Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Marketingu dhe distribuimi – pikat e dobëta të filmave kosovarë

Prishtinë, 2 maj − Marketingu dhe distribuimi vazhdojnë të mbesin pikat e dobëta për filmat kosovarë. Ky formulim në dukje i thjeshtë është mjaft sfidues për regjisorët dhe producentët, të cilët marketingun dhe shpërndarjen e filmave të tyre duhet t’i planifikojnë vetë. Sipas tyre, mjetet që ndahen nga Qendra Kinematografike e Kosovës u shkojnë kryesisht në fazën e prodhimit.

Regjisorët Isa Qosja dhe Ismet Sijarina kanë thënë se në fazat e fundit marketingu dhe distribumi i filmave kryesisht u mbesin barrë atyre. Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se producentët që aplikojnë për mbështetje financiare të filmave do të duhej ta planifikonin paraprakisht që një dhjetëpërqindësh të subvencionit që marrin ta ndajnë për promovim. QKK-ja e ka të rregulluar me ligj financimin e të gjitha projekteve filmike. Mund të subvencionojë deri në 51 për qind të kostos së përgjithshme, përderisa në rastin e filmave të animuar dhe debutues deri në 90 për qind.

“Se në çfarë linje buxhetore i shpenzojnë producentët mjetet është çështje e tyre, përfshirë këtu edhe planifikimin e buxhetit për marketing”, ka thënë Zharku, duke shtuar se QKK-ja çdo vit ndan mjete shtesë për promovim të filmave që udhëtojnë në festivale botërore të kategorisë A, si Festivali i Cannes, Torontos dhe ato B si Istanbul International Film Festival, Brussels International Film Festival. Ndërkaq për filmat që Kosova i propozon si kandidatë për nominim për çmimin “Oscar” në gjuhë të huaj, QKK-ja ndan një buxhet prej 15 mijë eurosh, që jo rrallë është cilësuar si i pamjaftueshëm.

Sivjet buxheti për përkrahjen e projekteve filmike është 1 milion e 250 mijë euro, nga 1.4 sa ka në tërësi për këtë vit. Konkursi do të jetë i hapur deri në gjysmën e muajit që vjen.

Zharku ka thënë se me këtë po mundohen që në linjë për përkrahje buxhetore të përfshijnë aktivitete të filmit si “Java e filmit në Kosovë”. QKK-ja promovimin e filmave e bën me anë të “Newsletters” që dërgon çdo muaj në revistën “Cineuropa” me të cilën kanë marrëveshje.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")