Kur pyetjes se si do ta shtjellonte jetën e saj në film, ajo me buzëqeshje nxirrte përfundime: “Komedi sigurisht. Do të doja që situatat e mija të dhimbshme t’i bëja komedi. Krejt dhimbjen do ta bëja komedi. Besoj që gjithçka që ndodh në jetë, ndodh për një arsye”, do të thoshte Burbuqe Berisha. Besimi se gjërat nuk ndodhin rastësisht, por edhe vullneti për të ecur përpara pavarësisht sfidave, e kanë bërë që të mos ndalet kurrë. Deri në frymën e fundit
Në jetë do t’i binte hise që të bartte përgjegjësi të cilat nuk i kishte paraparë. Për artistët që në domenin e tyre u bie të merren me teatër e film, shpesh thuhet se edhe jetën e kishin dramë. Në këtë radhë, Burbuqe Berisha (Buqja) është në krye. Zor t’i ketë shkuar mendja se në moshë krejt të re do të humbiste nënën. Mbase, qe drama e parë që do ta përjetonte. E radhës ishte burgosja e të atit për arsye politike. E më pas kishte përjetuar edhe vdekjen e tij. Jeta do ta detyronte që në moshë të re të merrte mbi supe barrën e përgjegjëses së familjes. Duket sikur fati në njërën anë e këmbëngulja e saj, gjatë gjithë jetës, e kanë ngarkuar me hise të madhe përgjegjësie. Bile edhe me atë që të jetë gruaja e parë që diplomohet për regji në Universitetin e Prishtinës në drejtimin “Regji filmi dhe teatri” që ekzistonte në fund të shekullit të kaluar në kuadër të Fakultetit të Arteve.
Një tjetër kapitull
Letërsinë shqipe e deri diku atë botërore i kishte shfletuar si e re. Për këtë sebep ishte bërë edhe i ati që ishte albanolog. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Burbuqe Berisha kishte vendosur që të studionte orientalistikën.
“Doja ta njihja edhe letërsinë e Lindjes”, do të kujtonte ajo shumë vjet më vonë, më 2019. Përkushtimi i saj për të ecur përpara e kishte shtyrë që të ndërronte mendje. Ngacmimi nga filmi e teatri do t’ia merrte anën gjuhës e letërsisë së Lindjes. Burbuqe Berisha po ia mësynte një tjetër kapitulli: të bëhej regjisorja e diplomuar në regji filmi e teatri.
Këtë rast e ka përmendur edhe mikja e saj e regjisorja Zana Krasniqi.
“Ishte hera e parë që pashë një regjisore, e cila merrej me secilin aspekt të organizimit e mësimit. Para se të vinte Buqja në atë pozitë, regjia është konsideruar si punë e burrave”, ka kujtuar Hoxha ditët e para të studimeve. Ka thënë disa herë se Berisha i ka dashur shumë filmin dhe teatrin. Përtej kësaj, ajo do të bëhej inkurajuese e grave që të merren me regji.
“Gjithmonë ka thënë se duhet të ketë më shumë regjisore. E ka shtruar rrugën për shumë regjisore që janë aktive në teatër e film. Ishte promotore e madhe e grave”, ka thënë Hoxha në ditëvdekjen e Buqes, të mërkurën e 27 tetorit.
Lufta ndryshe
Berisha gjatë karrierës së saj ka bërë disa shfaqje teatrore, prej të cilave veçohen: “Një çaj me Hillaryn”, “Revolveri”, “Darka private” “Bryma e vdekjes” e “Bretkosat”. Te “Bryma…” në prill të vitit 2019 do të sillte para publikut të Teatrit Kombëtar të Kosovës – institucion të cilin Berisha e ka udhëhequr për katër vjet – kohën e luftës në Kosovë. Si e re e kryefamiljare i kishte shkuar mendja që të ikte në Maqedoni gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999. Por siç do të tregonte ajo, fatmirësisht nuk ia kishin dalë të iknin në ditën kur po e mendonin këtë. Me tekst të Milazim Krasniqit, “Bryma…” paraqet kampet shqiptare në Maqedoni. Shfaqja ec midis narracionit të turmës e lëndimit shpirtëror të njerëzve që asokohe ishin të pashpresë. Për Berishën, regjia shkonte përtej. “Një luftë ndryshe për të bartur mesazhin për ndryshime, një harmonizim konceptesh”, do të thoshte ajo. Shquhej edhe për shfaqje të tjera.
Jeta si film më vete
Sa i përket filmit, Berisha e cila vdiq në Ministrinë e Kulturës, mesditën e së mërkurës, shquhet për produksionet televizive: “Lexi në qytet”, “Ashensori”, “Suxhuk Open”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000”, “Diçka po zihet”, “Gratë” dhe “Çelësi”.
Nga filmat e saj dokumentarë bëjnë pjesë “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, “Të rritur në rrugë”, “Kinematë” e të tjerë. Te filmi i gjatë artistik “Një tregim Prishtine”, premiera e të cilit u dha më 2018, kishte zgjedhur që ta përballte publikun me historinë e një fëmije që bart sëmundje të rëndë e zor të shërueshme. Madje, shumë të kushtueshme financiarisht. Vetë Berisha kishte vite që përballej me një sëmundje të rëndë. Shpesh kolegëve u lajmërohej nga dializa.
“Jeta ime është bajagi njëfarë filmi në vete”, do të rrëfente ajo për KTV-në në një rrëfim personal në qershorin e 2019-s. Por assesi nuk ndalej.
Midis personazheve kryesore në filmin e saj është edhe aktorja Teuta Krasniqi. Të mërkurën ajo për KTV-në ka shpalosur kujtimet e saj për Berishën.
“E admiroja për përkushtimin. Nuk ndalej asnjëherë...”, ka rrëfyer Krasniqi. Përtej teatrit e filmit, ajo pos drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës ishte edhe anëtare e Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Po ashtu, ishte anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës e të ansamblit “Shota”. Në karrierën e saj ishte po ashtu menaxhere në Kino ABC dhe ka qenë pro-dekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB. Atje ishte edhe bashkëthemeluese e Degës së dramës.
“Krejt dhimbjen do ta bëja komedi”
Pavarësisht mundimeve që nuk i janë hequr kurrë nga supet, reflektonte pozitivitet e plot vullnet për punë.
“Fuqia ime ka qenë të mos e transmetoj dhimbjen. Dhimbja është pjesë e imja dhe mundohem të tregoj se gjithçka është në rregull dhe nuk ka ndodhur asgjë”, do të thoshte ajo. Kishte luftuar gjithë jetën. E jo rastësisht regjinë e shihte si luftë për ndryshim.
“Nuk e di si t’ia filloj të tregoj pasi unë herët në rininë time i kam humbur dy prindërit dhe krejt luftën e kam bërë që të arrij këtu ku jam”, rrëfente ajo. Dramat jetësore mund të kenë ndikuar që Berisha jo veç të bëhej e fortë, por edhe të merrej me art. Bile për raste të ngjashme, ka shkruar edhe pena e Ismail Kadaresë.
Në esenë e gjatë “Arti si mëkat”, pas vizitës që i kishte bërë ateliesë së piktorit Omer Kaleshi në Paris, Kadare i ka bërë analizë edhe prirjes për t’u bërë artist. Shkruan se ka dy fate artistësh. Sipas Kadaresë, janë ata që lindin dhe rriten në shtëpi ku arti është i pranishëm, me bibliotekë plot libra e ku pasdite nëna luan në piano e pasdarke bëhet muhabet për letërsinë. Flet edhe për ata që kanë një fat krejt tjetër.
“Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto. Në shtëpitë e tyre nuk është dëgjuar kurrë muzikë, s’është folur kurrë për pikturë dhe të vetmit dialogë dramatikë që janë dëgjuar kanë qenë grindjet e prindërve në ditët plot mërzi”, shkruan Kadare. Sipas tij, askush nuk mund ta dijë se cili mjedis e nxit më fuqishëm prirjen e artistit të vogël. Grindjet midis prindërve Berisha nuk i kishte përjetuar. Por, mërzinë që përmend shkrimtari më i njohur shqiptar ia kishte shkaktuar pikërisht mungesa e tyre. Një film në të cilin Berisha po punonte kohëve të fundit ka për bazë të burgosurit politikë. Zanafilla e frymëzimi ishin vuajtjet e të atit. Por, e pyetur se si do ta shtjellonte jetën e saj në film ajo me buzëqeshje nxirrte përfundime: “Komedi sigurisht. Do të doja që situatat e mija të dhimbshme t’i bëja komedi. Krejt dhimbjen do ta bëja komedi. Besoj që gjithçka që ndodh në jetë, ndodh për një arsye”. Besimi se gjërat nuk ndodhin rastësisht, por edhe vullneti për të ecur përpara pavarësisht sfidave e kanë bërë që të mos ndalet kurrë. Në takime që subjekt kishin regjinë edhe ka vdekur në Ministrinë e Kulturës. Ishte pjesë e atyre që bënë regjinë e koncertit inaugurues të Operës së Kosovës, institucionit që për herë të parë Kosova po mundohet ta ngrejë në këmbë. Nuk ishte rastësi pasi Berisha duhej të ishte aty ku ndodhin gjërat për herë të parë. Siç ishte edhe studentja e parë e më pas edhe regjisorja e parë e filmit dhe teatrit.