Kulturë

Ministria refuzon projektin e fotografit Reka, aktivizohen bashkëpunëtorët

Foto: Koha

Shaban Maxharraj

Fotografi Hazir Reka nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga realizimi i një ekspozite që shpërfaq Kosovën ndër vite. Pavarësisht që Ministria e Kulturës nuk e ka përkrahur njërin prej fotoreporterëve më të njohur në Kosovë, ai ka gjetur mbështetje nga organizata e individë të ndryshëm.

Reagimi i tij ironizues duke falënderuar MKRS-në që në konkursin e sivjetshëm për projekte kulturore nuk i bëri vend në listën e përfituesve, ka gjetur përkrahje të madhe, shkruan sot “Koha Ditore”. Në rrjete sociale, është kritikuar Ministria e Kulturës që midis 427 projekteve që ka përkrahur, nuk përfshiu edhe projektin e Rekës për ekspozitë.

Reka që për një kohë të gjatë ishte fotoreporter i agjencisë prestigjioze të lajmeve “Reuters”, përfshirë periudhën e luftës, planifikon të hapë një ekspozitë që tregon një kronologji të ngjarjeve në Kosovë qysh nga vitet ’90 e deri në ditët sotme. Qëllimi i tij ishte që të realizohej sivjet meqenëse është edhe 20-vjetori i çlirimit të shtetit më të ri në Evropë.

“Do të bëhej një kronologji e ngjarjeve nga vitet ’90 e deri më tash. Ka mundësi që mospërkrahja nuk është bërë qëllimshëm, por konkurrenca ishte e madhe”, ka thënë ai. Sipas Rekës, menjëherë pasi ka reaguar publikisht, pasi nuk e kishte parë emrin e tij në listën e publikuar të mërkurën pasdite, kolegët e tij përfshirë edhe ata nga festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” e kanë thirrur për t’i ofruar ndihmë.

Sipas tij, ekspozita do të realizohet. Planifikon që ajo të hapet në Prishtinë ose në Ferizaj e më pas të shëtisë edhe nëpër qytete të tjera. Reka kishte kërkuar nga Ministria e Kulturës 5 mijë euro ndihmë financiare për të realizuar këtë projekt.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)