Oborri i gjerë me plot gjelbërim është bërë sebep që fotografi Hazir Reka të nisë një seri të re fotografish që shpërfaqin pjesë të ndryshme rreth shtëpisë së tij.
Përhapja e pandemisë COVID-19 e bëri fotografin kosovar që nga mesi i marsit të marrë rrugë për në fshatin e tij, Nerodime e Epërme të Ferizajt. Aty ku po vazhdon të qëndrojë tash e tre muaj, ka realizuar mbi 70 fotografi artistike. I lidhur fort me profesionin e tij, gjeti një mënyrë për të mos u shkëputur nga pasioni edhe brenda hapësirës që e rrethon tash e disa muaj.
“Nga kopshti im” (“From my Garden”) titullohet projekti i tij fotografik që sjell pamje shumëngjyrëshe të oborrit të tij. Lidhur me këtë seri fotografish, ai planifikon që ta realizojë një projekt fotografik, që mund të jetë një ekspozitë që synon ta realizojë në oborr, e në plan ka edhe botimin e tri albumeve që pasqyrojnë rrugëtimin e shtetit më të ri në Evropë.
Ndryshimet e motit në fshatin juglindor të Kosovës, Reka thotë se po i japin përditë pamje të ndryshme kësaj pjese prej nga po nxjerr fotografitë.
“Nga koha kur kam ardhur, janë bërë rreth 75-76 ditë dhe gjatë kësaj kohe kam fotografuar çdo ditë, ndonjëherë një apo më shumë fotografi në ditë. Për çdo ditë këtu lëviz natyra, kur kemi ardhur ka qenë me borë, pastaj u mbush i gjithë oborri me lule”, tregon fotografi kosovar Hazir Reka.
Karriera e tij prej fotografi është e shtrirë në më shumë se tri dekada. Fotografi nga Ferizaj, si fotoreporter i agjencisë botërore të lajmeve “Reuters”, ka dokumentuar ngjarjet e kthesave historike të Kosovës. Situata e krijuar gjatë kohës së pandemisë ia ka sjellë para syve disa kujtime të viteve të ‘90.
“Kur kam ardhur rrugës për në Nerodime, kam parë shumë njerëz në një dyqan që shiste miell. Edhe pasi kalova, u ndala thashë ta shoh çfarë po presin. E pashë që po presin për miell dhe pastaj më shkoi mendja ta marr edhe unë një thes miell. Rrugës duke menduar, m’u kujtua kur kemi pasë qenë në Prekaz, në sulmin e dytë të Jasharëve. Kemi qenë te Hamza në një dhomë në atë kompleksin e tyre dhe aty kanë qenë tre thasë të mbushur me kollomoq dhe tre thasë me mish të terur, pra kishin bërë parapërgatitjet më herët për më pas ushqimin rezervë. Dhe m’u kujtua ajo kohë kur u ndala ta blija miellin”, tregon fotografi Reka për KOHËN.
Ai synon që këtë seri fotografish ta përmbledhë në një projekt të radhës. Kur projekti të marrë formën e ekspozitës, planifikon që atë ta mbajë aty ku i ka realizuar fotografitë.