Kulturë

“Manifesta” shpalos datat dhe objektet që do t’i transformojë në Prishtinë

Janë bërë publike datat dhe vendet, në të cilat bienalja evropiane “Manifesta” do ta fillojë ndërhyrjen për rivitalizimin e hapësirave publike. Detajet janë dhënë në një konferencë për media, të premten.

Prishtina do të jetë nikoqire e ndërhyrjeve në hapësira publike në edicionin e 14-të të Bienales Evropiane Nomade “Manifesta”, vitin e ardhshëm e ky gjallërim kulturor do të ndihet prej 22 korrikut deri më 30 tetor.

Ish-Fabrika e Tullave është objekti i parë, i cili do të shndërrohet përkohësisht në një hapësirë të komunitetit apo, siç i referohen organizatorët, “dhomë urbane e ndejës”.

Pas saj, ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani” është objekti i radhës që, me bashkëpunimin edhe të studentëve të Fakultetit të Arkitekturës, do të kthehet nga një hapësirë e braktisur publike në një vend të qasshëm.

Detajet e organizimit i ka bërë të ditura drejtoresha e “Manifestas”, Hedwing Fijen, bashkë me bashkëthemeluesin e kësaj ngjarjeje, arkitektin Carlo Ratti, zëvendësministren e Kulturës, Daulina Osmani, dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Janë dy pika të rëndësishme: metodologjia përmes së cilës Prishtinën do ta bëjmë model dhe pika e dytë fokusimi në hapësirat publike, duke filluar nga Fabrika e Tullave dhe Biblioteka, duke i shndërruar në institucione kulturore”, ka thënë Ritti.

Drejtoresha e “Manifestas”, Hedwing Fijen, ka thekuar rëndësinë e këtij organizimi për turizmin vendor.

“Arsyeja e përzgjedhjes së këtyre datave qëndron në faktin që Bienalja merr kohë për arritjen e qëllimeve tona për diversitetin e audiencës. Ne duam të kemi rini e diasporë të Kosovës, të angazhohemi me profesionistët e kulturës nga regjioni dhe me ata ndërkombëtarë, të thërrasim gazetarë ndërkombëtarë. Ne duam ta eksplorojmë kulturën e rinisë së shtetit më të ri në Evropë”, ka thënë Fijen.

Sipas zëvendësministres së Kulturës, Daulina Osmani, “Manifesta” vjen në një periudhë shumë të veçantë dhe të rëndësishme kulturore.

“Kosova pas 20 vjetësh i ka rreth 103 festivale kulturore dhe kapacitete të reja arsimore në të gjitha nivelet e studimeve. Nëse 0.70 për qind e popullatës, që merret në mënyrë aktive me kulturën në të gjitha sferat, kapacitetet e strukturat e reja të dokumentacioneve dhe profileve të reja të studimit, zhvillohen dhe e zhvillojnë ekspertizën brenda dhe jashtë Kosovës”, ka thënë Osmani.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ndërhyrja që do të bëhet në Fabrikën e Tullave do ta ulë pabarazinë shoqërore.

“Pas diskutimeve të gjata që kemi pasur, ne kemi kërkuar si Komunë nga ‘Manifesta’ që tema kryesore të jetë se si t’i mbajmë, ruajmë dhe rimarrim hapësirat publike”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, Tullorja gjendet në një prej lagjeve më të varfra në Prishtinë, e cila ka pasur edhe mungesë të investimeve në kohë dhe është interesant se si prej një distance 500-metërshe ka dallim aq të madh socio-ekonomik.

Bienalja ndërkombëtare “Manifesta” ka përzgjedhur Prishtinën për shkak të rëndësisë gjeografike e politike në Ballkanin Perëndimor, si dhe adresimit të identitetit vendor në hapësira publike.