“Konstatimi përfundimtar është se nuk ka vend për fillimin e hetimeve zyrtare, andaj për këtë rast hetimet parapenale janë mbyllur”, shkruhet në përgjigjet e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin që e dëshmon se si institucionet kanë heshtur përballë shumëkatëshes afër monumentit. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Ministria e Kulturës janë treshja institucionale që me veprime e mosveprime kanë mundësuar objekt banesor-afarist afër kishës katolike “Shën Katerina” në Pejë. E institucioni religjioz është në pazar me ndërtuesit
Për Prokurorinë Themelore në Pejë mundësimi i ndërtimit të një shumëkatësheje në afërsi të monumentit, ku Instituti i Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve kishte konstatuar se me këtë projekt cenohet aseti i trashëgimisë kulturore, nuk përbën vepër penale dhe duhet mbyllur hetimet.
Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Ministria e Kulturës janë treshja institucionale që me veprime e mosveprime kanë mundësuar shumëkatëshe afër monumentit, kisha katolike “Shën Katerina” në Pejë. E institucioni religjioz është në pazar me ndërtuesit: ka dhënë tokë në këmbim të njësive banesore dhe një pjese të bodrumit. Për këtë rast, Prokuroria në Pejë kishte nisur hetime. Por del se s’kanë gjetur prova.
“Konstatimi përfundimtar është se nuk ka vend për fillimin e hetimeve zyrtare, andaj për këtë rast hetimet parapenale janë mbyllur”, shkruhet në përgjigjet e Prokurorisë së Pejës.
Një seri dokumentesh e shkresash, në të cilat KOHA është bazuar kur ka raportuar në mars të vitit 2025, tregojnë se historia e këtij ndërtimi që është duke u bërë nga kompania “Intern Investment Group SH.P.K.”, me pronar Rahmon Shalën, ka nisur në pjesën e parë të vitit 2024. E ndërtimi vjet në mars ishte te kati i tretë. Tash ndërtimi i vrazhdë ka përfunduar, por janë duke u kryer punë të tjera.
Kompania ishte pajisur me leje për ndërtim nga Drejtoria e Urbanizmit në Pejë, që udhëhiqet nga Arta Nallbani, e cila kurrë s’është deklaruar. Leja ishte lëshuar pa qenë pala e pajisur me pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore edhe pse parcela ku zhvillohet ndërtimi është në zonën e mbrojtur të monumentit. Rrënimi i ndërtesave paraprake ishte bërë po ashtu pa pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Pasi Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore kishte evidentuar zhvillimet në atë pjesë, ishte aktivizuar. Kishte kërkuar pezullim të lejes nga Komuna e Pejës dhe kishte udhëzuar palën (ndërtuesin) që të pajisej me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Procedura kërkon që pala t’i drejtohet IKMM-së me kërkesë për pajisje me leje nëpërmjet Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Në këtë rast, asaj të Pejës.
Në bazë të shkresave të kësaj lënde, QRTK-ja kishte protokolluar kërkesën më 28 maj të vitit 2024. Sipas Procedurës Standarde Operative, kërkesat brenda 24 orëve i përcillen IKMM-së nëpërmjet postës elektronike, kurse brenda pesë ditësh në kopje fizike. Në këtë rast nuk ishte vepruar kësisoj. Sipas protokollit, QRKT-ja e ka përcjellë lëndën në IKMM më 3 qershor të vitit 2024, shtatë ditë pasi e ka pranuar atë. Në shkresë nuk qe cekur data e pranimit të lëndës.
Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve dhe kërkesave restauruese e konservuese të trashëgimisë kulturore në IKMM nuk e ka miratuar projektin.
“Refuzohet kërkesa për ndërtimin e objektit banesor B+P+5K në parcelën kadastrale nr. 06337-0, rr. ‘Nëna Terezë’, me investitor ‘Intern Investment Group Sh.P.K.’, pasi që parcela ku planifikohet ndërtimi gjendet brenda zonës mbrojtëse të monumentit...”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të protokolluar më 3 korrik 2024. Sipas vendimit, refuzimi është bërë pasi “krijohet vëllim i madh duke penguar në masë të madhe vizurat në raport me asetin e trashëgimisë kulturore, Kisha e Shën Katerinës në Pejë, duke qenë në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”.
Projekti i ndërtimit me dy blloqe dhe merr formën e shkronjës T. Blloku “A” shtrihet në dimensione 22.6 metra me 17.7 metra. Kurse blloku “B” mban dimensione 20.9 metra me 50 metra. Sipas projektit, nga ana perëndimore do t’i zihet pamja në tërësi asetit të trashëgimisë kulturore, që është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në një pamje paralele të projektit, maja e kambanores së Kishës, që është rreth 27 metra, do të tejkalojë krejt pak lartësinë e ndërtesës afariste banesore.
Ndërmarrësi në këtë rast ka shfrytëzuar të drejtën që të ankohet për këtë vendim. Ankesat drejtohen në atë që njihet si shkalla e dytë në Ministrinë e Kulturës. Në këtë rast komisioni – në përbërje të Milot Mustafës, kryesues dhe anëtareve Merita Augustini-Ndrecaj dhe Jehona Bashota – kishte nxjerrë vendim, nëpërmjet të cilit e kishte aprovuar si të bazuar ankesën e investitorit. Po nëpërmjet këtij vendimi, ky komision kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Investitori në ankesë kishte tri pretendime. Prej tyre, dy i ishin hedhur poshtë, kurse atij për mosmarrje të përgjigjes brenda afatit i ishte dhënë të drejtë. Në arsyetim të këtij vendimi shkruhej se sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, afati për vendosje për leje, për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural nga ana e institucionit kompetent është 15 ditë nga data e pranimit të kërkesës. Aty sqarohej se pala e ka dorëzuar kërkesën më 25.5.2024, ndërsa QRTK-ja e kishte dorëzuar kërkesën në IKMM më 3.6.2024. IKMM-ja kishte nxjerrë vendim për shtyrje të afatit për t’u përgjigjur më datë 14.6.2024 dhe përgjigjja përfundimtare i ishte dhënë palës më 3.7.2024.
“Komisioni pas analizimit të dokumentacionit të dorëzuar nga IKMM-ja dhe provave që posedon, konstaton se edhe vendimi për shtyrjen e afatit, por edhe vendimi final është nxjerrë me vonesë”, shkruhet në arsyetimin e vendimit të shkallës së dytë. Pasi nëpërmjet dispozitivit të vendimit në njëfarë forme i hapej rrugë ndërtimit, ky komision kishte treguar se IKMM-ja ka veto mbi dhënien e lejes së ndërtimit për ndërtesa ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti.
Anëtarët e Komisionit, më vonë në një përgjigje të përbashkët pas serisë së teksteve, kishin thënë se “ndërtimi i ndërtesës shumëkatëshe në zonën e mbrojtur të monumentit kisha katolike ‘Shën Katerina’ në Pejë, nuk është rrjedhojë e vendimit të Komisionit të Shkallës së Dytë, por i shkeljes së afateve ligjore për shqyrtim të lëndës nga ana e IKMM-së në radhë të parë, dhe nga dhënia e lejes nga institucioni jokompetent Komuna e Pejës në radhë të dytë…”.
Por Ministria e Kulturës varësisht nga rastet vepron ndryshe. MKRS-ja në një tjetër rast në Pejë – sikurse ndërtimi që kishte nisur afër xhamisë “Taftali”, për të cilin KOHA ka raportuar – edhe pse IKMM-ja është vonuar rreth tetë muaj në përgjigje, kishte bërë kërkesë-padi dhe dy herë Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë aktvendim për masë sigurie. Por për rastin te Kisha Katolike as Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore s’ka dalë për t’i ndalur punimet. Pas raportimit të KOHËS kishin nisur hetimet.
“Ky rast po trajtohet në mënyrë intensive nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsion në Pejë. Në këtë fazë nuk mund të ndajmë me shumë informata”, ishte përgjigjur Prokuroria Themelore në Pejë në fillim të këtij vitit.
E, tash ky institucion ka treguar se kanë ndërruar hesapet. Sipas Prokurorisë në rastin e njohur si “Monumentet”, Prokuroria ka zhvilluar hetime paraprake të gjata dhe gjithëpërfshirëse në bashkëpunim me Njësinë Kundër Korrupsionit në Pejë.
“Këto veprime u ndërmorën lidhur me pretendimet se: Persona zyrtarë të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUMM) në Komunën e Pejës; Zyrtarë nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Pejë; Zyrtarë (inspektorë) nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM); Zyrtarë të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave kundër vendimeve të IKMM-së; dyshoheshin për veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 i KPRK-së, si dhe ‘Asgjësimi apo dëmtimi i trashëgimisë kulturore’ nga neni 354 i KPRK-së”, shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë në fillim të kësaj jave.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i hetimit ishte vërtetimi i gjendjes faktike dhe konstatimi përfundimtar nëse në veprimet e zyrtarëve të përfshirë ekzistojnë elemente të veprës penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare. Në përgjigje sqarohet kronologjikisht situata me datat e nxjerrjes së dokumenteve nga të gjitha palët. Në fund tregohet se për këtë rast, nga ana e Ministrisë ose IKMM-së nuk është iniciuar ndonjë procedurë gjyqësore në Gjykatën Administrative. Aty ceket edhe një detaj.
“Marrëveshjet dhe Pëlqimet e Komuniteteve Fetare: Kisha ‘Shën Katarina’ ka lidhur kontratë noteriale me investitorin ‘Intern Investment Group’, ku Kisha është bashkinvestitore (ka dhënë rreth 9 ari truall dhe ka përfituar gjashtë njësi banesore dhe një bodrum në vlerë totale prej 500.000.00 euro)”, shkruhet në përgjigje. KOHA edhe më herët ka raportuar se ky institucion fetar ka “koordinuar” situatën me Ministrinë e Kulturës për të pasur rezultatin e tanishëm, shumëkatëshen ku ka edhe vetë hise. Kisha s’është përgjigjur asnjëherë.
“Mungesa e Elementeve të Veprave Penale: Për ekzistimin e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ (neni 414 i KPRK-së) kërkohet prova e shfrytëzimit të kundërligjshëm me qëllim përfitimi apo dëmtimi. Për veprën penale ‘Asgjësimi ose dëmtimi i trashëgimisë kulturore’ (neni 354 i KPRK-së) kërkohet dëmtimi, shkatërrimi ose zhvendosja pa autorizim e monumentit. Nga provat e mbledhura, vërtetohet se zyrtarët e Urbanizmit kanë vepruar në bazë të vendimeve të formës së prerë administrative të shkallës së dytë dhe planeve rregulluese valide. Ndërkaq, vonesat e evidentuara në IKMM/MKRS (mosrespektimi i afateve ligjore prej 15 ditësh nga ana e IKMM-së) përbëjnë lëshime dhe shkelje të natyrës administrative dhe procedurale, të cilat kanë sjellë aplikimin e institucionit të heshtjes administrative, duke krijuar bazë për veprim të mëtutjeshëm të autoriteteve komunale. Kjo natyrë e shkeljeve nuk plotëson standardin e dyshimit të bazuar për ndjekje penale”, shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë.
E mbështetur në vlerësimin objektiv të provave të grumbulluara gjatë fazës parapenale, deklaratave të dëshmitarëve, raportit policor dhe dispozitave të Kodit Penal e Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria del se “ka konstatuar se nuk ekziston niveli i dyshimit të bazuar se është kryer vepra penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’” e as “Asgjësimi ose dëmtimi i trashëgimisë kulturore”.
“Çështja në fjalë nuk hyn në fushëveprimin e së drejtës penale, pasi shkeljet e konstatuara lidhen ekskluzivisht me mosrespektimin e afateve dhe trajtohen në rrafshin e së drejtës administrative/konfliktit administrativ. Për rrjedhojë, konstatimi përfundimtar është se nuk ka vend për fillimin e hetimeve zyrtare, andaj për këtë rast hetimet parapenale janë mbyllur me Raport më datë 06.08.2026”, shkruhet në përgjigje.
E, me këtë konstatim, zyrtarët e trashëgimisë kulturore mund ta përdorin heshtjen administrative prej 15 ditësh për t’i “dhënë” leje ndërtimi secilit që synon ndërtesa afër monumenteve.
Ndërtesa afër Kishës me dy blloqe, që bashkë kanë gjatësi mbi 70 metra, e mbulon pamjen e kompleksit kishtar fund e krye nga ana perëndimore. Distanca midis Shtëpisë së Motrave brenda kompleksit kishtar dhe objektit në ndërtim është rreth 10 metra. Ligji për trashëgimi kulturore përcakton krejt të tjera rregulla.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, shkruhet në nenin 4 të këtij Ligji. Në ligj përcaktohen edhe zonat e mbrojtura.
“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor”, shkruhet në nenin 6.