Një logo që gërsheton ngjyrën portokall, rozë, atë të gjelbër dhe të kaltrën me fjalën “Tirana”, do të përdoret për shënimin e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet i Shqipërisë.
Në garën ku fjalën e fundit e kanë pasur votat e publikut, propozimi i kompanisë prishtinase “Karrota” është shpallur si logoja fituese e përvjetorit jubilar të Tiranës.
Lajmin e ka bërë të ditur të enjten pasdite Edona Bajçinca, menaxhere e marrëdhënieve me publikun në “Karrota”. “’Karrota’ fituese e logos së 100-vjetorit, Bashkia Tiranë. Gëzuar gjithë stafit”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Facebook”.
Edhe në faqen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në “Facebook” thuhet se logoja e “Karrotës” është fituese në garën ku kanë marrë pjesë 35 mijë votues online.
“Mbi 35 mijë votues morën pjesë në votimin online për logon e 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet! Fitues me pak diferencë është ‘Karrota’ nga Kosova! Urime! Ndërkohë, 3 finalistët e tjerë do të jenë pjesë e aktiviteteve të këtij viti”, ka shkruar ai.
Sipas rezultateve të votimit që janë afishuar në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, versioni fitues i “Karrotës” ka marrë 16007 vota. I dyti propozim, me 15623 vota, ka qenë ai i artistit Florian Sallo, i pasuar nga ai i Blerim Tuzit, që është votuar nga 5609 njerëz, si dhe i katërti nga “Kuadr.” me 1196 vota.
Gjatë prezantimit të versionit të kompanisë “Karrota”, Jonada Jashari ka thënë se logoja është mbështetur në teknikën “semi-transparent overlapping”. Sipas saj, në qendër të vëmendjes kanë qenë fjala “Tiranë” dhe numri “100”.
“Pasi po kalojmë në një 100-vjeçar të ri, ne mendojmë se Tirana e meriton të përfaqësohet me ngjyra, gjallëri e modernizëm”, ka shpjeguar Jashari.
Sipas përfaqësueses së “Karrotës”, ngjyrat e logos janë përzgjedhur për t’i vënë në spikamë veçantitë e kryeqytetit shqiptar.
“Në një diversitet ngjyrash, shkronja ‘T’ shpaloset me ngjyrat e diellit duke përfaqësuar Tiranën me shumë energji e gjallëri. ‘R’ me ngjyrën rozë është për jetën e natës dhe aktivitetet kulturore e artistike, kurse ‘N’ për natyrën dhe gjelbërimin e shtuar në kryeqytet”, ka përfunduar Jashari.
Pas shpalljes së logos fituese, Bashkia do të nisë morinë e aktiviteteve festive me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet.
E themeluar më 2005, “Karrota” është një nga kompanitë kryesore në fushat e reklamimit dhe të marketingut në Kosovë. Më 2008, ajo është shpërblyer me çmimin “Gold Lion” në edicionin e 55-të të Festivalit në Cannes për krijimin e monumentit “NEWBORN”..... (Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)