“Vitruvian Woman” është një lloj rikonceptimi i veprës së famshme të italianit Leonardo da Vinçi. Artistja Saranda Sadikaj e njohur me emrin artistik “Ms. Indefinite” e rikrijoi vizatimin me nam duke e avancuar në mediume moderne të artit. Vjen si protestë feministe për punën dhe për kujdesin e papaguar. Shpalosjen e veprës audiovizuale të artistes e ka pasuar paneli diskutues dhe promovimi i hulumtimit mbi çështjen e punës së papaguar të grave në Kosovë.
Në video paraqitet artistja e veshur me ngjyra bezhë për ta bërë më të përafërt me figurën nudo në veprën origjinale. Vjen si imazh ku subjekti tash është i lëvizshëm. Ato vijnë nën ritmin e lëvizjes së akrepave të orës. Tiktaket përshpejtohen derisa kalkulohen sekonda, minuta, orë, ditë, javë, muaj e vite punë pa pagesë. Ndërrimi i pozicionit të këmbëve dhe duarve korrespondon me këmbët dhe duart që nuk ndalen së punuari.
“Më shumë përfaqësohet si një lloj ekuilibri statik, gjeometrik dhe kozmik i njeriut por që më aspektin e burrit, video-performanca ‘Truvial Woman’ e rikonceptualizon atë nga perspektivat e njëjta”, ka thënë autorja e veprës, “Ms.Indefinite”.
Vizatimi “Vitruvius Man” i vitit 1940 është frymëzuar nga shkrimet e arkitektit të lashtë romak Vitruvius që paraqet figurën e një burri të mbivendosur në dy pozicione me krahët dhe këmbët e ndara brenda një forme rrethi dhe një tjetër në formën e katrorit. Po këto forma gjeometrike e rrethojnë edhe figurën e “Ms. Indefinite”.
Në fund të performancës, në video përfshihet shpjegimi i veprës në shqip e në anglisht.
“Ajo që është një ekuilibër statik në ‘Vitruvian Man’ tek ‘Vitruvian Woman’ bëhet një përfaqësim i lëvizjes së pabalancuar, duke ilustruar angazhimin e përditshëm dhe kohën e shpenzuar të grave në dhe për punët e shtëpisë, kujdesin e fëmijëve dhe kujdesin për të moshuarit. Me këtë adaptim artistiko-feminist, ndonëse ‘Vitruvian Woman’ futet ruan pozitat klasike, krahët dhe këmbët e zgjatura – në performim krahët e saj shndërrohen në akrepa të orës...”, shkruhet aty midis tjerash.
Një tjetër frymëzim të ngjashëm, ajo e kishte gjetur paraprakisht edhe në pikturën e Kolë Idromenos – “Motra Tone”, tabloja që konsiderohet një prej kryeveprave të artit shqiptar. Me “Motrat tona” ajo e kishte rikthyer portretin duke e avancuar atë në formatin e fotografisë lëvizëse. Në pesë video-instilacione ajo imitonte dukjen e personazhit të kryeveprës shqiptare duke u shfaqur me veshje e qëndrim të njëjtë si “Motra Tone”. Ato përfaqësonin plagët e gruas.
Menjëherë pas shfaqjes premierë të veprës në “Kino Armata”, ka pasuar diskutimi me temën “Puna e kujdesit pa pagesë dhe ndërrimi i dyfishtë”.
Hulumtuesja ekonomike Dita Dobranja ka thënë se kur kalkulohet puna e papaguar e grave del se gratë do të paguheshin me më shumë se një të tretën e pagës së tyre nëse do të vlerësohej me pagën mesatare në vend.
“E kam bërë një kalkulim që është shumë i thjeshtë se sa shumë do të fitonin gratë, qoftë të punësuara apo të papuna, do të fitonin nëse do të punësoheshin me pagë mesatare. Diçka që dihet është që pavarësisht nëse gratë punojnë me orar të plotë, të pjesshëm apo nuk punojnë fare në tregun e punës së paguar, ato e mbajnë barrën kryesore të punës së papaguar në shtëpi, pavarësisht sa i kanë të ardhur në punën e tyre të paguar”, ka thënë Dobronja, bashkautore e hulumtimit “Analizë gjinore: Një pasqyrë e shumanshme e drejtësisë gjinore në Kosovë”.
Drejtori i institutit për politika sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë se të dhënat e një prej hulumtimeve të tij tregonin se gratë angazhohen 44 për qind më shumë në punët e shtëpisë sesa burrat.
Ka thënë se qëllimin e hulumtimit të tij e ka ndarë “në tri interesime: së pari për të parë se kush angazhohet më shumë edhe pse e dimë përgjigjen por për të parë një realitet më të detajuar. E dyta është të shihet në aspektin shoqëror dhe kulturor se çfarë mendohet rreth kësaj dhe e treta se deri në ç’ masë kjo po riprodhohet te gjeneratat e reja”.
Ai ka thënë se puna e papaguar gjenerohet te gjeneratat e reja plotësisht ndërsa atë e redukton puna me pagë.
“E vërejmë te gratë që janë të punësuara, kur ato përgjigjen për kohët që kalojnë në shtëpi, shihet se një pjesë të konsiderueshme të orëve që i marrin për punën e papaguar, shihet se janë orë që do t’ia kushtonin vetes, për përkujdesje personale. Që i bie praktikisht që ato duhet të flenë më pak, do të kujdesen më pak për veten me qëllim që t’i kryejnë punët që nuk mund t’i kryejnë sa janë në punë”, ka thënë sociologu Ymeri.
Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se si pjesë e Forumit të Grave i janë drejtuar me kërkesë Qeverisë disa herë që të vihet në rend dite ligji i lehonisë dhe se kanë pritur dhjetë vjet që ky ligj të ndryshohet.
“Pse nuk po vjen një ligj i tillë, realisht këtu është çështja kryesore. Pse po i konvenon kësaj qeverie që të mos jetë ky ligj dhe më shumë angazhim në këtë drejtim. Sepse është kosto e lartë dhe nuk e shohin as kjo qeveri dhe as ato të kaluarat, si investim kapital apo si investim në mirëqenien apo kontributin për t’u përkushtuar në mirëqenien e qytetarëve. Në një formë as që dëshirojnë ta rikonceptojnë çështjen e punës”, ka thënë Demolli.
Ndërsa hulumtuesja Hana Bacaj ka thënë se të dhënat alarmante kanë bërë që të shpeshtohen diskutimet pasi me to është ngritur vetëdija. Ka thënë se gjetjet e saj tregojnë se institucionet janë larg mundësimit të shmangies së punës pa pagesë.
“Gjëja e parë që jam munduar të bëj ka qenë studimi i politikave dhe zakonisht kur vjen kjo në shprehje mendojmë vetëm për pushimin e lehonisë, të punës, por kjo shkon më thellë. Pos kësaj, pushimi prindëror është një prej aspekteve që është konsideruar, pastaj infrastruktura, siç është shkollimi i hershëm, qendrat puiblike për të moshuar. Në kosovë e dimë se ka një numër shumë të vogël të këtyre qendrave”, ka thënë ajo në panel.
“Një e dhënë që e pata gjetur tregon se institucionet publike për të moshuar janë shumë të përballueshme financiarisht, por nuk kanë kapacitet as për një për qind të të moshuarve që janë në Kosovë”, ka shtuar ajo më tej në panelin e moderuar nga gazetarja Dafina Halili.