Ministria e Kulturës ka ndërruar mendjen në raport me rezultatet e vlerësimit të projekteve kulturore dhe atyre në trashëgimi kulturore. Pasi kishe paralajmëruar shpalljen e rezultateve për javën e kaluar, tash ka vendosur që t’i kthehet edhe një herë prej fillimit vlerësimit të projekteve. Me këtë veprim MKRS-ja është në rrugë për t’ia thyer rekordin vetes sa u përket vonesave. Ka kaluar gati muaji i shtatë i vitit dhe ende institucioni nuk ka ndarë mjetet për skenën e pavarur kulturore.
Për një avari të brendshme në raport me projektet e skenës së pavarur kulturore, KOHA kishte raportuar qysh në pjesën e parë të këtij muaji. Bile, pikërisht në përgjigje për KOHËN, MKRS-ja më 5 korrik kishte bërë të ditur se: “Procesi i projekteve që kanë aplikuar për mbështetje financiare në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore ndodhet në fazën përfundimtare dhe rezultatet pritet të dalin në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër”.
Por, pasditen e së hënës institucioni më i lartë kulturor ka përmbysur situatën.
“Duke u bazuar në vështirësitë teknike që janë paraqitur në raport me sistemin digjital të aplikimit dhe duke synuar arritjen e rezultateve të pranueshme për komunitetin, por edhe për politikat publike në fushën e kulturës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur të bëjë rivlerësimin e të gjitha aplikimeve nga thirrja publike për subvencionim”, shkruhet në njoftimin e bërë publik në Facebook. Institucioni nuk ka dhënë arsye konkrete të vendimit për të kthyer në rivlerësim projektet.
Në njoftim shkruhet se Ministria ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e nevojshme që rivlerësimi të kryhet brenda një afati të shkurtër. Aty bëhet e ditur se do të ketë një thirrje të re.
Një numër festivalesh tradicionale veç i kanë përfunduar edicionet e sivjetme pa e ditur se sa do të jetë përkrahja e MKRS-së. Një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në vend, festivali ndërkombëtar i animacionit “Anibar”, do të përfundojë këtë javë.
Vonesat kanë filluar qysh me hapje të thirrjes. MKRS-ja nuk ia ka dalë që të publikojë “Thirrjen për projekt-propozimet kulturore për 2022 art dhe trashëgimi kulturore” deri në fillim të prillit. Arsyetimi ka qenë ridizajnimi i thirrjes.
Skema e re e MKRS-së ka pesë kategori dhe mundësia e aplikimit është online nëpërmjet platformës “e-Kosova”. Por, telashet për të aplikuar nuk kanë qenë të vogla. Publikisht një numër bartësish të projekteve janë ankuar se ka qenë e vështirë të plotësohen e të ngarkohen formularët me informatat e kërkuara.
KOHA kishte marrë vesh se thirrja e re nuk do të vonohet pasi me të parën nuk kanë shkuar gjërat si duhet.
“Kriteret që janë bërë pas ridizajnimit të thirrjes kanë bërë që të mos ketë mundësi të përkrahen disa prej ngjarjeve kryesore në vend. Komisionet e kanë kryer punën e tyre, por lista ka mbetur e papublikuar shkaku i frikës për reagime”, kishte thënë një burim i mirinformuar brenda Ministrisë së Kulturës. Sipas këtij burimi, kabineti i ministrit të Kulturës do të hapë thirrje të re menjëherë pas publikimit të vlerësimeve, pasi me thirrjen e parë “ka krijuar një avari jo të vogël”. Sipas Rregullores nëpërmjet së cilës është hapur thirrja, afati i vlerësimit të projekteve nga komisionet është 15 ditë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, janë 181 organizata që kanë kërkuar mbështetje për projektet e tyre. Po ashtu, janë edhe 181 projekte individësh.