Shtatë vjet e gjysmë pas zbulimit të gjetjes arkeologjike në “Sheshin e Lidhjes” në Prizren, periudhë gjatë së cilës edhe ka pësuar dëmtime, institucionet përgjegjëse janë zotuar për gjetjen e zgjidhjeve më të mira për mbrojtjen, si dhe promovimin e këtij lokaliteti. Me pjesëmarrje të ulët të banorëve e të komunitetit të biznesit që graviton në afërsi të “Sheshit të Lidhjes” është shpalosur plani prezantues e interpretues për këtë aset të trashëgimisë kulturore
Plani prezantues dhe interpretues për lokalitetin arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes” në Prizren është diskutuar në takimin dedikuar banorëve të lagjes dhe komunitetit të biznesit që operon në afërsi. Pjesëmarrja e këtyre të fundit ka qenë e ulët në sallën e kinemasë “Lumbardhi”. Megjithëkëtë, shtatë vjet e gjysmë pas zbulimit të këtij aseti – periudhë gjatë së cilës edhe ka pësuar dëmtime – institucionet janë zotuar për gjetjen e zgjidhjeve më të mira për mbrojtjen, si dhe promovimin e këtij lokaliteti.
Nora Arapi-Krasniqi nga Ministria e Kulturës ka theksuar se gjetja arkeologjike në “Sheshin e Lidhjes” është njëra prej dëshmive të shumta që tregojnë lashtësinë e Prizrenit, dhe se ruajtja e prezantimi i denjë i këtij lokaliteti janë obligim institucional dhe ligjor, duke përqafuar në këtë rast qasjen gjithëpërfshirëse.
“Krahas obligimeve dhe përgjegjësive institucionale që na takojnë me ligj për të siguruar një mbrojtje të mirëfilltë të trashëgimisë kulturore janë me rëndësi të veçantë edhe gjithëpërfshirja, qasja gjithëpërfshirëse, komunikimi i drejtpërdrejtë, koordinimi i ngushtë ndërinstitucional, qoftë institucione qendrore e lokale, shoqëria civile, banorët, komunitetet e ndryshme, në mënyrë që bashkërisht t’i identifikojmë sfidat dhe t’i identifikojmë problemet, por gjithashtu bashkërisht t’i gjejmë edhe zgjidhjet më të mira”, ka thënë Arapi-Krasniqi.
Edhe zyrtarët e Komunës së Prizrenit janë pajtuar që të ofrojnë kontributin e tyre, në mënyrë që procesi të përmbyllet me sukses dhe gjetja arkeologjike të vihet në shërbim të turizmit kulturor, pasi, sipas tyre, në të shkuarën ka munguar një gatishmëri e tillë nga autoritetet lokale.
“Më vjen mirë që në këtë kohë këto ekipe janë më azhure dhe kanë filluar të merren më seriozisht, sidomos Komuna e Prizrenit, e cila, sipas informacioneve, ka qenë jobashkëpunuese me Ministrinë e cila ka pasur vullnetin e mirë që këtë projekt ta çojë deri në fund”, ka deklaruar drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj.
Vërejtje për stërzgjatjen e këtij procesi ka dhënë edhe Shafi Gashi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, i cili para të pranishmëve ka prezantuar historikun dhe rëndësinë e këtij lokaliteti arkeologjik, me ç’rast ka përkujtuar se bëhet fjalë për një gjurmë arkeologjike të periudhës klasike romake, respektivisht për Therandën antike.
“Dua të theksoj që te monumenti shumë pak material të luajtshëm kemi gjetur aty, por gjithsesi ato pak tjegulla çatie, ato pak elemente arkitekturore na lënë të kuptojmë që kemi të bëjmë me një fazë fillestare, gjegjësisht me periudhën klasike romake të shekullit III-IV”, është shprehur arkeologu Gashi.
Menaxherja e projektit nga UN-Habitat Kosova, Zana Sokoli, ka prezantuar konceptin e planit prezantues dhe interpretues për këtë lokalitet, duke theksuar se janë tri objektiva të trashëgimisë kulturore që ndërlidhen me projektin e propozuar.
“Tri janë objektivat e trashëgimisë kulturore të cilat vlejnë ose gjejnë bazë tek projekti ynë për lokalitetin arkeologjik, domethënë ne kemi përdorur qasje të integruar për mbrojtje të trashëgimisë, duke i zhvilluar këto platforma tona të bashkëpunimit ndërinstitucional, gjë të cilën po e bëjmë së bashku, promovim të trashëgimisë kulturore, përmirësim i turizmit kulturor dhe infrastrukturës përcjellëse për interpretim dhe prezantim të trashëgimisë kulturore të Kosovës, si dhe edukim, aftësim dhe pjesëmarrje aktive në trashëgimi”, ka thënë Sokoli.
Sipas saj, propozimi parasheh prezantimin e gjetjeve me qasje të kombinuar, ku do të ketë struktura të mbyllura dhe hapësira të hapura.
“Ideja jonë është që këtë lokalitet ta bëjmë pjesë integrale të këtij sheshi në mënyrë që ta promovojmë dhe ta bëjmë pjesë të jetës sonë të përditshme”, ka theksuar Sokoli.
Diskutimi i dytë publik për këtë çështje është caktuar për datën 2 qershor 2022, ku janë ftuar komuniteti i profesionistëve të Prizrenit dhe më gjerë.
Lokaliteti arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes” në Prizren është zbuluar në dhjetor të vitit 2014, dhe gjatë viteve 2015-2017 janë zhvilluar gërmimet arkeologjike dhe ndërhyrjet me karakter pastrimi.
Javë më parë Shafi Gashi nga IAK-u pati theksuar se ka pasur katër vjet stagnim sa i përket lokalitetit arkeologjik.
“Nga viti 2017 kur janë shtjerrë procedurat e debateve e konsultave dhe projekti ka ardhur në Komunën e Prizrenit, ka qenë një neglizhencë e organeve komunale. Pastaj ndodhi edhe periudha e pandemisë, dhe rrjedhimisht 4 vjet nuk ka pasur asnjë lëvizje nga pika zero, nga momenti që është mbyllur si gërmim arkeologjik dhe që është hedhur ideja që lokaliteti të konservohet dhe prezantohet”, kishte thënë ai.
Ndërkaq në fillim të vitit 2020, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit pati kërkuar nga organet qendrore dhe ato komunale mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik në “Sheshin e Lidhjes”, me ndërmarrjen e masave adekuate drejt konservimit dhe prezantimit të tij. Sipas këtij këshilli, mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate.