Një projekt i madh hulumtimi për njërën prej pikturave më të njohura dhe tërheqëse në botë ka zbardhur sekretet e radhës, por pyetja më nxitëse mbetet: kush ishte vajza me vath perle? Studiuesit në galerinë “Mauritshuis” në Hagë kanë nxjerrë rezultatet e hulumtimit të zgjeruar për pikturën e njohur të Johannes Vermeerit, “Vajza me vath perle”, që mendohet të jetë realizuar gjatë vitit 1665.
Studiuesit e Holandës ishin të habitur kur hetuan, për herë të parë, qerpikë delikatë në fytyrën e vajzës dhe dëshmi të një perdeje jeshile prapa kokës. Ata gjithashtu kanë të dhëna të reja se si Vermeer e pikturoi veprën, çfarë ndryshimesh bëri dhe cilat pigmente përdori, duke përfshirë edhe zbulimin se e bardha për vath kishte origjinën nga Anglia, nga qarku Peak.
Por, misteri më i madh vazhdon dhe kjo është një gjë e mirë, ka thënë Abbie Vandivere, drejtuesja e projektit hulumtues “Vajza në qendër të vëmendjes”. "Ne ishim në gjendje të zbulonim aq shumë rreth materialeve dhe teknikave të Vermeerit, por ende nuk dimë saktësisht se kush është vajza", ka thënë ajo.
“Është mirë që disa mistere të mbesin dhe të gjithë mund të spekulojnë rreth saj. Kjo u lejon njerëzve interpretimin e tyre personal për vajzën; të gjithë përjetojnë një lidhje të tyre me mënyrën se si ajo ju vështron në sy. Fakti që ajo është ende një mister i bën njerëzit që të kthehen dhe e mban atë emocionuese e të freskët”.
Vandivere ka thënë se dy zbulimet me të mëdha kanë qenë gjetja e qerpikëve të vajzës dhe dëshmitë që Varmeer kishte pikturuar një perde të gjelbër, e cila gradualisht ishte zbehur, në vend të një prapavije të zezë. Dijetarët kanë spekuluar më parë se mungesa e qerpikëve të vajzës mund të jetë sepse Vermeer po pikturonte një fytyrë të idealizuar ose abstrakte. Një argument i ngjashëm u bë për një hapësirë pa formë prapa saj.
Edhe
Vizionarja e artit që la gjurmën e saj me gjak, pendë e barut
Të dy zbulimet “e vendosin vajzën në një hapësirë të caktuar dhe na afrojnë më shumë më të”, ka thënë Vandivere. Ata sugjerojnë që Vermeer po vëzhgonte me besnikëri dhe po pikturonte një person të vërtetë në një hapësirë reale. Spekulimi se kush ishte vajza me shprehjen e saj enigmatike, sytë e gjerë, shaminë e kaltër e të pazakontë dhe vathin me perla, mbetet pjesë e argëtimit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.