Shfuqizimi i krejt legjislacionit aktual dhe hartimi i një ligji të ri të kulturës, zëvendësimi i ligjit aktual të kinematografisë, rregullimi ligjor i sektorit muzeal dhe strategjia kombëtare për zhvillimin e kulturës janë objektivat e institucionit më të lartë kulturor në vend. Por MKRS-ja nuk ka ndonjë afat se kur do të arrihen këto. Bile, planet i kanë ndërruar brenda vitit. Përderisa, sipas Pakos legjislative të këtij viti, MKRS-ja është dashur që deri në fund të qershorit ta dorëzojë në Qeveri projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit pёr kinematografinë, këtij institucioni javën e kaluar i është dhënë drita jeshile për ta nisur ndryshimin e Ligjit
Ministria e Kulturës është duke e çuar përpara reformën ligjore që synon organizim të ri administrativ në raport me institucionet kulture dhe mbështetjen për skenën e pavarur. Shfuqizimi i krejt legjislacionit aktual dhe hartimi i një ligji të ri të kulturës, zëvendësimi i Ligjit aktual të kinematografisë, rregullimi ligjor i sektorit muzeal dhe strategjia kombëtare për zhvillimin e kulturës janë objektivat e institucionit më të lartë kulturor në vend. Por MKRS-ja nuk ka ndonjë afat se kur do të arrihen këto. Bile, planet i kanë ndërruar brenda vitit. Përderisa, sipas Pakos legjislative të këtij viti, MKRS-ja është dashur që deri në fund të qershorit ta dorëzojë në Qeveri, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kinematografinë, këtij institucioni javën e kaluar i është dhënë drita jeshile për ta nisur ndryshimin e Ligjit.
Të mërkurën e javës së kaluar, Qeveria ka miratuar koncept-dokumentin për art dhe kulturë. Sipas ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, miratimi është bërë pas një procesi një-vjeçar të diskutimeve me komunitetin, hulumtimeve dhe analizave.
“Me vendimin e sotëm hapet rrugë për Ligjin e ri të Kulturës, Ligjin e ri të Kinematografisë, rregullimin ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës”, ka thënë Çeku në ditën e miratimit të koncept-dokumentit.
Sipas tij, ky moment i rëndësishëm është rezultat i punës së madhe të stafit civil dhe kabinetit politik të Ministrisë së Kulturës, zyrtarëve të institucioneve publike të kulturës, zyrtarëve të ministrive të linjës dhe të Zyrës së Kryeministrit, pjesëtarëve të komunitetit artistik e organizatave të skenës së pavarur, konsulentëve vendorë dhe nga jashtë.
“Hapat e ardhshëm të reformës më të madhe kulturore në vend do të bazohen në këtë dokument, i cili do të jetë udhërrëfyes yni shtetëror për çdo lloj mase që duhet të ndërmarrim për t'i ngritur më tutje të gjitha kapacitetet kreative në vend”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, legjislacioni në fuqi që rregullon fushën e kulturës është tejet kufizues dhe në masë të madhe nuk u përgjigjet nevojave aktuale të sektorit. Ka shkruar se reforma në kulturë synon zvogëlimin e burokracisë, nxitjen e krijimtarisë cilësore, “mbrojtjen dhe fuqizimin e artistit, diversifikimin e burimeve të financimit, edukimin artistik të fëmijëve dhe të rinjve dhe zhvillimin e audiencave në mënyrë që si rezultat i të gjitha këtyre kultura të ketë ndikim më të madh në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë”.
Por, prej së enjtes MKRS-ja nuk ka kthyer përgjigje se cilat janë afatet kur planifikon të dorëzojë për miratim në Qeveri ligjin e ri të kulturës, atë të kinematografisë, dhe strategjinë kombëtare për zhvillimin e kulturës.
Atë që e ka proklamuar ministri aktual i Kulturës, Hajrulla Çeku, ia ka “paketuar” një grup punues që ka hartuar koncept-dokumentin për art dhe kulturë. Dokumenti rrumbullakon analizën e gjendjes aktuale bashkë me propozimet se si të veprohet me të ardhmen. Propozohet shfuqizimi i gjashtë ligjeve aktuale dhe një numri të madh aktesh nënligjore. Është propozuar që vetëm me dy ligje të rregullohet fusha e artit dhe e kulturës.
Sipas këtij dokumenti, ndërhyrjet me masa të kombinuara, legjislative, të rishikimit të kornizës së politikave, si dhe të rritjes e fuqizimit të kapaciteteve administrative e profesionale është zgjidhja e duhur. Ky veprim do ta përmbyste rendin legjislativ që shteti e ka ndërtuar për dy dekada në raport me institucionet kulturore.
Grupi punues që në dokument nuk figurojnë emrat, por është paraqitur si draft i “përgatitur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka bërë edhe analizë të gjendjes aktuale.
Është evidentuar mungesë e politikës kulturore për menaxhim efikas dhe kualitativ të institucioneve dhe programeve artistike e kulturore bazuar në politikat nxitëse dhe rritje të buxhetit në bazë të rritjes së përqindjes së të hyrave vetjake nga ana e institucioneve të kulturës, e cila ka rezultuar në menaxhmente joefikase.
Drafti i koncept-dokumentit për kulturë ofron tri opsione për veprim: Ai për asnjë ndryshim; Opsioni i përmirësimit të zbatimit të kornizës rregullatore ekzistuese dhe opsioni i ndërhyrjeve me masa të kombinuara, legjislative, të rishikimit të kornizës së politikave, si dhe të rritjes e fuqizimit të kapaciteteve administrative e profesionale. I treti edhe është rekomanduar.
Sipas draftit, në kuadër të opsionit të tretë është analizuar ndërhyrja rregullatore me masa të kombinuara. Janë propozuar masa legjislative, rishikimi i kornizës së politikave publike, hartimi i Strategjisë Kombëtare të Kulturës dhe rritja dhe fuqizimi i kapaciteteve administrative e profesionale për sektorin publik të kulturës.
Sipas propozimit, ndërhyrjet përmes masave legjislative mundësojnë reformimin e legjislacionit aktual kulturor dhe shfuqizimin e legjislacionit aktual për art dhe kulturë pasi vlerësohet se nuk mund të zbatohet në praktikë.
“Do të arrihej që të hartoheshin dispozita që aktualisht mungojnë në legjislacionin sektorial, por që janë kërkesa nga legjislacioni i përgjithshëm i administratës shtetërore; Përmes ndërhyrjeve ligjore arrihet definimi ligjor i statusit të institucionit (niveli strukturor i institucioneve publike, njësi e shërbimit publik apo institucion i shërbimit publik)”, shkruhet midis të tjerash.
“Më konkretisht, masat legjislative të propozuara synojnë që të arrijnë qëllimet si në vijim: Hartimi i një ligji të ri për artin dhe kulturës në të cilin do të përfshiheshin edhe organizimi, funksionimi dhe veprimtaria e muzeve, veprimtaria botuese dhe libri, teatrot, artet pamore, veprimtaria e Filharmonisë, Operës, Baletit dhe e ansambleve, diplomacia kulturore, industria kreative...”, shkruhet në këtë dokument. Në këtë rast, përfshihet edhe përcaktimi i statusit të artistit të pavarur, e deri te themelimi i institucioneve lokale të kulturës dhe të artit, duke përfshirë edhe muzetë i bazuar mbi kritere që kushtëzojnë rritje të përkrahjes buxhetore nga komunat gjatë hartimit të projeksioneve buxhetore.
Grupi ka propozuar që me këtë ligj të bëhej shfuqizimi i ligjeve që ndërlidhen me kulturën si Ligji për institucionet e kulturës, Ligji për teatrot, Ligji për kinematografinë, Ligji për librin dhe veprimtarinë botuese, Ligji për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ligji për bibliotekat.
Grupi ka propozuar hartimin e një ligji të veçantë që ka për qëllim rregullimin e fushës së kinematografisë në të cilin do të trajtohen zhvillimet e reja në industrinë e filmit dhe të kinematografisë, si dhe do të krijohej baza ligjore e qëndrueshme për fondin e filmit, si dhe do të trajtohej çështja e trashëgimisë kinematografike.
Në dokument janë dhënë rekomandime edhe për hapat e ardhshëm që duhet ndërmarrë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe sportit.
“Objektivat e përcaktuara me këtë koncept-dokument kërkojnë aprovim nga Qeveria e Republikës së Kosovës për kërkesat e DK/MKRS që lidhen me rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve administrative e profesionale sikurse janë elaboruar e kostuar në kuadër të këtij koncept-dokumenti”, shkruhet në draft. Aty shkruhet se pas miratimit të këtij koncept-dokumenti, do të formohen grupet punuese për hartimin e projektligjeve që do të zhvillohen gjatë vitit 2022 dhe pritet të miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës në fund të po të njëjtit vit.