Kulturë

“Mjekimi” zhvesh bullizmin bashkë me institucionet e kujdesit mendor

Produksioni i teatrit “Ultra” të Kumanovës me autor irlandezin Enda Walsh, nën regji të Qazmedin Nuredini, e ka ballafaquar publikun me një klinikë. Te “Mjekimi” denoncohet hipokrizia ndaj atyre në nevojë, mohimi i problemeve. Është histori në kohën kur bullizmi ka marrë ritëm nëpër rrjete sociale. Ekipi ka zgjedhur që krejt këtë ta rrëfejë e ta gjykojë në teatër

Nja gjysmë ore para shfaqjeve, hapësira para teatrit “Adriana” shndërrohet në një shesh ku takohen komuniteti teatror bashkë me publikun. Atmosfera që përjetohet çdo mbrëmje gjatë kësaj jave rrallë përjetohet në Kosovë, pasi festivalet e teatrove janë të rrallë. Teatri i Ferizajt për të 52-tin vit me radhë e organizon atë që njihet si Festivali i Teatrove. Sivjet ka shkuar në tjetër nivel. Punëtoritë, debatet, ndejat e shtylla kryesore – shfaqjet, për një javë Ferizajn e kanë kthyer në qytet të teatrit. Tema të ndryshme janë trajtuar në skenë. Prej atyre që prekin rrethana më lokale e deri tek ato që i japin ritëm universales.

Të enjten mbrëma publiku është ballafaquar me një klinikë. Shfaqja “Mjekimi” vetëm titullin e ka të tillë. Produksioni i teatrit “Ultra” të Kumanovës me autor irlandezin Enda Walsh realisht shpërfaq torturën në emër të mjekimit. Nën regji të Qazmedin Nuredinit, rrëfimi zë fill në një qendër të kujdesit mendor. Bullizmi është shtylla qendrore. Një çift nuk është i kënaqur me statusin e të qenët prind. E bullizojnë fëmijën qysh si bebe.

E në këtë rast historia e Johnit (Shkëlqim Islami) është një luftë për të dalë nga qendra e kujdesit mendor. Është goxha i talentuar, por ka përfunduar aty si fëmijë i padëshiruar. Kurse trajtimi që i bëhet brenda është jonjerëzor. Mbahet me ilaçe të cilat vetëm e dëmtojnë. Islami ia del që ta mbajë ritmin e shfaqjes gjatë gjithë kohës nëpërmjet një roli hiç të lehtë.

Historia më shumë tragjike sesa komike e përplas atë nga një kënd i klinikës te tjetri. Brenda errësirës mundohet të gjejë një fije shprese që bashkë me një vajzë që gjendet aty brenda të dalë nga ai tmerr. Shfaqja ku luajnë edhe Faton Ibrahimi, Sefedin Shabani bashkë me Qazim Ametin në bateri, zhvesh bullizmin e pastaj edhe urrejtjen që prodhohet nga i bullizuari.

Është histori në kohën kur ky fenomen ka marrë shumë ritëm nëpër rrjete sociale. Ekipi ka zgjedhur që krejt këtë ta rrëfejë e ta gjykojë në teatër.

“Është një prej roleve që secili aktor e ka sfidë. Bashkëpunimin me ekipin e kemi për shumë vjet. Isha pak skeptik, por me mbështetjen e tyre ia kemi dalë”, ka thënë aktori Shkëlqim Islami. Shpesh gjatë lojës ai nuk ka nevojë të flasë fare. Çehrja i shpjegon shumë më shumë se sa fjalët.

“Janë role me shumë nevoja të veçanta dhe preken njerëzit. Preket edhe vetë aktori, pasi edhe ne jemi prej mishi e gjaku. Është shumë e ndjeshme të hysh në lëkurën e problematikën e bullizmit”, ka thënë ai. Skenat tregojnë se si edhe brenda institucionit është i bullizuar. Tjetër realitet shfaqin kujdestarët kur janë në sy të publikut e tjetër kur janë të mbyllur me “të sëmurët”.

Image
Historia e Johnit (Shkëlqim Islami) është një luftë për të dalë nga qendra e kujdesit mendor

“Pavarësisht që mendojmë se nuk ka bullizëm, ka. Regjisori ka vendosur që bashkë me ne ta inskenojë tekstin që ta rifreskojë pak temën e bullizmit. Për Johnin, autori e ka lënë të hapur idenë se a është me nevoja të veçanta apo jo”, ka thënë Islami.

Por brenda zymtësisë personazhi kryesor ka pak shpresë. Vajza që e takon aty brenda bëhet shkaktare që një ditë gjërat do të ndryshojnë.

“John përfundon si i vogël në një spital dhe aty mbetet. Ëndrra e tij është që ta dalë jashtë me Valerian që e ka takuar brenda dhe me i zbulu dhe urryer prindërit”, ka thënë Islami.

Në Kosovë ka pasur edhe raportime të mediave se si në qendra të kujdesit mendor keqtrajtohen të sëmurët. E “Mjekimi” e paraqet bash këtë qasje.

Aktori Sefedin Shabani mban rolin e antagonistit. Ai është një prej kujdestarëve terrorizues të pacientëve. Është personi që edhe i fsheh krejt të bëmat që ndodhin brenda.

“Është një shfaqje që e prek shoqërinë tonë. Shoqëria jonë i fsheh apo i kamuflon problemet. Flitet për një shtresë të shoqërisë që do trajtim special”, ka thënë ai pas shfaqjes. Për më shumë se një orë publiku gjendet përballë viktimave të shumëfishta e kujdestarëve racistë e joprofesionalë.

“Unë jam antagonist në këtë shfaqje. Përfaqësoj institucionet që u bëjnë dëm njerëzve. Jemi dy kahe: kur shihemi se si sillemi me ata njerëz dhe kur nuk shihemi”, ka thënë Shabani.

“Mjekimi” kërkon tejet energji, sidomos nga personazhi kryesor. Është prej atyre shfaqjeve që shpejt mund të dalë nga fokusi i publikut.

“Është një vlerë e shtuar e Festivalit. Një shfaqje e pranueshme, mirëpo me një rol brilant të realizuar nga Shkëlqim Islami. Mendoj se sikur shfaqja të ishte teknikisht nga ana vokale më subtile, do të ishte një ndër shfaqjet më të mira”, ka thënë regjisori e profesori universitar, Agim Selimi.

Ka thënë se shpreson që Shkëlqim Islami është një nga konkurrentët kryesor për Çmimin e aktorit më të mirë. Por atë, të premten mbrëma, e ka marrë Arben Bajraktaraj nga “The Handke Project”.

“Për këtë besoj që kjo shfaqje vlen dhe publiku ka pasur nderin ta shohë një shfaqje të tillë”, ka thënë Selimi.

Përgjatë javës, publiku është përballur me inskenime të shumta, shumica produksione vendore. Por “Mjekimi” ka prekur një prej kategorive më të ndjeshme, atë të njerëzve që nuk mund ta gjejnë as paqe me të tjerët. Qëllimi është që të dërgohen mesazhe kundër urrejtjes e bullizmit, si një prej problemeve të shoqërive moderne.