Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shumëkatëshes te xhamia “Taftali” në Pejë i ndalohen punimet për së dyti

Xhamia

Pa leje nga organet e trashëgimisë kulturore, afër xhamisë “Taftali” në Pejë, e cila mbrohet si monument i trashëgimisë kulturore, ka nisur të ngrihet shumëkatëshja, përderisa një rast si ky zbërthen edhe dështimin e hallkave të shtetit në mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Ministria me padi i “kundërpërgjigjet” lejes nga Komuna e Pejës, e cila vjen edhe si pasojë e heshtjes së institucioneve të trashëgimisë kulturore

Tetë muaj kishte zgjatur “heshtja administrative” e organeve të trashëgimisë kulturore, dhe kjo i kishte hapur rrugë investitorit që lejen për një shumëkatëshe afër xhamisë “Taftali” ta marrë në Komunën e Pejës ani pse në raste si këto, ajo s’ka kompetencë. Ministria e Kulturës kishte kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës masë sigurie dhe ia kishte dalë në nëntorin e vjetëm. Pasoi ankesa e palëve në Gjykatën e Apelit e cila pas një muaji do ta aprovonte ankesën e Komunës së Pejës dhe lënda i qe kthyer Themelores për rigjykim dhe rivendosje. Ministria e Kulturës parashtroi padi kundër Komunës së Pejës për anulimin e vendimit për leje ndërtimore duke kërkuar edhe masë sigurie, dhe javën e kaluar ankesa për masë sigurie u aprovua. Sipas Ministrisë, ndërtimi do të shkaktojë dëme të rënda të kontekstit arkitektonik të zonës, e Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë, sipas dokumenteve, mbron investitorin

Për herë të dytë, Gjykata Themelore në Prishtinë është duke i ndalur punimet që kanë nisur krejt afër monumentit, xhamia “Taftali” në qendër të Pejës. Një ndërtesë shumëkatëshe ka nisur të ndërtohet. Por Gjykata nëpërmjet një aktvendimi ka vendosur për masë të sigurisë. Punimet prekin zonën e mbrojtur të monumentit dhe kanë nisur të zhvillohen pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Realisht institucionet e trashëgimisë kulturore janë vonuar për t’i kthyer përgjigje investitorit, gjë të cilën kompania e ka shfrytëzuar për të marrë leje ndërtimi në Komunën e Pejës. 

Por me Ligjin për trashëgimi kulturore, institucionet qendrore të trashëgimisë kulturore gëzojnë të drejtën e vetos në raste të tilla. Në praktikë ka raste kur zyrtarët e institucioneve të trashëgimisë kulturore, përdorin truqe administrative për t’i vonuar përgjigjet e për t’iu hapur rrugë ndërtesave në zona të mbrojtura të monumenteve. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Aprovohet kërkesa e paditëses/propozueses Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për masë të sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për leje ndërtimore Nr.08-351/29225, të datës 30.04.2025 i të paditurës/kundërpropozueses Komuna e Pejës dhe shtyhet ekzekutimi i vendimit për leje ndërtimore Nr.08-351/29225, të datës 30.04.2025 i të paditurës/kundërpropozueses Komuna e Pejës, deri në nxjerrjen e vendimit definitiv të gjykatës”, shkruhet në pikën e parë të aktvendimit të protokolluar në ditën e 11-të të këtij muaji.

“Heshtja administrative” e organeve të trashëgimisë kulturore

Arsyetim i aktvendimit e sqaron goxha situatën. Ministria e Kulturës ka parashtruar padi kundër Komunës së Pejës për anulimin e vendimit për leje ndërtimore. Në kërkesën për masën e sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar me padi, MKRS-ja ka shkruar se Komuna e Pejës ka lëshuar leje ndërtimore për ndërtimin e objektit ndërtimor me etazhitet B+P+6+Kt+KT, dhe hapësira për të cilën është lëshuar leje ndërtimore gjendet brenda një sipërfaqeje të mbrojtur, përkatësisht është aseti i trashëgimisë kulturore, xhamia “Taftali”. Ministria e Kulturës në padi pretendon se Komuna e Pejës me rastin e dhënies së lejes ka bërë shkelje të dispozitave ligjore dhe procedurave administrative pasi që leja është lëshuar në bazë të heshtjes administrative të institucioneve të trashëgimisë kulturore që nuk janë përgjigjur brenda 15 ditësh. Institucionet e trashëgimisë kulturore janë vonuar së paku tetë muaj në këtë rast. 

“Tutje (MKRS-ja v.j.) ka shtuar se ky aset i trashëgimisë kulturore me vendimin Nr.61/2025, të datës 14.03.2025, të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është përcaktuar si sipërfaqe e mbrojtur bashkë me zonën e saj përreth. Tutje ka shtuar se këto vlera përcaktohen edhe sipas dispozitave ligjore të Ligjit për trashëgiminë kulturore dhe po ashtu edhe me konventa ndërkombëtare. Në fund i ka propozuar gjykatës që të shtyhet ekzekutimi i vendimit për leje ndërtimore”, shkruhet në arsyetim.

Monumenti ndodhet në lagjen e quajtur “Sahat Kulla” të Pejës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, u ndërtua në vitin 1587. Xhamia mori emrin nga fjala turke ‘taft’ që do të thotë dru, ngase në fillim ishte e konstruktuar tërësisht nga druri. Mirëpo në vitet e mëvonshme i është bërë rekonstruksioni (Xhamia më 2015. Foto: Driton Paçarada) 
 

Këshilli i Bashkësisë Islame në mbrojtje të investitorit

Ministria ka arsyetuar se ndërtimi do të shkaktojë dëme të rënda të kontekstit arkitektonik të zonës, duke dëmtuar monumente të cilat nuk mund të rikthehen në gjendjen fillestare në rast dëmtimi, e për më tepër shumë prej tyre janë ndërtuar me materiale tradicionale që nuk i rezistojnë presioneve dhe goditjeve që vijnë nga makineritë moderne të ndërtimit. Sipas arsyetimit, Komuna e Pejës dhe pala e interesit, investitori, e kanë kundërshtuar kërkesë-padinë e MKRS-së. Madje, siç ndodh shpesh me bashkësitë fetare, Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë ka dalë në mbrojte të investitorit duke kundërshtuar padinë.  

“Pala e interesit Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë, përmes të autorizuarit të tij, në përgjigjen për masën e sigurisë, të datës 15.10.2025, ka theksuar se kërkesa për masë të sigurisë nuk është e bazuar, pasi pretendimet e paditëses nuk qëndrojnë, sepse xhamia e ‘Taftalisë’ në Pejë nuk është shpallur monument kulturor, e njëjta është në listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore që tani e disa kohë”, shkruhet në arsyetim. 

Kjo nuk është hera e parë që Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë, për interesa të veta, pozicionohet kundër institucioneve të trashëgimisë kulturore. Madje në atë monument janë bërë edhe ndërhyrje brenda strukturës pa pasur leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Sipas arsyetimit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë ka theksuar se “paditësja nuk mund të ndërhyjë në pronën e ndërhyrësit Këshilli i Bashkësisë Islame, pasi e njëjta nuk ka të drejta pronësore”. 

“Tutje ka shtuar se objekti i paraparë për ndërtim nuk e pengon objektin në fjalë, madje ka distanca të mjaftueshme dhe se ky investim do të i sigurojë ndërhyrësit, të hyra vetanake për mirëmbajtjen dhe restaurimin e pronës së saj dhe Xhamisë së Tafalisë në Pejë, duke i propozuar në fund që të refuzohet kërkesa për masë të sigurisë”, shkruhet në arsyetim. 

Gjykata Themelore pas shqyrtimit të kërkesës për masën e sigurisë, kishte nxjerrë vendimin me 17.11.2025 ku përcaktonte masë sigurie. Por palët ishin ankuar në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit, sipas aktvendimit të datës 23.12.2025 do ta aprovonte ankesën e Komunës së Pejës dhe lënda i qe kthyer Themelores për rigjykim dhe rivendosje.

“Gjykata, duke vepruar sipas udhëzimeve të gjykatës së shkallës së dytë, pas shqyrtimit të padisë dhe shkresave të lëndës, ka nxjerrë aktvendimin A.nr.3292/2025, më datë 26.12.2025, me të cilin ka kthyer në plotësim padinë e paditëses, me të cilin vendim, paditësja ishte obliguar të sjellë dëshminë lidhur me atë se kur është njoftuar apo ka pranuar vendimin të cilin e ka kontestuar me padi”, shkruhet në arsyetim. MKRS-ja më pas kishte plotësuar lëndën duke sqaruar se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejës, i ka dorëzuar kërkesë më datën 11.07.2025, Komunës së Pejës për t’u informuar se a është lëshuar ndonjë leje ndërtimore. Më pas Komuna e Pejës, kërkesës i ishte përgjigjur më datën 15.07.2025, duke ia bashkangjitur edhe vendimin për leje ndërtimore të datës 30.04.2025.
“Paditësja ka theksuar se nga dita e nesërme ka nisur të rrjedhë afati për paraqitjen e ankesës, pasi nga data 15.07.2025, konsiderohet se paditësja ka rënë në dijeni për vendimin në fjalë. Paditësja më datën 04.08.2025, ka paraqitur ankesë ndaj vendimit në fjalë, dhe e njëjta po më datën 09.09.2025 i është drejtuar organit kompetent për zgjidhjen e ankesës, me kërkesë të re për nxjerrjen e aktit përkatësisht pasi që nuk i është përgjigjur lidhur me ankesën. Mirëpo edhe përkundër kësaj kërkese, paditësja nuk ka pranuar asnjë vendim, andaj e njëjta më datën 01.10.2025 ka paraqitur padi në gjykatë, dhe me të cilën ka kërkuar që të anulohet vendimi për dhënien e lejes së ndërtimit”, shkruhet në arsyetim.

Aty ceket se Gjykata duke vepruar sipas udhëzimeve të gjykatës së shkallës së dytë, ka vlerësuar lejueshmërinë e padisë së paditëses dhe afatshmërinë e saj dhe ka gjetur se e njëjta është e afatshme. Pas këtij konstatimi është nxjerrë aktvendimi i ri nëpërmjet të cilit rikonfirmohet masa e sigurisë deri në zgjidhjen e çështjes.

Vlerat unike dhe ndërhyrja e jashtëligjshme e 2019-s

Monumenti ndodhet në lagjen e quajtur “Sahat Kulla” të Pejës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, u ndërtua në vitin 1587. 

“Xhamia mori emrin nga fjala turke ‘taft’ që do të thotë dru, ngase në fillim ishte e konstruktuar tërësisht nga druri. Mirëpo në vitet e mëvonshme i është bërë rekonstruksioni. Xhamia ka konstruksionin e drurit, ndërsa muret janë të kombinuara me gurë dhe tulla të veshura me lloç”, shkruhet në databazën online të trashëgimisë kulturore. Aty sqarohet se në enterierin e objektit veçohet mafilli ose galeria e cila zë sipërfaqen mbi portën hyrëse, si dhe tavani i drurit i këtij ndërtimi fetar. 

“Objektin e karakterizon në njëfarë mënyre arkitektura e xhamive të cilat janë ndërtuar nga vendasit, pra me kupolë të brendashkruar dhe e mbuluar nga kulmi me tjegulla. Çatia është katër ujore. Objekti nuk ka ndryshuar në pamje dhe me sa kemi njohuri nuk ka pasur as ndonjë ndryshim të funksionit. Në vitin 1999 xhamia është plaçkitur dhe demoluar brenda. Muret e jashtme dhe minarja janë dëmtuar nga predhat artilerike. Xhamia është restauruar në vitin 2010, është në gjendje të mirë dhe shfrytëzohet”, shkruhet në databazë. 

KOHA ka kërkuar informacion për çështjen e nisjes së ndërtimit të objektit afarist e banesor nga Komuna e Pejës dhe investitori. Asnjëra palë nuk është përgjigjur dhe s’ka treguar nëse sërish do ta apelojnë aktvendimin. Kontakti me Këshillin e Bashkësisë Islame në Pejë ka qenë i pamundur të mërkurën. 

Në vitin 2019 në brendi të Xhamisë ishin bërë ndërhyrje pa leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore. 

Gjithçka kishte filluar pas miratimit të një kërkese nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë për nisjen e punimeve për instalimin e ngrohjes qendrore dhe zëvendësimin e dyshemesë me pllaka qeramike. KBI s’e kishte përfillur faktin se monumenti i shekullit të 16-të është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme dhe për çfarëdo ndërhyrjeje duhet leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Institucionet e trashëgimisë kulturore asokohe kishin bërë “sehir” me deklarata boshe.

Ligji për trashëgimi kulturore përcakton qartë se janë institucionet e trashëgimisë kulturore ato që japin leje për ndërhyrje në monumentet ose zonën mbrojtëse të tyre.

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse Institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, shkruhet në nenin 6 të Ligjit.