Kulturë

“Marea – Trio Tsaba” lufton tabutë ndaj anës së natyrshme femërore

Tri vajza përçojnë atë që përjetojnë shumica e grave: paragjykimin gjinor dhe stigmën sociale për diçka krejt të natyrshme me trupin e saj. “Marea – Trio Tsaba”, buzë Lumbardhit ka sjellë bukurinë e butësinë femërore. “Menstruacionet mendoj se janë tabu në shumë vende, ka lëvizje që dëshirojnë t’i thyejnë ato, por janë ende prezente. Është diçka që s’konsiderohet si pjesë e natyrshme e grave, pavarësisht që është e tillë në realitet”, ka thënë koreografja e aktorja Irene Ferrara

Në skenën e improvizuar buzë Lumbardhit me dyshemenë e zezë, siluetat e lehta të dy aktoreve italiane, Angelica Margherita dhe Irene Ferrara, shpërqendrojnë vëmendjen nga gjallëria prizrenase te heshtja si sinjal i nisjes së shfaqjes. Herë delikate e herë më të gjalla, ato shpërfaqin bukurinë e butësinë femërore. Loja ndryshon kur në skenë del aktorja tjetër, Nicol Soravito, dhe ngjall dilema te publiku. Topi i kuq është simbolikë. Në këtë shfaqje në ambient të jashtëm numri i shikuesve, pas çdo skenë, shtohet. Nga Shatërvani njerëzit bëjnë hapa për të kaluar shkallët e pakta e për të zënë vendet rreth hapësirës afër Urës së Gurit.

Tri vajza përçojnë atë që përjetojnë shumica e grave: paragjykimin gjinor dhe stigmën sociale. Në “Marea – Trio Tsaba” menstruacionet janë veç një shkas nëpërmjet të cilit paraqitet tabuja, që, sipas koreografes Ferrara, përjetojnë gratë. Madje pranon se edhe në vendin e saj, në Itali, kjo gjendje është ekzistente. Por, shfaqja ngre shumë më shumë dilema sesa kaq. Nëpërmjet portretimit të presionit fizik e psikik e konteston edhe gjendjen emocionale të tyre përballë shoqërisë. Në këtë shfaqje të dans-teatrit në kuadër të “Prizrenfest”, gjuha trupore është në esencën e saj. Është fiziku femëror ai që e mbron natyrshmërinë e fenomeneve biologjike që ndodhin në po të njëjtën qenie.

Për Irene Ferraran aktrimi në shfaqjen koreografinë e së cilës e ka realizuar, s’është sfidë, por përkundrazi përmbushje misioni. Emri i shfaqjes, “Marea”, e cila nga italishtja do të thotë menstruacion, për autoren nënkupton personifikimin e gruas.

“Marea me të vërtetë do t’i japë vlera pjesës së fshehur, të neglizhuar, të pakuptuar te femrat. Ne këtu si tri vajza e kemi zhytur veten në këtë rrjedhje dhe duam ta trajtojmë një fenomen biologjik, pa nuancën groteske”, ka thënë ajo.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme se si individi qëndron përballë një tabuje dhe se arti është mënyra më e sinqertë për ta trajtuar këtë gjendje.

“Menstruacionet mendoj se janë tabu në shumë vende, ka lëvizje që dëshirojnë t’i thyejnë ato, por janë ende prezente. Është diçka që s’konsiderohet si pjesë e natyrshme e grave, pavarësisht që është e tillë në realitet”, ka thënë koreografja.

Image
Treshja italiane me lojë energjike midis aktrimit e vallëzimit, shpërfaqin natyrën femërore

Për të kjo çështje s’duhet të tematizohet veç nga gjinia femërore. Rol duhet të kenë edhe vetë meshkujt. Të natyrshme në ndjesi dhe normale për nga ndryshimet që shkakton e cilëson ajo këtë fenomen biologjik, duke shtuar se është e pabesueshme për mënyrën se si ende shihet si tabu.

“Ka qenë shumë e drejtpërdrejtë. Është trupi që flet për trupin, përmes artit”, ka thënë për integrimin mes pjesës së koreografisë dhe aktrimit.

Pas rrugëtimit të shfaqjes në “Strabismi Festival” në Cannara, “Off label” në Udine dhe nëpër rezidenca artistike si “Vettori – Residenze Artistiche” dhe “Centro umbro Residenze Artistiche”, Kosova qe stacioni i radhës për këtë shfaqje, të martën mbrëma.

“Është hera ime e parë që jam këtu dhe e performancës. Ishte e mahnitshme. Ju njerëzit e Kosovës jeni shumë të mirë. Jemi ndier sikur të kishim arritur qe dy muaj këtu, por ne kemi mbërrirë dje”, ka thënë koreografja italiane.

Ndërkaq regjisorja Zana Hoxha e ka cilësuar shfaqjen si tejet interesante dhe të tillë që i përshtatet ambientit të hapur të “Prizrenfest”.

“Është një shfaqje që trajton elemente të ndryshme që kanë të bëjnë edhe me solidarizimin, bullizmin, ngacmimin. Kur jetojmë në atë balonin tjetër dhe s’shohim asgjë tjetër përveç vetvetes dhe shohim që ajo po na ngufat”, ka thënë ajo.

Ka çmuar mënyrën se si shfaqja e intrigoi publikun e Prizrenit, duke bërë që shumë qytetarë të ndalen për të parë nga afër këtë rrëfim dramaturgjik.

Image
Në shfaqjen “Marea – Trio Tsaba”, është trupi që flet për trupin

“Si adhuruese e madhe e dans-teatrit dhe si një person që çmon shumë sakrificën që bëjnë kërcimtarët për artin, mendoj që ia vlen të vazhdohet me këtë teatër dhe ta edukojmë e zhvillojmë publikun tonë”, ka thënë Hoxha.

“Marea – Trio Tsaba” e përfaqësoi në “Prizrenfest” teatrin italian “Ararea Theatre”.