Anekdotat popullore, këngët e dasmave e studimi i personaliteteve historike do të bëheshin synim i tij. I lindur në vitin 1936 në Verboc të Drenasit, Mehmet Rukiqi vdiq të hënën. Vdekja e gjuhëtarit e mbledhësit të folklorit është parë si varfërim i kulturës
Përtej mësimdhënies, Mehmet Rukiqi i kishte vënë vetes edhe misionin e mbledhësit të krijimtarisë popullore. Përgjatë karrierës së tij nuk u ndal së dokumentuari folklorin. Anekdotat popullore, këngët e dasmave e studimi i personaliteteve historike do të bëheshin synim i tij. I lindur në vitin 1936 në Verboc të Drenasit, Mehmet Rukiqi vdiq të hënën. Vdekja e gjuhëtarit e mbledhësit të folklorit është parë si varfërim i kulturës.
I lindur në prag të Luftës së Dytë Botërore, Mehmet Rukiqi shkollën fillore e kreu në Drenas, kurse Shkollën Normale dhe Fakultetin e Filozofisë, degën e letërsisë dhe te gjuhës shqipe i mbaroi ne Universitetin e Prishtinës. Sipas biografisë së tij në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Rukiqi po në Universitetin e Prishtinës përfundoi edhe studimet pasuniversitare dhe mbrojti tezën e doktoratës.
“Ishte mësues dhe mësimdhënës në disa shkolla në Drenicë, kurse nga viti shkollor 1972/73 u punësua në shkollën teknike “19 Nëntori” në Prishtinë, por u përjashtua nga puna për arsye politike. Punoi si përkthyes deri në pensionim në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, shkruhet aty. Nga folklori i mbledhur në Drenicë ka botuar tetë vëllime me anekdota: “Anekdota popullore” (2001-2015) dhe dy vëllime “Këngë dasme” (2009). Po ashtu, ka botuar edhe veprat studimore “Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë” (1998), pastaj monografitë “Tahir Berisha” (2008) dhe “Azem Galica” (2013).
Studiuesja e folklorit Arbnora Dushi, njëherësh punonjëse shkencore e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se Rukiqi ishte bashkëpunëtor shumëvjeçar i këtij institucioni. Ka treguar se me përkushtimin dhe zellin që pati ndaj mbledhjes së njësive të folklorit, i solli shumë materiale arkivit të këtij Instituti.
“Ishte kontribuues në botimin e shumë blejve me anekdota, e veçanërisht këngë dasme, kryesisht të zonës së Drenicës. Përveç si mbledhës, dr. Rukiqi është autor edhe i këtyre monografive të rëndësishme ‘Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë’, “Tahir Berisha, tregimtar popullor”, Azem Galica” dhe “Ramadan Shabani” vlerat e të cilave janë kontribut i vlefshëm për historinë e folkloristikës shqiptare”, ka thënë Dushi. Sipas saj, me largimin e tij nga kjo botë, folkloristika shqiptare humbi një mbledhës dhe studiues shumë të përkushtuar dhe një folklorist që e deshi traditën dhe folklorin shqiptar me një dashuri të pashoqe.
Rukiqi do të ngelet një prej kontribuuesve besnikë të folklorit nëpërmjet veprave që ka lënë. Nëpërmjet një interviste të realizuar gati një dekadë më parë, ai do të thoshte se thesari është visar, tërësi e vlerave materiale e kulturore të një populli a vendi. Mençuria qëndron në kuadër të këtij thesari, e filozofia nënkupton dashurinë ndaj mençurisë.
“Në kuptimin e mençurisë, krijimet popullore në prozë e poezi janë enciklopedi e urtisë. Mençuria është si lulja e dituria është si vada. Mungesa e shkollimit, nga mund të merret dituria, i ka sjellë mungesa edhe mençurisë. Mençuria është filozofi unike jetësore. Është mbretëria e filozofisë dhe e të gjitha arteve”, do të thoshte ai për “Telegrafin”.
Sipas Rukiqit, tradita popullore përmban historinë gojore të popullit shqiptar, me shumicën e ngjarjeve dhe të personaliteteve luftarake, për mbrojtjen e atdheut kundër agresorëve. Sqaronte se ajo përmban folklorin që përbëhet nga tërësia e arteve popullore, nga besimet e ceremonitë, fjalët e urta e këngët, legjendat e lojërat, mitet, muzika, doket e zakonet. Sipas tij, tradita popullore përmbush funksionin filozofik, siguron kompaktësinë kulturore, përvetësohet që nga fëmijëria e pasqyron etapa të jetës, lindjen, moshën rinore, martesën e vdekjen.
“Vepra ime është vetëm edhe një hap përpara drejt njohurisë së kulturës traditore shqiptare. Krijuesit janë gjeni të popullit, me fuqi e mprehtësi të jashtëzakonshme mendore, me aftësi e talent të njeriut të madh. Janë krijues dhe interpretues në frymën e traditës. Gjuha e këngëtarëve dhe tregimtarëve është gjuhë popullore, me stil dhe figuracion të pasur, me shprehje të kondensuara e të konsoliduara. Është tërheqëse për dëgjuesit, me forcë bindëse të fjalës artistike”, do të thoshte ai. Citonte Eqrem Çabejn që kishte thënë: “Edhe poeti ynë më i madh, zbret poshtë, te populli dhe merr ujë te gurra e gjuhës së tij”.
“Pyetjes se ‘sa kam arritur që ta studioj dhe hulumtoj këtë thesar të paçmueshëm’, mund t’i përgjigjem me ‘aq sa merr ujë nga deti, me një gotë’”, do të thoshte Rukiqi.