Shohim që shumë objekte të trashëgimisë kulturore, dita-ditës, shkatërrohen. Por, ka edhe të atillë të cilët i kanë mbijetuar kohës dhe vazhdojnë të funksionojnë. Një i tillë është edhe në fshatin Nerodime.
Bëhet fjalë për mullirin e Nikës, që është pronë e familjes Kashtanjeva. Mulliri i Nikës që punon nga fuqia e ujit, konsiderohet se është njëri ndër objektet më të vjetra arkitekturore. Thuhet të jetë ndërtuar në kohën e sundimit osman dhe t’i ketë afër 500 vjet, raporton KTV.
Edhe sot e kësaj dite bluhet në këtë mulli, ndonëse me kapacitet më të vogël. Ky mulli gjendet në zonën e bifurkacionit, që është nën mbrojtjen e përkohshme të trashëgimisë kulturore si peizazh natyror.
Mulliri u restaurua në vitin 2003, me ç’rast u bë rindërtimi i shumë pjesëve të tij për ta ruajtur traditën e trevës së Ferizajit.
Por, që ky mulli ta kryejë bluarjen, rol të rëndësishëm luan edhe rrjedha e lumit Nerodime që buron në bjeshkët e Jezercit. Thuhet që mulliri i Nikës të jetë ndërtuar në kohën e sundimit osman dhe t’i ketë afër 500 vjet.