“Jazz nuk është vetëm muzikë, por është mënyrë e jetës, është mënyrë e ekzistencës, mënyrë e të menduarit”. Kjo thënie e këngëtares amerikane, Nina Simone, përshkon thelbin e muzikës që vazhdon të bëjë histori si përpjekje për dinjitet njerëzor, demokraci e të drejta.
Me besimin në fuqinë e jazzit për paqe, dialog e mirëkuptim të ndërsjellë, Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, në nëntor të vitit 2011, e kishte shpallur 30 prillin Ditë Ndërkombëtare të Jazzit.
“Është prill në Paris dhe gështenjat po lulëzojnë”, janë vargjet e këngës së Ella Fitsgeraldit që sivjet këndohen në javën e shtatë të karantinës mes pandemisë së koronavirusit. Përmes një videomesazhi nga Parisi – qytet i jazzit – drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, u është adresuar të gjithë dashamirëve të kësaj muzike.
“Për mua, dhe për të gjithë ju, muzika është një strehë, burim hareje, shpresë, një përgjigje ndaj gjendjes që po e prek të gjithë botën. Dhe jazzi ka atë vend të veçantë në universin muzikor. Është muzika e lirisë, të drejtave të njeriut dhe emancipimit”, ka thënë Azoulay. “Është po ashtu aftësia për të bashkëpunuar për më të mirën, aftësia për të prodhuar të bukurën nga kompleksja, madje edhe në kohët më të pasigurta”.
Drejtoresha e UNESCO-s tutje ka përkujtuar se gjatë pandemisë me COVID-19 kanë humbur “artistë fantastikë” si Lee Konitz, Manu Dibango, Wallace Roney e Ellis Marsalis Jr. Ndërsa ka folur për lëvizjen “ResiliArt” në mbështetje të sektorit kulturor, ajo ka thënë se kjo gjendje ka sjellë një vlerësim të thellë për të gjithë ata që i ndjekin hapat e artistëve që vdiqën gjatë këtij viti, shkruan KOHA.
“Me ambasadorin e Vullnetit të Mirë të UNESCO-s, Herbie Hancock, i ftoj njerëzit jo vetëm të kremtojnë jazzin, por edhe t’i mbështesin artistët e jazzit gjithandej botës koncertet e të cilëve janë anuluar. Vive le jazz”, ka përfunduar Azoulay.
Për sivjet, Cape Town, në Afrikën e Jugut, ishte zgjedhur si qyteti nikoqir për Ditën Ndërkombëtare të Jazzit. Megjithatë, pandemia ka bërë që përvjetori i nëntë i Ditës së Jazzit të kalojë në format virtual e jo në qytetin jugafrikan. Duke filluar nga ora 21:00, për Ditën e Jazzit u mbajt një koncert global me artistë nga e gjithë bota. I shfaqur online në faqen “jazzday.com”, ky koncert i pazakontë solli performanca e mesazhe nga John McLaughlin, Cécile McLorin Salvant, Jane Monheit, Alune Wade, John Beasley, Ben Williams, Lizz Wright, John Scofield, Igor Butman, Evgeny Pobozhiy, Youn Sun Nah, A Bu, Dee Dee Bridgewater, Dianne Reeves, Joey DeFrancesco e shumë të tjerë.
Por “muzika e lirisë” siç është një prej epiteteve që ia jep bota jazzit, ka edhe anën tjetër të medaljes. Me thuajse pa asnjë mbështetje, zhanri i muzikës jazz në Kosovë mbahet gjallë vetëm falë dedikimit të artistëve e të rinjëve të pasionuar. Aktualisht, “Prishtina Jazz Week” është e vetmja platformë që mban gjallë jazzin vendor.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.