Serbia s’ka bërë asnjë hap për ta ndryshuar qasjen ndaj Kosovës e një gjë e tillë sa vjen e konfirmohet përvitshëm, qoftë edhe me një festival ngjarjesh kulturore. Dikur protesta, ku haptazi bëheshin thirrje për vrasje shqiptarësh, tash radikalët serbë kanë ndryshuar strategjinë – alarmojnë me bomba. Ceremonia e “Mirëdita, dobar dan!” është prerë në gjysmë pas një alarmi të tillë që, sipas organizatorëve, do të duhej të ishte në fakt alarm për shoqërinë serbe dhe jo vetëm. Në Serbi e në vende të rajonit – përfshirë edhe Kosovën – tash e një kohë vijnë alarme të tilla, por këto të dy ditëve të fundit “shënjestërojnë” festivalin
“Shumëçka ka ndodhur për këta nëntë vjet në botë, por pak kanë ndryshuar raporti dhe qëndrimet e politikanëve në Serbi…”, ka qenë duke thënë Kushtrim Koliqi përderisa fjalimi i është ndërprerë nga një ndërhyrje që sikur ka vërtetuar fjalinë e tij. Organizatorët e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” midis ceremonisë hapëse në mbrëmjen e së enjtes, publikut i janë drejtuar me urdhrin që ka arritur nga Policia: Hapësirat e Qendrës për Dekontaminim Kulturor duhet të zbrazen pasi ka alarm për bombë.
Situata ka bërë që ceremonia e hapjes së edicionit të nëntë të festivalit të ndërpritet. Pas pak minutash hapësira është kontrolluar nga një njësit për çminim i përbërë nga dy policë dhe një qen. Pas nja 25 minutave është konfirmuar se alarmi ishte i rrejshëm.
Radikalët serbë “në ndërrim strategjie”
Pas pak minutash hapësira është kontrolluar nga një njësit për çminim. Pas nja 25 minutave është konfirmuar se alarmi ishte i rremë.
KOHA ka marrë vesh që njoftimi për bombë ka ardhur nga e njëjta adresë elektronike prej nga është lëshuar një tjetër njoftim për bombë të mërkurën mbrëma pas hapjes së ekspozitës “Gjithë lotët tanë” në “NGO Hub”. Edhe ai doli të jetë alarm i rremë sikurse disa alarme të tjera që janë dhënë kohëve të fundit jo veç në Serbi, por edhe në disa shtete të Ballkanit.
“Radikalët që protestonin edicioneve të kaluara kanë ndërruar strategjinë. Po japin alarme për bomba”, ka thënë duke ironizuar një prej organizatorëve të Festivalit.
Viteve të kaluara e sidomos në vitin 2018 radikalët serbë organizonin protesta pranë Qendrës për Dekontaminim Kulturor duke kundërshtuar që arti shqiptar të shpërfaqet në Beograd. Më 2018 protestave u kishte prirë vetë lideri radikal Vojslav Sheshel.
për dallim prej këtij edicioni, politikania Milica Gjurgjeviq-Stamrtnovski ishte gjithnjë një prej lidereve të protestave. Sivjet pesë veta kanë kundërshtuar festivalin. Janë vetëquajtur “Radikalët nga Prishtina”. Njëri prej tyre ka protestuar me “flamur”, me e hartën e kufijve të Kosovës, të krijuar prej flamurit serb. “Nema predaje” (S’ka dorëzim) është shkruar me shkronja cirilike të zeza. “Kameramani” i këtij grupi fanellën e ka pasur me shkronjën “Z” të shndërruar në simbolin rus të pushtimit të Ukrainës. “Z” të tilla janë parë në veri të Kosovës.
Kjo protestë e vogël është mbajtur edhe gjatë kontrollimit të hapësirës për bombë.
Fiona Jeliqi, në emër të Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, në hapje të ceremonisë ka thënë se tashmë bota nuk është ndryshe pasi Ukraina përballet me luftë.
“Invazioni rus në Ukrainë dhe fakti që Evropa po përballet me luftë shkatërron të gjitha iluzionet se një gjë e tillë është e pamundur”, ka thënë ajo. Sipas saj, situata i detyron të gjithë të solidarizohen e po ashtu i detyron të gjithë të punojnë për paqe.
“Përderisa politikanët tanë po punojnë për të forcuar ushtritë, ne duhet ta shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të flasim”, ka thënë ajo.
Për ekspozitën e hapur të mërkurën ka thënë se aty është pika zero ku duhet të nisin njohja dhe pajtimi me njëri-tjetrin. Në ekspozitë shpërfaqen dëmet e luftës në Kosovë dhe Serbi, prej të mbijetuarve të luftës e deri te dëmet në infrastrukturë.
Mesazhi për njohje dhe pranim të së kaluarës
Regjisori Kushtrim Koliqi, i cili udhëheq organizatën “Integra”, bashkorganizatore e Festivalit, ka thënë se qysh në vitin 2014 e kishin nisur këtë rrugëtim me qëllim të krijimit të lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media e shoqëri civile duke diskutuar për tema që ndryshe nuk diskutoheshin e duke promovuar kulturën si një mënyrë bashkëpunimi dhe të mësuarit për njëri-tjetrin.
“Sot, në edicionin e nëntë të festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’, me qëllimin e njëjtë vazhdojmë të punojmë në të njëjtin drejtim, në një situatë politike jo shumë ndryshe nga ajo në të cilën kishim filluar dhe duke u përballur me sfida të shkaktuara nga po kjo politikë”, ka thënë Koliqi. Sipas tij, shumëçka ka ndodhur për këta 9 vjet në botë, por pak kanë ndryshuar raporti dhe qëndrimet e politikanëve në Serbi e Kosovë, kështu, duke pamundësuar zgjidhjen e shumë problemeve e çështjeve të trashëguara nga lufta.
“Për këto arsye konsiderojmë që organizimi i parvjetshëm i këtij festivali është gjithnjë e më i rëndësishëm në rikujtimin e asaj që njerëzit në të vërtetë duan njohje e pranim të së kaluarës e vuajtjeve të viktimave për të siguruar paqe e bashkëjetesë ndëretnike në rajon”, ka thënë Koliqi. Sipas tij, në këtë edicion, ngjashëm me vitet e kaluara, fokusi i programit të debateve si dhe i programit kulturor është trajtimi i së kaluarës, ofrimi i perspektivave të viktimave dhe vendosja e tyre në qendër.
Thirrja e përbashkët për paqe
Në këtë edicion të Festivalit organizatorët u kanë ndarë mirënjohje Lush Krasniqit dhe Marinko Gjuriqit.
Krasniqi është i mbijetuar i masakrës së Mejës, ku në prill të vitit 1999 mbi 370 shqiptarë, midis tyre gra e fëmijë, të gjithë civilë, ishin vrarë nga forcat policore e ushtarake të Serbisë. Është njëra prej masakrave më të mëdha rreth 400 të tillave në Kosovë.
“Sonte na thanë se ka alarm për bombë. Bombat nuk kanë sjellë asgjë të mirë as në vitet ‘90”, ka thënë njeriu që përjetoi tmerrin në fushat e Mejës.
E Marinko Gjuriq është serb nga Istogu, babai i të cilit është vrarë në luftë. Edhe ai ka bërë thirrje për paqe.
“Duhet të bashkohemi, të përballemi me të kaluarën dhe të punojmë për paqe”, ka thënë ai.
Pas ceremonisë hapëse, të cilën alarmi për bombë e ka ndarë në dy pjesë, është dhënë shfaqja “Stifler”, nën regji të Kushtrim Koliqit, ku luajnë Rebeka Qena, Adrian Morina e Armend Ismajli. Shfaqja nxjerr në pah përbuzjen që i bëhet një punëtoreje seksi.
Në ditën e fundit të Festivalit, në Arkivin e Filmit Jugosllav do të ndizen projektorët për filmin “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit. Filmi, që nxjerr në pah historinë e Fahrije Hotit, e cila mbeti e ve shkaku i pushtetit serb, fitoi tri çmime kryesore në festivalin “Sundance” dhe u përzgjodh në listën e ngushtë për “Oscar” si filmi kandidat i Kosovës për kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar të metrazhit të gjatë. Është prej filmave kosovarë që është dhënë anembanë botës dhe ka shënuar suksese të larta. Pasojat që ka lënë regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë bashkë me paragjykimet lokale për një grua, e cila shndërrohet në frymëzim për krejt gratë e Kosovës do të shpërfaqen edhe në shtetin që prodhoi drama njerëzore si ajo e Fahrije Hotit, që portretizohet nga Yllka Gashi.
Fokusi kryesor i programit të debatit të Festivalit në këtë edicion do të jetë qasja e shoqërive të Kosovës dhe Serbisë ndaj luftës që po vazhdon të ndodhë në Ukrainë, si dhe kujtesa kolektive dhe dokumentimi i përvojave të të burgosurve politikë të Goli Otokut, një burg ishullor i kohës jugosllave. Në kuadër të këtij programi do të promovohet vepra “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”. Pas promovimit të librit do të zhvillohet diskutimi “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”. Sa u përket debateve do të zhvillohet edhe ai me temën “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”. Një ngjarje tjetër që do të jetë pjesë e edicionit të këtij viti të festivalit është koncerti i këngëtarit të njohur kosovar Shpat Deda, i cili do të mbahet më 27 maj në qendrën kulturore hebraike “Oneg Shabat”. Përderisa organizatorët thërrasin për solidarizim me Ukrainën, ata flasin edhe për shtetin serb që ende nuk e pranon atë që ka bërë në Kosovë. Serbia nuk e përkrah festivalin përderisa Kosova tradicionalisht vepron ndryshe. Bile Serbia kësaj radhe i ka pritur artistët e Kosovës me alarme për bomba.
Grupi prej nja pesë vetash i vetëquajtur “Radikalët nga Prishtina” ka protestuar kundër festivalit. Për njërin prej organizatorëve të festivalit, radikalët tashmë kanë ndërruar strategjinë duke i zëvendësuar protestat me alarme për bomba