Kulturë

“Make Art, not War” thërret për të sotmen nga Çarshia e Pejës më 1999

Kur shenjat e luftës ishin ende aty, midis gërmadhash në Çarshinë e Gjatë të Pejës, artistët u bënë tok që t’i kundërpërgjigjeshin atij imazhi me art. Në 30 tetorin e 1999-s, do të nisnin rimëkëmbjen më shumë si një lloj thirrjeje e nxitje shprese. Tash një ngjarje si kjo, rikthehet nëpërmjet 110 fotografive në ekspozitën “Make Art, not War” të Shkëlzen Maliqit. Fotot nuk janë veç një lloj dokumentimi i asaj ngjarjeje. Aty thuren edhe mesazhe për të sotmen

Shenjat e luftës janë ende të freskëta në Çarshinë e Gjatë të Pejës. Është 30 tetori i vitit 1999. Ky vend qe bërë shkrumb. Por një grup artistësh kishte vendosur që t’i kundërpërgjigjet këtij imazhi me art. Në krye së nismës qenë artisti Sokol Beqiri dhe organizata “Balkan Sun Flowers Kosova”. Do të organizonin ngjarjen me një qëllim. Në thelb kishte mesazhet për rindërtimin e qytetit. Me art pamor e muzikë synohej një lloj rimëkëmbje e qytetit, motivim për popullin dhe zbehja e zymtësisë së luftës.

Gati çerekshekulli pas, këto shenja në Çarshinë e Pejës janë zhdukur, por filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, i rikthen me fotografi. Dhjetë ditë pa u shënuar plot 24 vjet prej ndërhyrjes, mbi njëqind fotografi janë shpalosur për publikun. Janë përmbledhur në ekspozitën “Make Art, not War” që vjen si domosdoshmëri e përcjelljes së mesazhit edhe sot. Lidhet me sulmin terrorist serb në Banjskë.

Fotografitë e ekspozuara në galerinë “Hani i Dy Robertëve” në kryeqytet – një simbol i rezistencës me art në kohën e represionit ndaj shqiptarëve –vijnë si artefakte për periudhën që qëndronte midis gëzimit për lirinë dhe dhimbjes për humbjen.

Çarshia ishte ringjallur në imagjinatën e artistëve me ndërhyrjet nëpërmjet ngjyrosjes së mureve, improvizimit të dyqaneve në atë pjesë. Madje njëra prej veprave, ajo e Sokol Malushagajt, përfshinte rindërtimin e një muri.

Vepra e artistit Gani Bajraktari përfshinte intervenime të vogla në mbetjet e shkallëve të shkatërruara me ngjyrë të bardhë. E zeza dhe e kuqja ishin gjithashtu ngjyrat e përdorura aty. Sipas përshkrimit të autorit të fotografive, Shkëlzen Maliqi, në librin e tij “Arti në rezistencë – Shkrimet e fundshekullit 20” e ka vlerësuar veprën e tij si “homazh trishtues për viktimat e luftës“. Me veprën e tij krijonte iluzionin e njeriut që tentonte të ngjitej nëpër shkallët e shkatërruara.

Artisti nga Peja, Erzen Shkololli, do të riciklonte mbetjet e luftës për të krijuar veprën. Siç shihet në fotografi, ishin ca shkallë të ngjyrosura me të gjelbër dhe disa palë këpucësh të ngjyrosura me të kuqe. Ndonëse mesazhet e nismës ishin për rindërtim, ringjallje të asaj zone e të motivit të popullit nëpërmjet ndërhyrjes artistike, duken se kanë qenë tejet të ndikuara nga pasojat e luftës. Ndërhyrja e Shkolollit ngjan se ka qenë homazh për viktimat e luftës dhe se rrëfimi nëpërmjet artit është përcjellë nga njëri te tjetri pjesëmarrës.

Arti i Mehmet Behlulit në atë hapësirë “ekspozuese” përfshinte një mur. Kishte disa dritare në pjesën që kishte zgjedhur ta ngjyroste. E kaltra, kur përmendet në rrethanat e asaj kohe, çon në mendje lirinë, ndjeshmërinë, imagjinatën e frymëzimin. Vepra e tij titullohej “United Colors of Benetton”.

Artisti e profesori Mehmet Behluli, është ritakuar me imazhet e ngjarjes 24 vjet pas. Ai ka thënë se vepra e tij ka qenë ndërhyrje simbolike për t’u dhënë shpresë njerëzve dhe kurajë për rindërtim.

“Ky është një prej aktiviteteve të para pas lufte, pasi u çliruam, u tërhoqën forcat serbe, forcat ndërkombëtare dhe ne e ndienim veten të lirë, çuditërisht të lirë, nuk di as ta shpjegoj atë. Si pasojë e kësaj, disa artistë, në krye me Sokol Beqirin e organizuam një projekt, e shënuam disi përfundimin e luftës, fillimin e paqes, rindërtimin. I ftuam disa artistë, secili filloi të rindërtonte në mënyrë artistike”, ka thënë Behluli derisa ka kujtuar fragmente nga ngjarja.

Sipas tij, artistët kanë provuar t’i nxjerrin njerëzit nga errësira e gjendjes emocionale.

“Komplet aty ka qenë e djegur, si pasojë e kësaj e bëmë rindërtimin artistik të asaj që nuk rindërtohej. Arti është vetëm refleksion i situatave reale që situata nuk ishte aq me ngjyra, e ndritshme, siç kam provuar unë ta paraqes. Njerëzit kishin humbur shumë, ishin humbur jetë njerëzish, shtëpitë, gjithçka. Por thjesht të ndërmarrim diçka që njerëzit të ndiejnë prezencën e artistëve që në mënyrë simbolike provuan të rindërtojnë Çarshinë e Pejës”, ka thënë më tej Behluli.

“Ringjalljen” e Çarshisë e kishte improvizuar artisti Albert Heta. Intervenimi minimalist ishte domethënës pasi “funksionalizonte” edhe njëherë atë pjesë me anë të një shkrimi simbolik – “Free shop” – në njërin prej mureve të shkatërruara.

Njëri prej blloqeve të mëdha ku bëhet kolazh i shumë fotografi mban emrat e Kushtrim Devës dhe Eduard Çarrit. Në gjurmim vizual të tyre në fakt ngjan se vetë imazhi i Çarshisë ka qenë art më vete. Historitë dhe rrëfimet e veprave kanë qenë vetë elementet e përfshira. Ata e rindërtojnë artistikisht një dyqan rrobaqepësie, duke përdorur materialet e gjetura në gërmadhë si një makinë rrobaqepësie, karrige dhe duke ngjyrosur muret aty.

Serinë e rikuperimit nëpërmjet artit të asaj pjese të qytetit e ndoqi edhe Zymber Mulliqi që ishte marrë me pamjen e mureve dhe të dyerve. Ndërkohë, një ndërhyrje më abstrakte kishte qenë ajo e artistit Haxhi Kastrati. Nuk kishte munguar as arti i njërit prej nismëtarëve për njërën ndër ngjarjet e para artistike paslufte.

Sokol Beqiri kishte bërë një performancë ku ishte i veshur uniformë ushtarake serbe. Çarshisë së Pejës i ishte dhënë jetë edhe me tinguj muzike ku kishin interpretuar Besa Beberi, Babuka e Gola në tupanë dhe një kor i fëmijëve.

Tejet i veçantë kishte qenë edhe arti i fëmijëve të cilët ishin të lirë të shprehnin imagjinatën e tyre në muret e shkatërruara e orenditë që gjendeshin aty brenda. Forma e diellit, ajo e shtëpisë janë prej atyre që shihen në fotografi. Kjo pjesë, sipas dokumentuesit të ngjarjes, filozofit e kritikut të artit, Shkëlzen Maliqi, ka qenë më interesantja dhe më e hareshmja e krejt organizimit.

“Secili prej artistëve e ka zgjedhur një hapësirë dhe ka punuar diçka aty. Plus edhe fëmijët kanë punuar, kanë pasur ngjyra, kanë punuar çfarë kanë dashur. Ideja ka qenë të nxitet popullsia të ndërmarrë diçka paslufte. Dy probleme i ka pasur pak më të shprehura: gërmadhat, Peja ka qenë komplet e djegur, sidomos zonat e banuara nga shqiptarët dhe plehrat. Nuk ka qenë jeta e organizuar si duhet, të ketë aksione të ndryshme, ka pasur shumë plehra në qytet”, ka thënë Maliqi.

Aparati i tij fotografik me film ka kapur gjithsej 110 fotografi që janë histori më vete e një pjesë të historisë së vendit. I veçantë është titulli që i ka vendosur ekspozitës, ku sipas Maliqit, ndërlidhet edhe me situatën sot.

“Ia kam vënë emrin ngjarjes ‘Make Art, not War’. Porosia e të gjithë atyre që kanë qenë këtu është kështu. Edhe aty e kam reflektuar të keqen, ndodhi lufta, përfundoi, çka pas. Tash porositë e ndryshme, por është diçka që kthehet. Ndoshta është koincidencë që tash para disa javëve kemi pasur tentimin për t’u ndezur lufta në veri të Kosovës”, ka thënë Maliqi.

Ekspozita “Make Art, not War” do të qëndrojë e hapur në galerinë “Hani i Dy Robertëve” në kryeqytet për një muaj.

Sipas udhëheqësit të galerisë, Fadil Dragaj, ekspozita i kontribuon njohjes së publikut me luftën në vend.

“Për të rinjtë sidomos, nuk po flas vetëm për të rinjtë e artit, por në përgjithësi. Opinioni po harron çfarë ka qenë lufta. Është mirë të vizitohet dhe të shihet çfarë ka qenë ’99. Këtë që e ka dokumentuar Shkelzeni, ne si ‘Han’, e kemi menduar se edhe ‘Hani’ është djegur totalisht. Të rinjtë nuk e dinë, është mirë t’i rikujtojnë e t’i mësojnë. Jeta nuk është gjithmonë e bukur”, ka thënë ai.

Ekspozitës i janë bashkëngjitur edhe faksimile që sjellin raportimet e kohës për ngjarjet.

“Ngadhënjimi mbi të keqen” është titulli i artikullit të Adriatik Kelmendit të botuar në të përditshmen “Koha Ditore” më 31 tetor 1999, Për ngjarjen kishte shkruar edhe vetë autori në revistën “Sheshi” në nëntor të 1999-s. “Make Art, not War” të premten mbrëma ka ardhur edhe njëherë si shënjues i ngjarjes së 30 tetorit të 1999-s , mesazh të cilin atë kohë e kishte vulosur në titull reviste.