EXPRESS

Rrëfimi për Skënderbeun përjetësohet në tinguj

Arti dhe historia shqiptare u shkrinë në një me premierën e veprës së kompozitorit Vasil Tole “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kryezot i Arbërit”. U bënë bashkë edhe Orkestra Simfonike dhe Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Kori e Orkestra e Filarmonisë së Kosovës. Pas premierës botërore të dhënë në Tiranë më 9 maj, të mërkurën mbrëma, opera erdhi edhe në version koncertal në Kosovë, në “AMC Hall”.

Opera “Skënderbeu, kryezot i Arbërit” ka në qendër jetën dhe përjetësinë e figurës së heroit kombëtar. Libreti i operës solemne dhe fryma e kompozimit të saj janë mbështetur mbi disa motive të veprës së njohur të Fan Nolit “Skënderbeu – kryezot i Shqipërisë”.

Nis me uverturën “Daullet e luftës” dhe vazhdon për një orë e gjysmë me katër arie nën drejtimin e dirigjentit italian Sieva Borzak.

Muzikologu Vasil Tole ka ndarë emocionet e mbrëmjes me shpresën që herën tjetër të përurohen vepra të tilla në objekt të Operës së Kosovës.

“E kam thënë edhe disa herë të tjera, na bëri bashkë Skënderbeu. Është vërtet kënaqësi që kjo vepër u bë njëkohësisht premierë në Tiranë dhe në Prishtinë, që u bashkuan trupat më të mira muzikore që ne kemi edhe Teatri Kombëtar i Operës edhe të Filharmonisë të Kosovës. Ndjehem shumë mirë nga pritja dhe kjo është një shenjë tjetër që jeta muzikore e Kosovës, institucionet e Kosovës janë pjekur deri në një nivel të tillë që e meritojnë plotësisht atë që është dekretuar tani, institucionin e Operës dhe me shpresë që kur të ketë raste të tjera t’i bëjmë përurimet në ndërtesën e re të Operës të Kosovës”.

Tole ka thënë se me këtë vepër kishte dashur ta sillte një Skënderbe më ndryshe. Duke u bazuar në traditën e muzikës shqiptare ai ka listuar figura të rëndësishme të kësaj fushe si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

“Ka një traditë të mrekullueshme në muzikën shqiptare dhe këtu kam parasysh si në Shqipëri si në Kosovë. Që me Martin Gjokën në vitet ’20 me veprën ‘Dy lule mbi varr të Skënderbeut’, pastaj Fan Nolin me poemin simfonik ‘Skënderbeu’, pastaj Fahri Beqirin, kompozitorin tonë të shquar te Kosovës me një poem simfonik për Skënderbeun dhe Prenk Jakovën me një Operë për Skënderbeun. Krahas figurës së Skënderbeut në muzikën botërore dhe duke e ditur gjithë eksperiencën, Çesk Zadeja sigurisht që i ka dhënë vulën me muzikën e filmit”.

Veprën “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kryezot i Arbërit”, dirigjenti nga Italia, Sieva Borzak, e ka vlerësuar të mrekullueshme e punën me Tolen nder.

“Vepra është mbresëlënëse. Pata mundësinë që të punoj me kompozitorin në këtë kompozim, të marr komentet e tij, ta lejoj të më shpjegojë se çfarë është ajo që ai dëshiron të flasë me anë të kësaj vepre, dhe cilat janë emocionet që ai dëshiron t’i përçojë. Është vepër e mrekullueshme e cila gërsheton muzikën klasike moderne me shumë motive të folklorit shqiptar si nga Shqipëria edhe Kosova, nga ky regjioni verior i Shqipërisë. Kjo mund të dëgjohet saktë dhe është magjepsëse se sa bukur funksionin kjo përzierje”.

Në rolin e Skënderbeut e të solistit erdhi edhe Artur Vera. Ai ka uruar që duke e dhënë shpirtin në funksion të zërit të kenë arritur ta përçojnë te publiku atë çfarë kanë ndier gjatë performancës.

“Vepra e profesor Vasos është një vepër e re, e konceptuar ndryshe që e lidh Skënderbeun me përjetësinë dhe me realitetin e historiken. Skënderbeu paraqitet një Skënderbe i menduar më shpirtëror që tregon për jetën e tij, për frymëzimin e tij, për burimin e atij frymëzimi për të luftuar dhe e lidh këtë figurë me figurën e Shën Gjergjit dhe Skënderbeu tjetër që paraqitet më i ri ai Skënderbeu luftëtar, historik, heroik që ne jemi mësuar të shohim , duke i lidhur të gjitha këto me pjesët nga mesha hyjnore. Është shumë interesante konceptimi, kompozimi i profesor Vasos dhe njëkohësisht mua më është dashur një punë e jashtëzakonshme e përditshme në Teatrin e Operës dhe Baletit, me pianistët me të gjithë bashkëpunëtorët tanë”.

Nën përcjellje të Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe atij të Teatrit të Operës dhe Baletit performuan edhe solistët Klodian Kaçani, Kaltrian Miftari, Dea Xhemajli dhe Rizah Jaha.