Kulturë

Murale kolektive për identitete të reja e luftim paragjykimesh

Një shëtitje brenda rrugicave të ngushta të lagjes “Sallahane” në Ferizaj mjafton për t’i “prekur” nga afër problemet me të cilat përballen banorët. Rrallëherë është vënë në pah bashkëjetesa e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian e goran me shqiptarë në këtë pjesë të Ferizajt. Edhe më pak ka qenë e dukshme dukuria e talenteve të reja.

Mirëpo tash e disa ditë të nisjes së muraleve kolektive në këtë pjesë të periferisë së Ferizajt, zona ka nisur të marrë vëmendje. Qëkur brushat e 20 artistëve kanë nisur të pushtojnë muret e zbrazëta e të thjeshta, kjo pjesë ka fituar gjallërinë e munguar. Kjo është e dukshme në çdo cep. Nga fillimi i lagjes e deri te degëzimet e rrugëve të tjera muralet kanë nisur të marrin formë.

Dhe në një vend të tillë nuk mungon edhe autenticiteti. Organizatorët e “Mural Fest”-it janë kujdesur që të jenë në koordinim të plotë për identifikim të temave. Kanë shpërfaqur gjurmë kulturore të banorëve nëpër murale. Vula e krenarisë së tyre është paraqitja e karateistëve kampion të klubit “Fituesi”, të cilët janë identifikim për këtë lagje dhe krenari për suksese përtej paragjykimeve për komunitetet.

Motivet tradicionale po ashtu janë pjesë e mozaikut të muraleve. Në një rast, dy sofra janë të bashkuara afër njëra-tjetrës. Ato janë simbole të mikpritjes dhe bashkëjetesës, si disa nga veçoritë e komuniteteve.

Fytyra nuk ka në asnjë cep, me kërkesë të vetë banorëve. Por nuk mungon shumëllojshmëria e ngjyrave në paraqitje të lirisë njerëzore gjatë soditjes së natyrës. E përbashkëta e çdo vepre është shndërrimi i lagjes në një lokomotivë artistike, që secila nga ndalesat nëpër murale është një dritare për të parë diçka tjetër. Krejt kjo falë 15 artistëve, të cilët paraprakisht kanë mbajtur punëtori me Gabriel Pitcher, për t’iu bashkuar edhe aktivistët e komuniteteve e vetë banorët në këtë nismë të “Mural Fest”-it.

Aktivistja Pakize Bujani ka thënë se e çmon shumë faktin se njëra nga lagjet e komunitetit të saj tashmë është zonë e ndërhyrjeve artistike.

“Këto murale më japin ndjenja të papërshkrueshme për shkak se për herë të parë në një lagje ku janë banorë komunitetet janë zhvilluar aktivitete të tilla dhe nëpërmjet tyre kemi pasur mundësinë me tregu që përveçse jemi të mirë në sporte, jemi edhe në arte”, ka thënë ajo.

Sipas Bujanit, kjo është nismë për hap konkret për ndryshim mentaliteti, sepse lagjja është identifikuar si varfër dhe problematike.

“Ne kemi shumë më shumë prej vetes për të treguar se edhe ne kemi pjesëtarë të komuniteteve që janë kampion edhe të sportit të karatesë”, ka thënë ajo.

Edhe banori Naser Guci ka përkrahur nismën e “Mural Fest”-it.

“Shumë mirë, nuk është keq. Është gjallëruar pak. Krejt në përgjithësi po më pëlqejnë”, ka thënë ai, duke shprehur mbështetjen e tij.

Integrimin e banorëve dhe aktivistëve në krijim të muraleve, menaxherja e projekteve në “Mural Fest”, Fortunë Haziri, e ka vlerësuar edhe si mundësi të përballjes së tyre me artin.

“Fillimisht na është dukur vend i përshtatshëm për shkak të mureve rrethuese të cilat i gjejmë në ‘Sallahane’, s’i gjejmë në qytet për shkak të ndërtimeve të reja”, ka treguar ajo për arsyen e përzgjedhjes së lokacionit.

Këtë iniciativë e ndërlidh edhe me faktin e krijimit të hapësirave të reja urbane, duke nxitur vizitorë e zhvillim ekonomik.

“Ka shumë më shumë sesa varfëria që munden me pa, përpos njohjes si lagje e minoriteteve”, ka konkluduar ajo. Tutje ka treguar se artistët para përzgjedhjes së temave kanë qenë në koordinim me banorët në verifikimin e elementeve lokale. “Kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me banorët, e kanë njohur kulturën e tyre. S’është se ka dallim aq të madh nga pjesa tjetër e qytetit, por ka elemente që e veçojnë”.

Me stile e tematika të ndryshme, kjo nismë tenton krijimin e një identiteti të ri.

“Në këtë mural është një sofër, në këtë lagje banojnë kryesisht komuniteti ashkali, ka edhe romë, goranë e shqiptarë. Sofra ka qenë e përbashkëta për të gjithë, është e pasqyruar në dy anë”, ka treguar Haziri.

Përtej pjesës kulturore, nuk mungon edhe shpërfaqja e pasioneve të kësaj zone. Pikërisht Donjeta Haziri e shpërfaq suksesin e klubit të karatesë “Fituesi” në muralin e saj.

“Është klub që ka marrë çmime të ndryshme si në Evropë ashtu edhe në Kosovë, me të merren gjenerata e komunitete të ndryshme që kanë marrëdhënie paqësore”, ka treguar ajo për motivet e muralit, i cili gati është në finalizim. “Është diçka shumë e vlefshme për ta, besoj që do të lërë sa më shumë mesazhe pozitive”.

Ndërkaq si përshtatje e temës së edicionit të sivjetmë “On - Offline” është murali i Elda Halilit, e cila përmes një lidhjeje kabllore të dy trurëve jep mesazhin e shkyçjes nga bota virtuale dhe përballje me atë fizike.

“Tema e muralit ndërlidhet edhe me temën e sivjetme të ‘Mural Fest’-it. Është ‘Connection’ dhe i kam paraqitur dy tru që me dalë më shumë në realitet se jemi shumë në botën e internetit”, ka thënë Halili.

Vlerëson faktin e bashkëpunimit të “Mural Fest”-it me komunitete.

“Është shumë e rëndësishme. Edhe më herët kam pasur shoqëri nga komunitetet dhe po më pëlqen shumë puna që po bëjmë”, përfundon ajo.