Qyteti i Prishtinës për herë të parë mori ftesë zyrtare nga Organizata e Kombeve të Bashkuara UNESCO, që t’i bashkohet 198 shteteve në festën për Ditën ndërkombëtare të muzikës jazz.
Kosova ende nuk është pjesë e UNESCO-s, organizatë kjo që e caktoi 30 prillin Ditë të muzikës jazz, me rezolutën e miratuar në Konferencën e Përgjithshme më 2011, transmeton emisioni Express në KTV.
Kjo datë e rëndësishme për muzikën që ka origjinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gërsheton elemente afrikane me ato evropiane, në kryeqytet u shënua në hapësirën e “Hamam Bar Prishtina” me performancë të “Gesundheit Quartet” dhe muzikantëve kosovarë.
Muzikantë kosovarë që ndër vite kanë kultivuar këtë zhanër muzikor, rrëfejnë se si janë mishëruar me muzikën jazz.
UNESCO-ja këtë vit ka përzgjedhur pianistin e kompozitorin Ilir Bajri të jetë ambasador i jazz muzikës për Kosovë.
Ndërkohë, nikoqir zyrtar i Ditës ndërkombëtare të muzikës jazz me vendim të kësaj organizate u bë qyteti Sidnej.