Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ministri i Kulturës e veçon si sukses rritjen e buxhetit për kinematografi

Prishtinë, 5 mars – Si arritje e ka listuar hapjen e zyrave të Ministrisë së Kulturës në Prizren, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në raportimin e tij para anëtarëve të Komisionit parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini, sporte, inovacion dhe ndërmarrësi. Zyrat janë hapur në janar dhe sipas planifikimit vetëm një ditë të javës ministri Gashi do të qëndrojë në Prizren. Para deputetëve ai ka thënë se këtë vit ka rritje të buxhetit për të gjitha institucionet e kulturës, në veçanti për kinematografinë.

“Kosova për herë të parë është paraqitur me një film të financuar nga shteti në njërin prej festivaleve më të mëdha në botë, në ‘Berlinale’, me filmin ‘Në Mes’ të regjisorit prizrenas Samir Karahoda”, citohet të ketë thënë ai.

Në gusht të vitit të kaluar, ministri Gashi kumtoi se e Qendrës Kinematografike të Kosovës ia ka dyfishuar buxhetin dhe ai në tërësi arriti në 1,4 milionë euro. Në fillim të atij viti QKK-ja kishte 600 mijë euro në dispozicion për projekte filmike, e me rritjen kjo shumë qe dyfishuar. Rreth 1,4 milionë pritet të ketë ky institucion edhe sivjet përderisa as QKK-së e as institucioneve të tjera kulturore ende nuk është ndarë buxheti.

Sipas MKRS-së, sa i përket trashëgimisë kulturore, ministri Gashi ka thënë se mbrojtja, ruajta dhe promovimi i trashëgimisë kulturore vazhdojnë të jenë prioritete të Ministrisë.

“Programi i punës është i bazuar ne dokumentin Strategjia Kombëtare për Trashëgimi Kulturore 2017-2027 dhe prioritetet e dërguara në kuadër të Planit të punës së Qeverisë. Plani është i shtrirë në pesë objektiva dhe zbatohet nga të gjitha institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore”, citohet të ketë thënë ai.