Kulturë

Marigona Qerkezi në dhjetëshen që synon çmimin prestigjioz

Ka shkelur skenat prestigjioze botërore. Talenti i saj prej sopranoje e ka bërë Marigona Qerkezin emër me nam anekënd skenave operistike. I besohen vazhdimisht role sfiduese e me përgjegjësi të madhe prej kryeveprave operistike. Sukseset e sopranos Marigona Qerkezi po vazhdojnë krahas përgatitjeve në produksione të reja. Dëshmi për profesionalizëm në skenë vjen edhe nominimi për Këngëtaren më të Mirë të Re nga “The International Opera Awards”.

Me një konkurrencë që përfshin interpretues nga gjithë bota, emri i saj u përfshi në listën e ngushtë prej 10 kandidatësh. Për Qerkezin ky vlerësim veçse është fitore për të dhe se i hap dyer drejt skenave të reja.

“Ky nominim me vlerë të jashtëzakonshme pa dyshim që më hap dyer të tjera drejt skenave të reja të cilat mezi po i pres. Në një konkurrencë nga mbarë bota emri im u fut në listën e ngushtë të nominimeve ku janë vetëm 10 artistë nga gjithë bota. Ky vlerësim si i tillë për mua është veçse një fitore. ‘International Opera Awards’ konsiderohen si çmimet më prestigjioze të botës operistike. Për mua është hera e parë të jem e nominuar dhe jam shumë mirënjohëse për këtë fakt”, ka thënë Qerkezi për KOHËN.

Ky nominim i bashkohet vargut të fitoreve të çmimeve si: Çmimi i parë në garën e operës “Leyla Gencer” dhe Çmimin special nga “Accademia Teatro alla Scala”, Çmimi i parë në garën ndërkombëtare “Magda Olivero”, fituese në kategorinë debutuese në garën e 66-të ndërkombëtare për këngëtarët e rinj të operës në Evropë “AsLiCo” e Çmimin special ”Best under 25” në garën ndërkombëtare të operës “Portofino”.

Vlerësimi i radhës nga “The International Opera Aëards” vjen si rezultat i zërit të saj të fuqishëm dhe paraqitjes dinjitoze me çka po mahnit publikun në vende të ndryshme të botës.

Prej debutimit të saj në skenën operistike në “Royal Opera House Muscat” në Oman me rolin e Leonores nga opera “Il Trovatore” të Verdit në nëntor të 2020-s, repertori i saj është pasuruar me emrat e institucioneve kryesore ndërkombëtare. Ajo ka interpretuar në operën “Lucia di Lammermoor” në “Teatro Lirico” dhe në “Teatro Petruzzelli” në Itali, ku më pas u kthye për të interpretuar si “Adina” në “L'Elisir d'amore”, “Madama Cortese” në “Il viaggio a Reims”.

Veprimtaria e saj përfshin edhe rolin “Gilda” nga “Rigoletto” në “Teatro Lirico” e “Donna Anna” nga opera “Don Giovanni” në Tokio dhe shumë role të tjera. Aktualisht po përgatit rolin e Normas për operën “Norma” të italianit Vincenzo Bellini të cilin do ta interpretojë në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Mimit nga opera “La Boheme” të Puccinit.

Leonora, Giovanna d’Arco, Aida, Norma, Anna Bolena, Mimi, Lucrezia Contarini dhe të gjitha këto role që kam interpretuar deri tani janë role protagoniste kryesore në operat e tyre perkatëse, pra me një rëndësi thelbësore, si dhe përmbajnë vështirësi teknike e interpretative vokalo-skenike shumë të mëdha dhe sfiduese. Norma është kryevepër e Belcantos Italiane, rol simbol i Maria Callas si pikësynim i çdo sopranoje të atij vokaliteti”, ka thënë Qerkezi për rolet e saj në ardhje.

Derisa ofrohet data e shpalljes së fituesve të “International Opera Aëards”, sopranoja Qerkezi po përgatitet edhe për shfaqjet e reja.

Në të njëjtën kategori në kuadër të “Çmimeve Ndërkombëtare të Operës” me sopranon nga Kosova, garojnë edhe spanjollja Sara Blanch, polaku Andrzej Filończyk, Adriana González nga Guatemala, britaniku Laurence Kilsby, koreani Young Woo Kim, lituania Gabriele Kupšytė, kanadezi Josh Lovell, skocezja Beth Taylor dhe Blaise Malaba nga Kongo.

Vitin e kaluar, në këtë kategori kishin fituar dyshja me spanjollin Xabier Anduaga dhe rusen Vasilisa Berzhanskaya.

Fituesit e sivjetmë të “Çmimeve Ndërkombëtare të Operës” do të shpallen më 9 nëntor në teatrin “Wielki” në Varshavë të Polonisë. Kategoritë e tjera përfshijnë edhe atë për Dirigjentin më të Mirë, Regjisorin më të Mirë, Këngëtarin, Këngëtaren, Festivalin, Premierën Botërore, Incizimet, e Produksionin e Ri më të Mirë, mes të tjerash.

Themeluar në vitin 2012, “International Opera Awards” vjen si festë vjetore e përsosmërisë në operat anembanë botës. Në ueb-faqen e tyre shkruhet se qëllimet e çmimeve janë “Të rrisë profilin e operës si formë arti, të njohë dhe të shpërblejë suksesin në opera, të gjenerojë fonde për të siguruar bursa për talentet aspiruese në opera nga e gjithë bota”.