Kulturë

“Më gjeni” si thirrje për të pagjeturit synon edhe Beogradin

Me veprat e tij, Eroll Murati është rikthyer në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ka zgjedhur që të adresojë një temë tjetër e që konsiderohet një prej plagëve më të mëdha të shoqërisë. Ka vendosur të portretizojë fatin e të pagjeturve. Në këtë shesh dhe shumë pranë tij, ndër vite në forma të ndryshme, ka vazhduar thirrja për fatin e të pagjeturve. Murati në ekspozitën e tij skulpturat duket sikur i nxjerr nga toka. Përmes ndriçimit të tyre përcjell mesazhin që vetëm me kthimin e trupave të tyre mund të arrihet paqja. Në një tjetër format, ekspozitën synon ta dërgojë edhe në kryeqytetin e Serbisë

Fiks para një viti, artisti Eroll Murati kishte vendosur të vë në kryeqendër të Prishtinës pesë skulptura. “Skulpturat në hapësirë” ishte titulluar ekspozita e tij që pasqyronte robërinë e atyre që duan medoemos pushtetin. Kjo ekspozitë, që kishte ngjallur goxha interesim në Prishtinë, ishte rezultat i një pune të gjatë hulumtuese dhe skicimeve të skulptorit Murati.

Me veprat e tij është rikthyer në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ka zgjedhur që të adresojë një temë tjetër e që konsiderohet një prej plagëve më të mëdha të shoqërisë. Ka vendosur të portretizojë fatin e të pagjeturve. Në këtë shesh dhe shumë pranë tij, ndër vite në forma të ndryshme ka vazhduar thirrja për fatin e të pagjeturve. Murati në ekspozitën e tij, skulpturat duket sikur i nxjerr nga toka. Përmes ndriçimit të tyre përcjell mesazhin që vetëm me kthimin e trupave të tyre mund të arrihet paqja. “Dikush i pret te dera që 20 vjet”, shkruhet në përshkrimin e ekspozitës “Më gjeni”. Që në emërtim, autori ka përcjellë një thirrje që përsëritet tash e dy dekada. Skulpturat simbolizojnë dy figura njerëzish të rrethuar me zinxhirë e që simbolizojnë të shkuarën e prangosur.

“Punimet janë me hekur brenda dhe jashtë me plastikë dhe janë pllakat e sheshit që i kam bërë për të dhënë përshtypjen sikur po dalin dy të pagjetur, të cilët nuk i njeh askush. Vijnë nga diku dhe e kanë lutjen “Më gjeni”. Ashtu e ka titulluar edhe profesori Zeni Ballazhi, që e ka bërë tekstin e ekspozitës”, ka shpjeguar Murati për KOHËN.

Sipas autorit, skulpturat shprehin masën e madhe dhe boshllëkun duke kërkuar shpëtim nga ata që i kanë harruar. Ankthi dhe pritja bëhen bashkë në to si klithje kundër harresës. Gjatë natës përmes dritave përcjellin pafajësinë. Veç kësaj kapin vëmendjen e kalimtarëve dhe e plotësojnë elementin estetik të veprës.

“E kam vendosur dritën e bardhë pasi që paraqet butësi, paqe dhe pafajësi. Më së shumti e kam përdorur për të paraqitur pafajësinë e tyre dhe që të duket më bukur. Këta paraqiten si në siklet që nuk kanë ku të drejtohen dhe vetëm po kërkojnë ndihmë. I pari kërkon ndihmë prej qiellit (Zotit) dhe tjetri lyp ndihmë prej tij”, ka thënë tutje ai.

Tri ditë pasi që ekspozita është vendosur në sheshin “Skënderbeu”, e ka marrë goxha shumë vëmendjen e kalimtarëve. Shumë prej tyre janë ndalur për t’i shikuar veprat dhe për të lexuar mbishkrimin e ekspozitës. Ky ka qenë edhe synimi i skulptorit Murati.

“Ekspozita është mirëpritur këtu në shesh dhe secili qytetar që ka kaluar këtu është ndalur dhe kanë biseduar me njëri-tjetrin se çfarë është duke ndodhur deri sa e kanë parë tekstin. Është një lloj abstraksioni që nuk mund ta kuptosh në shikim të parë”, ka thënë ai.

Për shkak të tematikës së cilën e ka zgjedhur, Murati synon që këtë ekspozitë në një format të modifikuar ta dërgojë edhe në Beograd. Përmes veprave të tij ai bën thirrje gjithë artistëve që të vazhdojnë ta pasqyrojnë në veprat e tyre çështjen e të pagjeturve që në këtë mënyrë të bëjnë thirrje për drejtësi dhe t’ua lehtësojnë dhimbjen familjarëve të tyre.

“Unë pretendoj ta dërgoj këtë ekspozitë në Beograd në formë të ndryshme. Kam vendosur që në vendin tim t’i paraqes në formë më të butë, kurse në Beograd në një formë më të ashpër. Ani pse kjo është diçka e papranueshme për shtetin që ka bërë gjenocid. Pikërisht për këtë arsye po mundohem që të hulumtoj sa më shumë dhe u bëj thirrje edhe kolegëve të mi që të hulumtojnë këtë temë që t’ua shërojnë zemrat e atyre që janë duke i pritur që 20 vjet”, ka thënë Murati për KOHËN.

Numri i personave të zhdukur nga lufta e fundit është mbi 1 mijë e 600. Ekspozita “Më gjeni” e autorit Eroll Murati do të qëndrojë në sheshin “Skënderbeu” për dy javë.