Kulturë

Marcos Varela dhe grupi i tij shkrijnë stilet me jazz bashkëkohor

Amerikani Marcos Varela është mjeshtër i kontrabasit, njëkohësisht edhe aranzhues i këngëve e kompozitor. Karrierën muzikore e nisi kur ishte 17 vjeç e brenda një viti ai ishte një nga muzikantët e nderuar nga “NFAA International Jazz”. Varela kishte dëgjuar për Kosovën si riosh, kur nga fundi i viteve ’90 mediat raportonin për luftën.

Dy dekada që nga ato pamje, kontrabasisti – i cili ka luajtur me legjenda të jazzit si bateristët Billy Hart e Charli Persip dhe kantuautoren Martha Wainwright – erdhi në Prishtinë. Bashkë me miqtë e tij, Bill McHenry në saksofon, Leo Genovese në piano dhe Darren Beckett në bateri, performuan në natën e tretë të “Prishtina Jazz Week”. Përmes kompozimeve, kryeqytetit i dhuruan një mbrëmje të jazzit bashkëkohor.

Ardhja në Prishtinë ishte një projekt i veçantë për muzikantët, pasi që, siç ka thënë Marcos Varela, kjo ishte hera e parë që performuan në një formacion të tillë.

“Në fillim luaja shumë muzikë ‘west african’ dhe jam inspiruar për të luajtur gjëra me këtë ritëm, por që është jazz. Pastaj edhe kompozime me melodi që vijnë edhe nga Ballkani, në fakt nga Hungaria. Në anën tjetër unë jam rritur duke dëgjuar ‘rock and roll’ dhe dëshiroj që të sjell këngë që e kanë këtë ritëm por që mbesin brenda jazzit”, ka thënë kontrabasisti i cili solli disa nga hitet e tij.

Mbrëmjen e nisi me “Colinas de Santa Marina” nga albumi i tij “San Ygnacio” dhe e mbylli më kompozimin “Where The Wild Things Are”, që përthekon tinguj rock. Ishte kompozimi i cili mori më së shumti duartrokitje nga publiku mbrëmjen e së mërkurës. “Njerëzve u pëlqen ajo këngë, besoj që është hiti im”, ka thënë Varela për këtë këngë që po ashtu është pjesë e albumit “San Ygnacio” të vitit 2016. Marcos Varela vitin e kaluar lansoi edhe albumin e dytë të titulluar, “Acaso”.

Bas-kitaristi Fatlind Ferati, i cili luan muzikë jazz me miqtë e tij Dukagjin Muhaxheri e Visar Kuçi, ka thënë se koncerti ishte mjaft i mirë dhe solli një jazz i cili brenda vetes ka absorbuar rryma të reja.

Edicioni i tretë i “Prishitna Jazz Week” përfundon sot (e premte) me koncertin e “Prishtina Big Band” që fillon në orën 20:00 në “Kino Armatë”. Pas koncertit mbahen edhe “Jazz sesion” në “Zanzi Jazz Club” në Prishtinë. (Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)