Martin Camaj ishte nji njeri ma tepër i introvertuem, shumë i ndjeshëm dhe pak i frikshëm. Frikat i përpunonte në veprat e tij letrare. Mirëpo, nji frikë e verbalizonte drejtpërsëdrejti: frikën nga interpretimet e poezivë të tij, shkruan sot Koha Ditore.
Shì te kambët e përmdendores
në sheshin e madh të qytetit milionësh
me nji pe të kuq në qafë.
“Shej i tmerrshëm për këtë qytet!”
Tha pastruesi i rrugëve
nga fushat e Anadollit.
“Shej i tmerrshëm për këtë qytet! ”
Në këtë poezi nji interpret nga Prishtina, Dr. Anton Nikë Berisha, e paskësh zbulue “domethanien” e penit të kuq dhe kishte shkrue që peni i kuq do me thanë “komunizmi”. Camaj u inatos fort dhe tha lakonikisht – siç e kishte zakon kur diçka e kishte shumë seriozisht – “Peni i kuq asht: nji pê i kuq“.
Martin Camajn e shqetësonte njejtësimi i elementeve të teksteve të tij letrare me dukunitë e realitetit të jashtëm. Posaçërisht nuk duronte interpretime të poezisë së tij me kategori politike. Ato i quente “spekulime”. Në jetë dhe në poezi Camaj i rrinte larg politikës së përditshme. Për vetveten tha se “nuk jam njeri i politikës. Jam nji njeri politik”. Në vjershat e tij nuk ka nevojë më gërmue për konotacione politike.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)