“Shërbimet e prodhimit të spoteve televizive dhe dokumentarëve për nevojat e MKRS-së dhe institucioneve vartëse”, është titulli i kontratës që ka nënshkruar Ministria e Kulturës me dy kompani që kanë ofertuar si grup. Vlera totale e kontratës kornizë është 1.5 milion euro dhe është në fuqi deri më 23 dhjetor të vitit 2027, nëse kjo shumë nuk shpenzohet deri atëherë. Në kontratë figurojnë gjithsej 140 shërbime: prej video-spoteve, kronikave për ngjarje, materialeve të përgatitura për rrjete sociale, zërim, skena për aktivitete, mirëmbajtje të rrjeteve sociale e deri te fanellat, lapsat, kravatat, shallet, dizajni, shtypi, transporti i materialeve, lyerja e mureve e konstruksionet e knaufit. Kontrata si kjo është kapitulli i radhës i asaj që konsiderohet centralizim i shërbimeve të institucioneve nën varësi të MKRS-së
Nëse Teatrit Kombëtar të Kosovës për një shfaqje të caktuar i duhen katër karrige, stafi artistik vendos se si duhet të duken. Identifikohet vendi ku mund t’i blejë dhe nis një procedurë kësisoj: i merret fatura shitësit, i dërgohet një kompanie të kontraktuar nga Ministria e Kulturës për ta bërë pagesën dhe merren produktet e nevojshme për institucionin. Mandej kompania kontraktuese kusuritet me Ministrinë e Kulturës. Kësisoj veprohet për furnizimet e shërbimet e të gjitha institucioneve të kulturës duke imponuar centralizim të skajshëm.
Për ta vazhduar këtë formë, MKRS-ja në dhjetor ka kontraktuar një konsorcium nëpërmjet një kontrate-kornizë që kufi e ka shumën prej 1.5 milion eurosh. Për ata që kanë drejtuar institucione të kulturës, ky është centralizim i plotë, mundësi keqpërdorimi e edhe pengesë e madhe në planin artistik të institucioneve.
Në ditën e 24-t të dhjetorit, Ministria e Kulturës ka nënshkruar kontratën me titull “Shërbimet e prodhimit të spoteve televizive dhe dokumentarëve për nevojat e MKRS-së dhe institucioneve vartëse” me dy kompani që kanë ofertuar si grup: “Blendi O.P.” dhe “AMC Corporation Sh.P.K.”. Vlera totale e kontratës kornizë është 1.5 milion euro dhe është në fuqi deri më 23 dhjetor të vitit 2027, nëse 1.5 milion eurot nuk shpenzohen deri atëherë. Ky grup kompanish ka pasur kontrata të ngjashme edhe më herët me MKRS-në.
Kontratë për 140 shërbime dhe adresa për krejt institucionet e kulturës
Në kontratë figurojnë gjithsej 140 shërbime. Prej video-spoteve, kronikave për ngjarje, materialeve të përgatitura për rrjete sociale, zërim, skena për aktivitete, mirëmbajtje të rrjeteve sociale e deri te fanellat, lapsat, kravatat, shallet, dizajni, shtypi, transporti materialeve, lyerja e mureve e konstruksionet e knaufit. Videot promovuese të punës së Ministrisë së Kulturës në krye me ministrin Hajrulla Çeku hyjnë në këtë kontratë. Institucionet e kulturës tejet rrallë realizojnë video promovuese të aktiviteteve e përmbajtjeve të tyre.
KOHA para më shumë se një jave i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Kulturës se përse duhen spote televizive, për çfarë arsye MKRS-ja duhet të paguajë për mirëmbajtje të faqeve në rrjete sociale e përse MKRS-ja duhet të lidhë kontratë me një grup operatorësh ekonomikë, duke i centralizuar krejt shërbimet për institucionet vartëse.
Por Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur. Konsorciumi i kontraktuar është adresë për krejt institucionet vartëse të kulturës. Është njëfarë zyre e pagesave të shërbimeve edhe për ato që nuk i ofron direkt. KOHA ka marrë vesh në MKRS, se në mungesë të asaj që institucionet të zhvillojnë vetë procedura të prokurimit, veprohet kësisoj.
“Sikur institucionet t’i kishim të pavarura, do të kishin nga një zyrtar të prokurimit, i cili me pagë do të kushtonte rreth 7 mijë euro në vit dhe do të merreshin vetë me këto punë e jo ne të angazhojmë kompani për t’ua kryer krejt shërbimet”, ka thënë një zyrtar i lartë i MKRS-së.
Decentralizmi është temë e vjetër në Ministrinë e Kulturës por vazhdimisht është punuar për centralizim.
Centralizimi dhe instrumentalizimi
Agim Sopi për një mandat ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sipas tij, shfuqizimi i ligjeve të veçanta të institucioneve me anë të Ligjit për artin e kulturën që është miratuar në dhjetor të vitit 2023 i ka ndihmuar logjikës së centralizimit.
“Me eliminimin e ligjeve të institucioneve, tash institucionet ekzistojnë veç si formë e jo si përmbajtje. Teatri është institucion i pavarur kulturor kudo në botë. Institucionet e kulturës tash janë instrumentalizuar për t’u përdorur për interesa politike e ekonomike”, ka thënë Sopi. Sipas tij, me anë të Ligjit për teatro, TKK-ja ka pasur kod të veçantë buxhetor. Edhe me Ligjin për artin dhe kulturën, institucionet kanë kode buxhetore. Por në praktikë s’kanë pavarësi financiare.
“Kur institucioni s’ka konto të veten e s’ka kurrfarë përgjegjësie në raport me komunitetin, por me atë që është nën varësi, kjo është e papranueshme në botën demokratike. Teatri është themeluar nga Kuvendi si institucion i pavarur e mandej implikimi i MKRS-së për ta kapur Teatrin ka qenë i kundërligjshëm”, ka thënë ai. Sipas tij, me anë të kontratave të tilla kontrollohen të gjitha institucionet dhe bëhet fjalë për logjikë të tenderave ku mundësia e keqpërdorimeve është jo e vogël.
“Teatri në kohën e autonomisë ka pasur kod të vetin buxhetor dhe për këtë kemi luftuar edhe pas luftës”, ka thënë regjisori Sopi.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se nuk i di nevojat e MKRS-së për shërbime të kësaj natyre, “megjithatë, nëse me këtë kontratë ata kanë përfshirë edhe institucionet e kulturës (institucionet vartëse, siç kanë dëshirë t’i quajnë), atëherë mendoj që kjo është problematike për së paku dy aspekte dhe këtë e ka dëshmuar praktika e deritanishme”.
“Para së gjithash, sepse është kontratë kufizuese, për shembull, për teatrot, lista e nevojave të të cilëve është shumëfish më e gjerë sesa kjo e shërbimeve që ofron furnitori i kontraktuar. Teatrot shpesh e kanë të pamundur ta blejnë një rekuizitë të thjeshtë, ta zëmë, një karrige të vjetër në pazar, ose 2 palë ski, ose gjëra të kësaj natyre. Dhe kjo është ana praktike kufizuese e kësaj kontrate”, ka thënë ai. Sipas tij, ana tjetër është artistike, sepse i obligon institucionet të punojnë, ta zëmë, jo me dizajnerë që ata preferojnë, por janë të detyruar të angazhojnë dizajnerë përmes furnitorit.
“Njëjtë edhe për shtypin. Dhe kjo po, cenon punën e tyre artistike. Aspekt tjetër problematik, po aq i rëndësishëm, është edhe fakti që, kontrata si kjo, nuk shkon në drejtim të pavarësimit të institucioneve – siç proklamohet me vite të tëra – por në anën e kundërt, pra, në anën e centralizimit dhe i lidh edhe më shumë me kërthizën e MKRS-së”, ka thënë Neziraj.
“Organizojmë projekte dhe realizojmë skena prej më të mëdhave në Kosovë”
Lista e shërbimeve në këtë kontratë është prej më të ndryshmeve. Në institucionet e kulturës e edhe në Ministrinë e Kulturës vazhdimisht flitet se “pa një kontratë të tillë asgjë nuk funksionon”. Nëpërmjet kontratave të tilla, ka ndodhur që të paguhen skenat e përgatitura për manifestime si përvjetorët e Pavarësisë.
KOHA e ka pyetur kompaninë “Blendi” se si ka mundësi që të ofrojnë shërbime prej shtypit, lapsave, videove, transportit e deri te shërbimi për lyerje muresh.
Në përgjigje me shkrim, kompania ka sqaruar se janë të angazhuar dhe të aftë për të ofruar shërbime të avancuara për spotet televizive dhe produkte të tjera të ngjashme, të cilat mbështeten nga eksperienca dhe ekspertiza e tyre në industri.
“Jemi në një konsorcium me një nga kompanitë më të mëdha të audio-incizimeve, që na mundëson të ofrojmë zgjidhje të cilësisë së lartë për prodhime televizive dhe projekte mediatike. Përveç kësaj, ne jemi lider në fushën e grafikës dhe kemi partneritete me profesionistë dhe bashkëpunëtorë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, që na mundësojnë të ofrojmë shërbime të përshtatura dhe të avancuara për çdo kërkesë të klientëve tanë”, shkruhet në përgjigje. Sipas tyre, kjo është e lehtë për t’u vërtetur si rezultat i shërbimeve, i kanë të listuara edhe në ARBK dhe janë kompani e licencuar me dhjetëra “ISO Standarde” të cilësisë.
“Kjo përvojë e gjerë dhe resurset që kemi në dispozicion na mundësojnë të realizojmë projekte të kompleksitetit të lartë dhe të japim rezultate të jashtëzakonshme. Tash e 4 vjet së bashku me partnerë organizojmë projekte dhe realizojmë skena prej më të mëdhave në Kosovë”, shkruhet në përgjigje. Sipas “Blendit”, në rastin e transportit të veprave të artit dhe aspektin e lyerjeve të mureve, kanë partnerë të jashtëm dhe kjo e mundëson realizimin profesional dhe sipas kërkesës nga ana e autoritetit kontraktues.
Kontrata 600 mijë euroshe e 2021-tës
Kontratat e tilla, saktësisht me këtë kompani datojnë prej vitit 2021. Kontrata e parë me titull “Shërbimet e prodhimit të spoteve televizive dhe dokumentarëve për nevojat e MKRS-së” me vlerë 600 mijë eurosh qe nënshkruar nga ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi më 22 shkurt të atij viti. Po atë ditë, qe nënshkruar edhe nga Shaip Rama, drejtor i kompanisë “Blendi”. Sipas kontratës, kompania do të mbulonte, prej koktejeve, dizajnit të skenave të ngjarjeve a katalogëve e deri te përkthimi e transporti vendor e ndërkombëtar i veprave të artit. Asokohe, KOHA kishte raportuar se përderisa një mysafir akomodohej me 40 e 50 euro në hotelet rreth qendrës e me 80 euro në ato më luksoze në qendër, sipas kontratës, akomodimi kushton 150 euro për person. Mjetet merreshin nga buxheti i institucioneve të kulturës, pasi MKRS-ja kishte vendosur kësisoj.
Menaxhmenti aktual i MKRS-së e ka vazhduar lidhjen e këtyre kontratave kornizë. Veç e ka rritur vlerën financiare të tyre përtej dyfishit. Tash rezervimi i hoteleve s’është më pjesë e këtyre marrëveshjeve.