Heroi kombëtar, Skënderbeu, është përjetësuar edhe në tinguj dhe vjen madhështor njashtu sikurse vepra. Opera solemne “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kryezot i Arbërit” e Vasil Toles ka ardhur në version koncertal. Gërsheton muzikën klasike e atë moderne me folklor shqiptar. “Na bëri bashkë Skënderbeu. Është vërtet kënaqësi që kjo vepër u bë njëkohësisht premierë në Tiranë dhe në Prishtinë”, ka thënë Tole
Arti dhe historia shqiptare u shkrinë në një me premierën e veprës së kompozitorit Vasil Tole “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kryezot i Arbërit”. U bënë bashkë edhe Orkestra Simfonike dhe Kori i Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe Kori e Orkestra të Filarmonisë së Kosovës. Pas premierës botërore të dhënë në Tiranë më 9 maj, të mërkurën mbrëma opera erdhi edhe në version koncertal në Kosovë, në “AMC Hall”.
“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kryezot i Arbërit” ka në qendër jetën dhe përjetësinë e figurës së heroit kombëtar. Libreti i operës solemne dhe fryma e kompozimit të saj janë mbështetur mbi disa motive të veprës së njohur të Fan Nolit “Skënderbeu – kryezot i Shqipërisë”. Nis me uverturën “Daullet e luftës” dhe vazhdon për një orë e gjysmë me katër arie nën drejtimin e dirigjentit Sieva Borzak nga Italia, Dritan Lumshit nga Shqipëria dhe Hajrullah Sylës nga Kosova.

Muzikologu Vasil Tole ka ndarë emocionet e mbrëmjes me shpresën që herën tjetër të përurohen vepra të tilla në objekt të Operës së Kosovës.
“E kam thënë edhe disa herë të tjera, na bëri bashkë Skënderbeu. Është vërtet kënaqësi që kjo vepër u bë njëkohësisht premierë në Tiranë dhe në Prishtinë, që u bashkuan trupat më të mira muzikore që ne kemi edhe nga Teatri Kombëtar i Operës, edhe të Filharmonisë të Kosovës. Ndihem shumë mirë nga pritja dhe kjo është një shenjë tjetër që jeta muzikore e Kosovës, institucionet e Kosovës janë pjekur deri në një nivel të tillë që e meritojnë plotësisht atë që është dekretuar tani, institucionin e Operës dhe me shpresë që kur të ketë raste të tjera t’i bëjmë përurimet në ndërtesën e re të Operës së Kosovës”, ka thënë Tole. Nëpërmjet veprës së tij ai synon të sjellë një Skënderbe më ndryshe. Duke u bazuar në traditën e muzikës shqiptare ai ka listuar figura të rëndësishme të kësaj fushe si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
“Ka një traditë të mrekullueshme në muzikën shqiptare dhe këtu kam parasysh si në Shqipëri, si në Kosovë. Që me Martin Gjokën në vitet ’20 me veprën ‘Dy lule mbi varr të Skënderbeut’, pastaj Fan Nolin me poemin simfonik ‘Skënderbeu’, pastaj Fahri Beqirin, kompozitorin tonë të shquar të Kosovës me një poem simfonik për Skënderbeun dhe Prenk Jakovën me një operë për Skënderbeun. Krahas figurës së Skënderbeut në muzikën botërore dhe duke e ditur gjithë eksperiencën, Çesk Zadeja sigurisht që ia ka dhënë vulën me muzikën e filmit”, ka thënë Tole.

Struktura e veprës gërsheton rreth Skënderbeut të gjitha vlerat e popullit shqiptar.
"Duke e ditur gjithë këtë mendova që për rëndësinë që ka figura e Skënderbeut, të vazhdojë udhëtimi i këtij personaliteti më të rëndësishëm të kombit shqiptar në tingujt e krijimtarisë më të re muzikore shqiptare dhe bëra një kombinim të aries dramatike me një personazh, ku personazhi i vetëm është Skënderbeu, i cili tregon jetën e vet me disa arie dhe njëkohësisht përjetësia të tregohej përmes numrave të korit si një shenjë që figura e tij, vepra e tij dhe trashëgimia e tij për ne shqiptarët janë të paharrueshme”, ka thënë kompozitori.
Veprën “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kryezot i Arbërit”, dirigjenti nga Italia, Sieva Borzak, e ka vlerësuar të mrekullueshme. Ka thënë se e nderon puna me Tolen.
“Vepra është mbresëlënëse. Pata mundësinë që të punoja me kompozitorin në këtë kompozim, të marr komentet e tij, ta lejoj të më shpjegojë se çfarë është ajo që ai dëshiron të flasë me anë të kësaj vepre, dhe cilat janë emocionet që ai dëshiron t’i përçojë. Është vepër e mrekullueshme e cila gërsheton muzikën klasike moderne me shumë motive të folklorit shqiptar si nga Shqipëria edhe nga Kosova, nga ky regjioni verior i Shqipërisë. Kjo mund të dëgjohet saktë dhe është magjepsëse se sa bukur funksionin kjo përzierje”, ka thënë Borzak.
Në rolin e Skënderbeut e të solistit erdhi baritoni Artur Vera. Ai ka uruar që duke e dhënë shpirtin në funksion të zërit të kenë arritur ta përçojnë te publiku atë çfarë kanë ndier gjatë performancës.
“Vepra e profesor Vasos është një vepër e re, e konceptuar ndryshe që e lidh Skënderbeun me përjetësinë dhe me realitetin e historiken. Skënderbeu paraqitet një Skënderbe i menduar më shpirtëror që tregon për jetën e tij, për frymëzimin e tij, për burimin e atij frymëzimi për të luftuar dhe e lidh këtë figurë me figurën e Shën Gjergjit dhe Skënderbeu tjetër që paraqitet më i ri, ai Skënderbeu luftëtar, historik, heroik, që ne jemi mësuar ta shohim, duke i lidhur të gjitha këto me pjesët nga mesha hyjnore. Është shumë interesante konceptimi, kompozimi i profesor Vasos dhe njëkohësisht mua më është dashur një punë e jashtëzakonshme e përditshme në Teatrin e Operës dhe Baletit, me pianistët me të gjithë bashkëpunëtorët tanë”, ka thënë Vera.
Në mesin e shumë të pranishmëve në koncertin e së mërkurës ishte edhe drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Abigeila Voshtina.
“E lumtur që jehona stilistike e Beethovenit, e cila himnizon odën e gëzimit, së bashku me ritmet e ‘Skënderbeut’ të Çesk Zadesë, përmbyllin këtë vepër që flet fort për vazhdimësinë e krijimtarisë shqiptare. Duke bashkuar forcat me Filharmoninë e Kosovës, sollëm në Prishtinë, pas suksesit në Tiranë, operën solemne ‘Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kryezot i Arbërit’, me kompozim të mjeshtrit Vasil S. Tola, me regji të Ada Gurrës dhe nën dirigjimin e Sieva Borzak, Dritan Lumshit dhe Hajrullah Syla. Kënaqësi të bisedonim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me ministrin e Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku, për bashkëpunime të mëtejshme mes dy shteteve vëllazërore”, ka shkruar Voshtina në një postim në Facebook.
Kompozitori Kreshnik Aliçkaj ka thënë se duhet guxim për të shkruar për Gjergj Kastriotin. Për këtë e ka përgëzuar Vasil Tolen.
“Ishte një vepër madhështore dhe mjaft domethënëse. Sigurisht që të shkruash për heroin tonë kombëtar të cilin e njeh e gjithë bota nuk është e lehtë edhe me e marrë guximin të shkruash për Skënderbeun, gjë për të cilën e përgëzoj kompozitorin dhe mendoj që duhet vazhduar të shkruhet për figurën më të rëndësishme të kombit shqiptar”, ka thënë Aliçkaj.
Nën përcjellje të Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe atij të Teatrit të Operës dhe Baletit performuan edhe solistët Klodian Kaçani, Kaltrian Miftari, Dea Xhemajli dhe Rizah Jaha.