjithë personalitetet e rëndësishme të kohës, të mijëvjeçarëve, është pika më e fuqishme e referencës kulturore për identitetin, qytetërimin dhe kulturën autentike të shqiptarëve”.
Ishte promovimi i librit “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut” , përkthim dhe botim i ri i Anton Nikë Berishës, ai i cili solli në këtë takim jehonën e këtyre këngëve të mjerimit të shqiptarëve, shkruar nga një poet malazez i cili si ardhës, bashkëpërjetoi dhe iu dha zë vuajtjeve të shqiptarëve duke i përjetuar ato për ne dhe brezat që vinë. Ndaj, për Mirash Martinoviq në vlerësimin e tij rreth këtij libri kujtoi porosinë e Cezarecit dhënë Zogoviqit, i cili teksa po i rrëfente për vuajtjet e shqiptarëve, ai e porositi: “Shkruaj…Po s’pate letër, shkruaji në gur!”.
Ndërsa, autori i përkthimit të ri të këtij libri Anton Nikë Berisha tha se arsyeja kryesore që e ka shtyrë të përkthejë apo ta ribotojë librin e Radovan Zogoviqit në një kohë kur njerëzit janë burgosur apo iu ka shkuar edhe koka është se: “Unë nuk kam lexuar nga asnjë autor një qëndrim dhe një qasje aq reale dhe poetikisht ngritur siç e ka bërë Zogoviqi për botën shqiptare dhe trevat e Dukagjinit”.
Të pranishëm ishin edhe përkthyesit e mirënjohur në gjuhën shqipe dhe malazeze, Qazim Muja dhe Dimitrov Popoviq, ndërsa manifestimi zgjoi një interesim të jashtëzakonshëm të medieve të Shqipërisë, sikurse edhe të Kosovës.
Dita e dytë e aktivitetit u përmbyll me vizitë trashëgimisë kulturore të Shkodrës si dhe një mbrëmje letrare. Manifestimi trekufitar “Muzat e Alpeve” do të vazhdojë aktivitetin sot, në Tuz, me kumtesën “Poezia kundër luftës”, me promovimin e librit "Këngët e përgjërimit-Zavjetne pjesme", me autor Lulzim Tafaj , ndërsa në ceremoninë përmbyllëse Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” do t’i ndahet njërit prej personaliteteve më të shquara të kulturës shqiptare, prof.dr.Moikom Zeqos me motivacion:
“Erudit i rrallë i historisë dhe traditës së qytetërimit shqiptar, akademiku Moikom Zeqo me veprën e tij, iu takon pararendësve të brezit të lindur pas luftës së dytë botërore, duke shprehur me një kurorë të re mendimtari dhe njeriu të shqetësuar dykuptimësinë e njeriut të sotëm, pa pasur dro të na japë përgjigje të pafundme në se është ky realiteti i thellësive historike që ka krijuar njeriun, apo është njeriu i pa epur për ëndërrim që krijon realitetin e një bote të përbashkët dhe universal (cit. i motiv.të Sh.R.Sh. Teuta”. Çmimin do të ndaj laureati i parë i këtij çmimi, Jevrem Berkvoqi, i cili ka paralajmëruar ardhjen në Tuz.
“Muzat e Alpeve” edhe sivjet organizohen në kuadër të Ditëve të Diasporës më mbështetjen e Ministrisë së Diasporës se Republikës së Kosovës, pasuar edhe nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, si dhe komuna e Istogut, ku edhe filluan aktivitetet. Ndërsa, deri më tani ky manifestim lëvizës ka përshkuar: Pejën, Kotorrin, Rugovën, Rozhajën, Deçanin, Plavë-Gucinë, Junikun e Bajram Currin duke promovuar vlerat letrare të cilat na radhisin denjësisht përkrah popujve të tjerë.
{gallery}