Kulturë

“Moisiu” në Shkup si një skenë e përbashkët e teatrove shqiptare

Festivali i teatrit shqiptar “Moisiu” nisi rrugëtimin me synimet që të jetë tradicional. Këtë vit Shkupi u bë adresa teksa çdo nëntor do t’i bëjnë nikoqirllëk edhe Prishtina e Tirana në rotacion. Janë 12 teatro shqiptare, duke përfshirë ato kombëtare e lokale, që bëhen bashkë për t’ia sjellë publikut teatrin shqiptar. “Ivanovi” nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, të mërkurën mbrëma, ka hapur garën

Një rrugëtim nëpër shfaqjet më të mira të përvitshme nëpër teatro shqiptare është destinimi kryesor i tij. Publikut në vendin nikoqir ia jep mundësinë të shohë rrëfime të ndryshme dramaturgjike përtej kufijve. Kështu edhe observohet gjendja e teatrit shqiptar përgjithësisht. Por, mbi të gjitha, është bashkim i skenës teatrore shqiptare.

Festivali i teatrit shqiptar “Moisiu” nisi rrugëtimin me synimet që të jetë tradicional. Këtë vit Shkupi u bë adresa teksa çdo nëntor do t’i bëjnë nikoqirllëk edhe Prishtina e Tirana, me rotacion.

Image
Shfaqja e parë, e cila e preu shiritin e këtij rrugëtimi, ishte “Ivanovi” nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, nën regjinë e Hervin Çulit e me tekst të Anton Çehovit

Sivjet janë 12 teatro shqiptare, duke përfshirë ato kombëtare e lokale, që bëhen bashkë për dhjetë ditë në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Shqipëria prezantohet me katër teatro duke përfshirë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, teatrin kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli”, teatrin “Anton Zako Çajupi” nga Korça e teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Po aq i ka edhe Kosova me pjesëmarrjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, teatrit “Adriana” të Ferizajt, teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren dhe produksionit të organizatës “Integra”. Teatri Shqiptar i Shkupit, Teatri i Gostivarit dhe Teatri i Tetovës përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut, teksa është i përfshirë edhe Teatri i Preshevës.

Bagazhi i madh profesional e nami i artistit shqiptar, i cili ka vepruar në teatro evropiane, Aleksandër Moisiu, i bëri organizatorët që festivalin ta pagëzojnë me emrin e tij. Pietetin e tij e mban edhe çmimi kryesor, që trofeun e ka gati. Portreti serioz i aktorit, i shkrirë në formë maske dhe “Moisiu” shkruar vertikalisht do t’i jepet shfaqjes, e cila do të vlerësohet si më e mira e edicionit.

Juria e sivjetme e përbërë nga Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Melihate Qena, Spiro Duli e Luiza Xhuvani do t’i vlerësojë shfaqjet edhe për çmimet për regjinë më të mirë, aktorin e aktoren më të mirë, si dhe aktorin e aktoren më të mirë në rol dytësor. Hapësirë u është dhënë edhe artistëve të rinj pa profilizim me çmimin “Artisti i ri”. Do të vlerësohen edhe për çmimin “Dramaturgjia shqiptare”, çmimi për kostumografinë, skenografinë e ai për muzikën. Ndërkaq nga viti i ardhshëm do të emërohen selektorë, të cilët do të ndjekin shfaqjet e gjithë vitit nëpër këto teatro. Prej aty edhe do të merren vendimet se cilat janë më të mirat për të garuar në këtë festival.

Image
Shqipëria prezantohet me katër teatro në festivalin e teatrit shqiptar “Moisiu”, po aq i ka edhe Kosova, përderisa Maqedonia e Veriut merr pjesë me tre teatro. Merr pjesë edhe Teatri i Preshevës

Pjesa e fjalimeve ka nisur me një muhabet gazmor kur kishin nisur të bënin festival pa para, treguar prej Altin Bashës, drejtor i teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” të Tiranës.

Adem Karaga, drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, që në të parin edicion është nikoqir, ka thënë se ideja e vitit 2018 po gjen realizim tek tani. Ka përmendur se jo pak vështirësi financiare kanë hasur deri në jetësimin e festivalit.

“Unë pa e menduar, shumë thjesht nga barku më doli (dhe ju thashë v.j.), do të jeni mysafirë të Shkupit dhe pa pasur asnjë mbështetje për materializimin e këtij festivali”, ka thënë ai.

Sipas tij, e rëndësishme është se trupat teatrore që do të japin shfaqjet janë tashmë të ditura, të tjerat priten vit pas viti të përmirësohen.

“Unë si nikoqir i kësaj shtëpie më vjen mirë që kjo ëndërr e kamotshme po bëhet realitet. Pastë jetën e gjatë sa vetë arti”, ka thënë Karaga.

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka thënë se ndihet i lumtur për faktin që festivali po jetësohet me “miqtë veteranë të udhëheqjes së institucioneve”.

“Para së gjithash e kam shumë personale, por për mua, për këtë iniciativë, ka qenë një motivues: ai është Luran Ahmeti”, ka thënë ai për aktorin e ndjerë, i cili vdiq në moshën 46-vjeçare në mars të vitit 2021.

Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, ka thënë se beson se “ajo urë e bashkëpunimit midis shqiptarisë është ky festival”.

Zëvendësministri i Kulturës në Maqedoninë e Veriut, Daim Luçi, ka premtuar përkrahje të Festivalit. Ka shtuar se kjo ngjarje bashkon “zemrat, trurin dhe vlerat”.

Image
Bagazhi i madh profesional e nami i artistit shqiptar, i cili ka vepruar në teatro evropiane, Aleksandër Moisiu, i bëri organizatorët që festivalin ta pagëzojnë me emrin e tij. Pietetin e tij e mban edhe çmimi kryesor që trofeun e ka gati

“Ne do të jemi gjithmonë në përkrahje të këtyre aktiviteteve që synojnë të promovojnë vlerat e mirëfillta, sidomos ato të teatrit”, ka thënë Luçi, duke premtuar në tradicionalitetin e organizimit.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës të Kosovës, Feim Hoxha, ka thënë se ky festival është gur themel për komunikim të rregullt midis teatrove. Sipas tij, kjo iniciativë është zhvillim për teatrot mbarëkombëtare.

“Le të jetë një prej pikëtakimeve më të rëndësishme, por të jetë edhe shembull i bashkëpunimit ndërkombëtar”, ka thënë Hoxha.

Shfaqja e parë, e cila e preu shiritin e këtij rrugëtimi ishte “Ivanovi” nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, nën regjinë e Hervin Çulit e me tekst të Anton Çehovit. Si një dramë sa e fuqishme aq dramatike, me një finesë të jashtëzakonshme për anën psikologjike të njeriut, shfaqja e mban aktiv publikun për më shumë se tri orë. Përballja e fateve njerëzore, sakrifica për hir të dashurisë dhe përplasja psikike e protagonistëve, e bëri shfaqjen intensive në përcjelljen e mesazhit.

Kryeprotagonisti i shfaqjes, Nikollaj Aleksejeviq është personazhi në depresion, i cili e ndërron krejt kahun e ngjarjeve. Me ndjenja të “paralizuara” jo veç për të tjerët, por edhe për veten, ai është përherë në kërkim të qetësisë. Atë s’e gjen askund, mllefin dhe ankthin s’ia shkoqit asnjë gjë. As gruaja e tij, Ana Petrovka, e cila vuan nga tuberkulozi. E dashuruar marrëzisht edhe pas pesë vjetëve martesë, ajo harron veten e saj pas burrit, për të cilin sakrificën e ka të madhe. Martesa e një çifuteje me një rus është e ndaluar fetarisht dhe si e tillë ajo humb kontaktin e përjetshëm me prindërit e saj.

Mirëpo as risitë në jetën e Aleksejeviqit s’i bëjnë përshtypje. Vajza e njomë dhe e butë, Sasha, dështon ta kryejë misionin e heroizmit. As ajo s’arrin ta shpëtojë shpirtërisht Nikollajn. Madje shuplakë për mirësinë e saj e merr vetëvrasjen e tij në ditën e dasmës.

Me monologë të fuqishëm e mjeshtërorë, skenografi me atmosferë dimri, intensitet dramatik përmes ndërhyrjeve muzikore e luajtje të mrekullueshme të aktorëve përmbyllet kapitulli i rrugëtimit të “Ivanovit”.

Elia Zaharia e cilësoi shfaqjen në Shkup si ndarje me rolin pas shtatëmbëdhjetë reprizave në Tiranë. Ajo luan rolin e Sashës.

“Është një rol që e vë bastin e jetës te dashuria, një vajzë që fillon pjesën me një çiltërsi e besim absolut që dashuria mund të ndryshojë çdo gjë, jeta të lulëzojë dhe të jetë e lumtur”, ka thënë ajo.

Tre muaj prova, sipas saj, kanë qenë arsyeja e sjelljes së shfaqjes në një dimension profesional. E ka cilësuar si dhuratë luajtjen e teksteve të Çehovit, teksa më parë kishte luajtur edhe te “Tri motrat e Çehovit”.

“Do ta ruaj në zemër si kujtim shumë të vyer, rol të çmuar për mua. Të flasë Çehovi brenda teje është poezi. Shkon në filigranet e shpirtit dhe të përfshin dashur a pa dashur dhe nuk shpëton dot”, ka thënë Zaharia.

Luajtje me preokupim e ka cilësuar shfaqjen në Shkup, aktorja tjetër, Luli Bitri, që e jetësoi Ana Petrovkën. Ka thënë se skena më e vogël e ka bërë të hyjë më thellë në ngrohtësinë që i falin dramat e Çehovit.

“I është dorëzuar dashurisë për Ivanovin, por ai gjendet në krizën e vet ekzistenciale, është në depresion të thellë dhe s’ndien jo dashuri veç për Ana Petrovën, por as për vetveten, s’ka më pasion, s’ka motivim për të jetuar”, ka thënë ajo për rolin e saj.

“Ivanovi” vlerësohet si vepra më e trishtuar e Çehovit dhe një prej më të arrirave. Ndërkaq shfaqjet të cilat do të jepen para publikut në Shkup në vijim do të jenë “Zgjimi i Pranverës”, “Vdekja dhe virgjëresha”, “Mefisto”, “Memorandumi”, “Armiku i Popullit”, “Tregtari i Venedikut”, “Andorra”, “Ves – Ves”, “Zhurma jashtë skene”, “Babai dhe babai” dhe “Tri motrat”.