Përkujtimi i Konstandin Kristoforidhit në 125-vjetorin e vdekjes (Elbasan, 7 mars 1895) dhe i punës së tij monumentale për gjuhën shqipe vjen me një ribotim të veprës së tij madhore, “Fjalorit të gjuhës shqipe”, që ai e hartoi me aq zell e dashuri, po që nuk arriti ta shihte të botuar në duart e shqiptarëve, shkruan sot Koha Ditore.
Fjalori u botua më 1904 në Athinë, me titullin që ia kishte vënë autori: Fjalor i gjuhës shqipe (Leksion t s albanik s gl ss s). Prof. Xhevat Lloshi, hulumtuesi më i përkushtuar i dokumentacionit për K. Kristoforidhin dhe studiuesi më i thelluar i jetës dhe veprës së këtij rilindësi të madh, shkruan për fjalorin se ai është libri që ndër veprat shqipe ka ndoshta historinë më të gjatë e më të ndërlikuar si të hartimit, ashtu dhe të botimit. Dhe historia e këtij fjalori vijon të pasurohet me të papritura e të panjohura.
Në fund të vitit të shkuar, Shtëpia Botuese “Dielli” (Beograd) nxori një botim të ri të tij: Konstandin Kristoforidhi, Fjalor i gjuhës shqipe (me shpjegime në frëngjisht nga Martin Camaj), 246 f. Libri është përgatitur për shtyp nga prof. Naile Mala-Imami, përgjegjëse e katedrës së gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit. Duke na shpjeguar historinë e librit, ajo shkruan se fjalori është punuar nga Martin Camaj (1925– 1992) gjatë viteve 1949–1953, kur ai ndiqte studimet për romanistikë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit dhe ku dha ndihmesën e tij edhe në Katedrën e Albanologjisë, një nga pesë katedrat më të vjetra të këtij universiteti.
Në ato vite, një nga miqtë më të ngushtë të Martin Camajt ishte Sitki Imami (vjehrri i ardhshëm i Naile Malës), shkrimtari dhe përkthyesi i njohur nga Gjakova, i cili asokohe punonte në seksionin shqip të Radios Shtetërore të Jugosllavisë. Më 1957, M. Camaj u detyrua të largohej me ngut nga Jugosllavia dhe ia la kopjen e vetme të dorëshkrimit të fjalorit mikut të vet Sitki Imami, i cili e ruajti me shumë kujdes deri në fund të jetës.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)
-
Edhe një herë rreth “Fjalorit të madh gjuhës shqipe”
-
Publikohet Fjalori i madh i shqipes që ndan dy akademitë
-
Martin Camaj – figura që ndriçon shqipen edhe pas një shekulli
-
Me fjalorë të ngushtë drejt Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe
-
Dita e Alfabetit Shqip sjell Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe me rreth 120 mijë fjalë