Kulturë

“Manifesta”: Mbi 50 për qind e kryeqytetasve, në asnjë ngjarje kulturore

“53 për qind e njerëzve shprehen se nuk kanë ndjekur asnjë ngjarje kulturore, teksa vetëm 30 për qind e tyre raportojnë të kenë ndjekur vetëm 1 deri 2 ngjarje gjatë vitit të kaluar”, është njëri prej rezultateve që ka dalë prej anketës publike në Prishtinë. Ani pse me 300 të anketuar në kryeqytet, megjithatë “Manifesta” ka nxjerrë disa shifra e konkluzione që shikuar në tërësi janë alarmante. Për shembull, qendrat tregtare dalin më të frekuentuarat, bibliotekat mbeten tepër larg. Rezultatet e anketës dhe ato të konsultimeve me qytetarët janë prezantuar të martën mbrëma në Sallën e Kuqe në Prishtinë

Centralizimi i aktiviteteve kulturore bën që jeta e artit kryesisht të shihet se frymon vetëm në Prishtinë. Qytetet e tjera brenda një viti kanë përqindje më të ulët të organizimeve. Mirëpo, kudo që shtrihen ato, ulëset mbesin shumë shpesh të zbrazëta, pavarësisht që ato nuk janë matëse të gjendjes kulturore, veçmas në dy vjetët e pandemisë. Gjendja është e njëjtë gati kudo, qoftë kjo shfaqje në teatër, koncert, në ndonjë festival, të Filharmonisë, ekspozitë nëpër galeri e plot të tjera. Lista e ngjarjeve është e gjatë, por jo edhe e pjesëmarrësve. Krijimet artistike kryesisht konsumohen nga vetë komuniteti.

Shikuar përgjithësisht arsyet për këtë mund të jenë prej më të ndryshmeve, disa mund t’ua dhënë kahen e cilësisë së organizimit e disa te çështja e preferencave të qytetarëve.

Në këtë mes është festivali nomad “Manifesta 14” ai i cili para se të vendosë që artin t’ua sjellë qytetarëve ka vendosur t’ua marrë edhe opinionet për preferencat e nevojat.

Ani pse me 300 të anketuar në Prishtinë, megjithatë “Manifesta” ka nxjerrë disa shifra e konkluzione që shikuar në tërësi janë alarmante.

“53 për qind e njerëzve shprehen se nuk kanë ndjekur asnjë ngjarje kulturore, teksa vetëm 30 për qind e tyre raportojnë të kenë ndjekur vetëm 1 deri 2 ngjarje gjatë vitit”, është vetëm njëri prej rezultateve.

Qendrat tregtare – më të frekuentuarat, bibliotekat kurrkah

Lexueshmëria është e dobët, bibliotekat frekuentohen nga 20 për qind e popullsisë e që shumica prej tyre janë studentë, duke qenë mosha më e re se ajo 26 vjeçare. Respodentët kur pyeten thonë të shkojnë “shpesh” ose “shumë shpesh” në aktivitete kulturore, ndërkohë që si pjesëmarrje për teatër ka përqindje prej 5.3 për qind, koncerte 10 për qind dhe muze e ekspozita 4 për qind. Kur pyeten për preferencat e tyre, ata shigjetojnë qendrat tregtare, kafenetë e shëtitoret.

Rezultatet e anketës publike të “Manifestas” me 300 respodentë të zonave rurale e urbane të Prishtinës janë prezantuar mbrëmjen e së martës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Organizatorët kanë trokitur derë më derë nëpër shtëpi të rëndomta për të marrë një përfaqësim përmes një shifre e cila është e vogël, por që pasqyron një pjesë të realitetit. Krahas anketës publike janë publikuar edhe rezultatet e konsultimeve me qytetarët, realizuar me 129 pjesëmarrës. Për dallim prej anketës, vetëm në Prishtinë, konsultimet janë shtrirë edhe në Fushë-Kosovë e Graçanicë. “Manifesta” ka nxjerrë si kryetema nevojën e gjithëpërfshirjes së aktiviteteve kulturore edhe jashtë Prishtinës, duke u ofruar kushte të nevojshme ambientale personave me aftësi të kufizuara dhe mbështetje për komunitetin LGBT, rimarrjen e hapësirave publike dhe shndërrimin e tyre në vende rekreative si ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani” e Fabrika e Tullave, përfshirjen e komunitetit serb në Graçanicë e komunitetet rom, ashkali, egjiptian në Fushë- Kosovë në jetën kulturore. Të gjitha këto gjetje kanë ardhur si përpjekje “para bienal” të “Manifestas”, të realizuara gjatë muajve shtator e deri në dhjetor të vitit të shkuar.

Kështu organizatorët janë shprehur se tanimë kanë reformuar metodologjinë e punës duke mos u sjellë ekspozita bashkëkohore si në qytete të tjera ku ka rrugëtuar, por duke u marrë me zgjidhje konkrete të problematikave, pikërisht kur zbarkon për të parën herë në Ballkanin Perëndimor, pas rrugëtimit në Marsejë, Palermo, Zürich, Shën Petersburg e në disa vende të tjera evropiane. Dhe në Prishtinë u shpalos përpara një publiku më të madh sesa zakonisht me pjesëmarrjen e mbi 100 personave.

Image
Sipas rezultatit të anketës, “pikat për më frekuentuara në Prishtinë janë qendrat tregtare, kafenetë/baret, parqet, sheshet/shëtitoret, lagjet, stadiumet/hapësirat sportive dhe kinematë”

Politikat e Bienales që synon të sjellë në Kosovë 200 mijë vizitorë

Për drejtoreshën e “Manifestas”, Hedwig Fijen, e ardhmja e një qyteti përcaktohet nga transformimi dhe imagjinata e vetë qytetarëve të tyre, e cila nis që nga pjesa e hulumtimit.

“Perspektiva jonë do të arrihet vetëm kur përmbushet ajo për të cilën po punojmë, përfshirja e komunitetit dhe publikut të përgjithshëm”, u shpreh ajo.

Tutje Fijen ka theksuar se fokusi i tyre do të jetë edhe ndikues te trashëgimia e qytetit.

“Ne nuk kemi qenë vetëm përfaqësues të artit bashkëkohor, duke marrë parasysh që çdo edicion kemi transformuar politikën tonë menaxhuese. Kemi menduar ta ndryshojmë modelin tonë artistik”, ka thënë Fijen për Bienalen, e cila aspiron t’i sjellë 200.000 vizitorë gjatë periudhës prej 22 korrikut deri më 30 tetor, atëherë edhe kur zyrtarisht do të nisë maratonën në Kosovë, ani pse qysh vitin e kaluar ka sjellë disa ngjarje.

Gjatë shpalosjes së rezultateve hulumtuesi Aliriza Arënliu, për rezultatet kryesore të këtyre dy mjeteve për të matur nevojat e qytetarëve, ka përmendur edhe gjetjet se hapësirat publike mendohen të jenë më shumë në interes ekonomik e politik të grupeve të caktuara sesa organizimeve kulturore, kërkohet transparencë rreth financimeve të skenës artistike, dëgjimet publike duhet të transformohen në aktorë të konsultave reale dhe jo vetëm të procedurave sipërfaqësore ku zëri i qytetarit nuk ka rëndësi.

Ish-objekti i bibliotekës “Hivzi Sylejmani” – kaherë i lënë pas dore, e me projekte të dështuara – është njëra prej “shënjestrave” të “Manifestas” për ta funksionalizuar. Sipas rezultatit të konsultave me qytetarët, sugjerohet që aty të organizohen aktivitete letrare, kopshte, ekspozita, kafeteri, teksa për ish-Fabrikën e Tullave apo Tulltoren – një tjetër objekt i përzgjedhur për ta transformuar – propozohet të ketë hapësira lidhshmëri përdorimesh: hapësira të gjelbra, markete, hapësira sportive, pishina e hapësira artizanale. Është theksuar se mungon qasja e informacioneve dhe ndihmës për shëndetin mendor në qytet e deri te përgjigjja se në pesë hapësirat kulturore zënë vend edhe “Albi Mall” e Parku i Gërmisë, përveç Bibliotekës Kombëtare, Teatrit e Muzeut Kombëtar.

Platformë që ua mundëson qytetarëve të ëndërrojnë e të shfaqin ide

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që në hyrje të fjalimit të tij ka promovuar takimet javore që po i mban me komunitetet artistike, duke premtuar se ato do t’i shtrijë edhe në qytete të tjera.

“Besoj që ka shumë pika ku bashkëpunimi ynë është i domosdoshëm në mënyrë që t’i dërgojmë kërkesat e skenës së pavarur artistike të Prishtinës. Përmes tyre ne kuptojmë nevojat e kërkesat e qytetarëve edhe ndaj institucioneve”, u shpreh ai.

Ka theksuar se mbetet me shpresën që “gjetjet nga hulumtimi do të flasin rreth zgjidhjeve dhe modeleve, e jo veç rreth problemeve e sfidave, por edhe politikave që duhet t’i ndërmarrim bashkërisht”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që në fillim e pyeti publikun në gjuhën angleze nëse duhej të fliste shqip, sipas tij, në shenjë të shpërfaqjes së mikpritjes shqiptare. “Manifestan” e cilësoi si platformë që ua mundëson qytetarëve të ëndërrojnë e të shfaqin ide në një mënyrë më të lehtë.

“Ideja e sinergjisë është e lidhur me organizatën e ‘Manifestas’ dhe Prishtinën. Është një rast shumë i mirë e fantastik që të dy trupat t’i ndihmojnë njëra-tjetrës të transformohen”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai falënderoi edhe ekipin para tij të Komunës së Prishtinës në krye me Shpend Ahmetin, gjatë mandatit të të cilit në vitin 2019 u nënshkrua edhe protokolli i bashkëpunimit mes dy palëve për Festivalin të cilit garojnë t’i bëjnë nikoqirllëk shumë qytete evropiane.

“Ideja që përmes urbanes ta sjellim artin te qytetarët e jo t’i çojmë qytetarët tek arti fillon me komunitet e transformohet me të. Pjesa që qytetarët të jenë pjesë përbërëse e transformimit është bazë për këtë”, ka thënë ai. “Ta shohim këtë si një energji të madhe që vjen në Prishtinë, ta shfrytëzojmë për zhvillim të kulturës e ekonomisë. Ndërlidhja me komunitetin e bisedimi i sinqertë dhe i hapur duhet të bëhet edhe në qytete të tjera të Kosovës, edhe në rajon”, ka thënë ai, duke aluduar te çështja e rritjes së turizmit përmes “Manifestas”, teksa ka thënë se edhe në rast të mbingarkesës së hotelerisë “nëse s’kanë ku të flenë mund t’i hapim shtëpitë tona”.

Në fund u hap edhe pjesa e diskutimeve ku qytetarët shtruan pyetjet e tyre për Festivalin, i cili premton ta përmirësojë gjendjen kulturore të hapësirave publike dhe më gjerë.

Konsultimet me qytetarë u zhvilluan nga stafi i edukimit të “Manifesta 14” në bashkëpunim me Studio L Atë ndihmuar nga Applicative Research Solutions, NGO Aktiv dhe “Termokiss”.

Në maj të vitit 2020 ishte nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit mes ish-ministres në detyrë të Kulturës, Vlora Dumoshi, dhe drejtoreshës së “Manifestas”, Hedwig Fijen, përmes një lidhjeje online. Kështu kishte nisur edhe rrugëtimi i përkrahjes prej 1.4 milionë eurosh nga institucioni më i lartë kulturor në vend , teksa në tërësi ky festival i kushton Kosovës 4.6 milionë euro.

Bienalja nomade evropiane, “Manifesta”, lindi në fillim të viteve 1990 si përgjigje për ndryshimet politike, ekonomike e sociale pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave vijues drejt integrimit evropian. “Manifesta” është shndërruar në një platformë dialogu mes artit dhe shoqërisë duke ftuar komunitetin kulturor, artistik dhe urban të prodhojë përvoja të reja kreative me dhe për kontekstin në të cilin zë fill. “Manifesta” rimendon marrëdhëniet midis kulturës dhe shoqërisë duke hulumtuar dhe katalizuar ndryshimet pozitive sociale në Evropë përmes kulturës bashkëkohore në një dialog të vazhdueshëm me sferën sociale të një vendi të caktuar.

“Manifesta” është themeluar dhe drejtohet nga historiania holandeze e artit, Hedwig Fijen. Çdo edicion i ri financohet individualisht dhe menaxhohet nga një ekip i përhershëm i specialistëve ndërkombëtarë.

Për edicionin e saj të katërmbëdhjetë në Prishtinë eksploron se si të rimerret hapësira publike për qytetarët, ndërsa kërkon mënyra të reja të rrëfimit brenda mjedisit social, ekologjik dhe urban. “It maatters what worlds world worlds: how to tell storiesotherwise” (Ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të tregojmë histori ndryshe), është titulli kuratorial i edicionit të sivjetmë.