Në kohën kur projekti madhor katërvjeçar tashmë ka dhënë frytet e para duke lansuar një version të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe me 120 mijë fjalë, “Për një leksikografi bashkëkohore” ka qenë tema e Sesionit të Gjuhësisë në ditën përmbyllëse të edicionit të 16-të të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”. Nëpërmjet kumtesave është dëshmuar se gjuhësia shqiptare ndodhet në një etapë të rëndësishme të zhvillimit të saj, ku përpjekjet për përpilimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe shënojnë një hap domethënës drejt pasqyrimit të pasurisë gjuhësore bashkëkohore
Gjuhësia shqiptare sot i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë për t’i përballuar detyrat e veta, në këtë drejtim është duke u finalizuar edhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe – projekt shumë i rëndësishëm për gjuhësinë shqiptare, i cili do të jetë pasqyrë e zhvillimit të shqipes së kohës së sotme. Rreth kësaj çështjeje janë përqendruar shumica e kumtesave të Sesionit të Gjuhësisë në ditën e fundit të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, e cila për pesë ditë ishte nikoqire e studiuesve nga vendi e rajoni dhe të premten edhe i ka mbyllur punimet.
Tema bosht e këtij sesioni ka qenë “Për një leksikografi bashkëkohore” dhe në hapje të seancave është shprehur synimi që kanë këto kumtesa, duke mëtuar ta pasurojnë leksikografinë e shqipes me vepra letrare, leksik dialektesh e terminologji shkencore.
“32 kumtesat e parapara për t’u lexuar mëtojnë të ndriçojnë aspekte të ndryshme përmes shpjegimeve, dukurive e shtrirjeve bashkëkohore në rrafshin e leksikut të shqipes, me theks të veçantë mundësinë e pasurimit të leksikografisë nga veprat letrare artistike, leksiku dialektor, frazeologjia e nga terminologjia shkencore”, ka thënë shefi i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik, Abdurrahim Maxhuni.
Shqipëria e Kosova “të ndara” në emërtimet teknike në administratë
Në kumtesat e së premtes kanë paraqitur punimet e tyre studiues të moçëm të gjuhësisë shqiptare, si Emil Lafe e Xhevat Lloshi. Lafe ka treguar për përdorimin e terminologjisë dhe emërtimeve teknike në administratë dhe ka treguar dallimin mes këtij përdorimi në Shqipëri dhe në Kosovë.
“Për arsye që dihen, Shqipëria dhe Kosova kanë dallime të dukshme në fushën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe në terminologji e emërtesa teknike. Ka përdorim të gabuar të termave administrativë, për shkak të shkallës së ulët të njohjes së problemeve dhe të çështjeve administrative, ka përdorim selektiv, sikurse edhe joadekuat të termave. Gjendja e sotme e dallimeve terminologjike mes Shqipërisë dhe Kosovës nxjerr probleme për hartimin e një fjalori të madh të gjuhës shqipe, andaj organizmi më i përshtatshëm për këtë punë do të ishte themelimi i një këshilli ndërshtetëror të terminologjisë shqipe. Jam i mendimit se terminologjia është një çështje që ka të bëjë drejtpërdrejt me punët e shtetit dhe kodifikimi i terminologjisë nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të specialistëve të institucioneve shtetërore, ndërsa gjuhëtarët në këtë pjesë kanë rol ndihmës”, ka thënë gjuhëtari Emil Lafe gjatë prezantimit të kumtesës së tij me titull “Përsiatje rreth parimeve për një leksikografi bashkëkohore”.
Ai ka treguar se nuk mund të flitet për një leksikografi bashkëkohore, pa e ndrequr terminologjinë.
“Pa e rregulluar më parë terminologjinë, nuk mund të flasim për një leksikografi bashkëkohore në kuptimin e vërtetë të këtij problemi. Leksikografia bashkëkohore kërkon një leksikograf bashkëkohor”, ka thënë ai gjatë kumtesës.
Një perspektivë e re për “Mesharin” e Buzukut
Gjuhëtari Xhevat Lloshi ka paraqitur nismën e tij për ta krahasuar “Mesharin” e Gjon Buzukut me një meshar që e ka gjetur në gjuhën kroate.
“Pesë vjet më parë munda ta shtija në dorë një meshar kroatisht, botuar më 1483. Ai ishte përgatitur sipas modelit të Missale Romanum, botuar në Milano më 1440, të cilin unë nuk mund ta shfrytëzoja. Arrita ta bëja një krahasim të pjesshëm, duke u mbështetur në punimet e sotme kroate, ku kishte pak copa të transkriptuara me alfabetin latin. Prej atij krahasimi, kisha arritur të paraqitja një varg konstatimesh të argumentuara me fakte konkrete. Tani e kam të plotë tekstin kroat të mesharit me alfabet latin dhe kjo hap një perspektivë studimore krejt të re”, ka thënë Lloshi duke shpalosur gjetjet e tij nga studimi.
Ka treguar shpresë se përmes zhvillimit të teknologjisë mund të ribëhet i plotë libri i Buzukut, duke qenë se origjinalit i mungojnë disa pjesë.
“Në përfytyrimin tim, ky monument i shqipes së shkruar është si një kështjellë, së cilës i janë rrëzuar dy kulla të hyrjeve dhe muret. Me ndihmën e teknologjisë së sotme, arkeologët janë në gjendje të rindërtojnë si imazh pjesët e rrënuara të kështjellave dhe t’i paraqesin në kompjuter ato si kanë qenë përpara se të rrënohen. Me pjesët e rivendosura mund të rindërtohet një pamje tërësore e kësaj kështjelle të shqipes së shkruar”, ka thënë ai.
Reflektimi i dinamikës së shqipes
Kumtesat e tyre i kanë prezantuar edhe 30 studiues të tjerë në dy seanca paralele e të gjithë ata janë marrë me çështjen e fjalorëve.
Sesioni i fundit i “Javës së Albanologjisë” dëshmoi qartë se gjuhësia shqiptare ndodhet në një etapë të rëndësishme të zhvillimit të saj, ku përpjekjet për përpilimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe shënojnë një hap domethënës drejt pasqyrimit të pasurisë gjuhësore bashkëkohore. Ky sesion, me 32 kumtesat e tij, dëshmon një përkushtim të thellë për të përfshirë në leksikografi elemente nga letërsia, dialektet, frazeologjia dhe terminologjia shkencore, duke reflektuar kështu kompleksitetin dhe dinamikën e gjuhës shqipe sot.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është një projekt madhor, i cili prezantoi frytet e para më 22 nëntor të vitit të kaluar, në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe në Tiranë dhe në Ditën e Alfabetit Shqip, që vjet u shënua për herë të parë si festë zyrtare në Shqipëri. Fjalori ka rreth 120 mijë fjalë, dy herë e gjysmë më shumë fjalë sesa “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” i vitit 1980.
U realizua bashkërisht nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, disa universitete e institucione shkencore në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Palermos e Universiteti i Kozencës në Itali. Për hartimin e fjalorit u ngrit një grup i përbërë nga 55 bashkautorë e 25 hartues, të drejtuar nga një redaksi prej 10 leksikografësh e në ndihmë të saj u krijua një qendër e posaçme, ajo e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, tashmë e kthyer në qendër të përhershme, si një organ administrativ e profesional. Sipas prezantimit, vepra u projektua si një fjalor me 90.000 fjalë e 10.000 njësi frazeologjike, por nga puna e bërë për të krijuar korpusin / databazën a kartotekën e veçantë solli lëndë të bollshme. Lënda leksikografike (fjalori i mirëfilltë) përfshin: 103.000 fjalë si fjalë-titull (mbi 2.5 herë më shumë se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, (1980), rreth 5.000 emërtime të pathjeshta për realie (të botës materiale dhe jomateriale), rreth 3.000 njësi leksiko-gramatikore “të fshehura”: (që nuk dalin në makrostrukturë si njësi të mëvetësishme), 11.500 njësi frazeologjike, 1.400 shprehje të huaja të paasimiluara, 1.200 shkurtesa / akronime. Kur u prezantua për herë të parë, u paralajmërua se ai do të botohet sivjet.
Shefi i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Abdurrahim Maxhuni, ka thënë se ky sesion parashihet të sjellë rezultate të reja nga fusha e gjuhësisë.
“Tema ‘Për një leksikografi bashkëkohore’ është paraparë si temë bosht e sesionit të gjuhësisë, në kohën kur është duke u hartuar edhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, i cili është në fazën përfundimtare, derisa ky sesion parashihte që në këtë kuadër të silleshin rezultatet më të reja nga kjo fushë. Në sesione të tilla ngrihen ide dhe qasje të ndryshme, ato promovohen dhe mbështeten me disa argumente dhe krijohet ideja e qartë se çka ka dashur autori të trajtojë dhe ku ka dashur të dalë me rezultatet e tyre përfundimtare”, ka thënë për KOHËN, Maxhuni.
Për pesë ditë, konferenca shkencore “Java e Albanologjisë” në Prishtinë ishte në pritje të rezultateve të reja në pesë disiplina albanologjike. Studiues nga vendi e rajoni prezantuan mbi 100 kumtesa të shpërndara në temat bosht që zbërthejnë identitetin fetar te shqiptarët, këngën si praktikë sociale e kulturore, kritikën letrare shqipe, etnologjinë urbane e leksikografinë bashkëkohore dhe të premten edhe i mbylli punimet.