Kulturë

Linguistika tok me letërsinë në dritën e studimeve të reja dhe postmodernizmit

seminar

Paraditen e së mërkurës në seminar, studiuesja Dalina Kallulli, e cila është profesoreshë e gjuhësisë në Universitetin e Vjenës, ka mbajtur ligjëratën me titull “Aspekte të kallëzuesisë në shqipen: nga kallëzuesia ndjesore tek ajo habitore”, teksa ka shpalosur për dashamirët e shqipes motivet dhe përbërjen linguistike të këtyre fenomeneve.

E mërkura, dita e tetë aktive e edicionit të 43-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka shënuar kulmin me ligjëratat e fundit për këtë edicion, para se të fillojnë sesionet shkencore në dy ditët në vijim. Dita ka nisur me ligjëratën e Dalina Kallullit në gjuhësi dhe është bitisur me Ag Apollonin për letërsi. Në mëngjes, studiuesja Kallulli, e cila është profesoreshë e gjuhësisë në Universitetin e Vjenës, ka mbajtur ligjëratën me titull “Aspekte të kallëzuesisë në shqipen: nga kallëzuesia ndjesore tek ajo habitore”, teksa ka shpalosur për dashamirët e shqipes motivet dhe përbërjen linguistike të këtyre fenomeneve.

Dalina Kallulli ka kryer studimet për gjuhë angleze në Universitetin e Tiranës, por rrugëtimi i saj akademik ka vazhduar ndërkombëtarisht, duke studiuar në Universitetin e Trondheimit dhe në atë të Durhamit ku edhe ka doktoruar. Aktualisht është profesoreshë e asocuar në Universitetin e Vjenës, në Institutin për Gjuhësi të Përgjithshme. Njihet për hulumtimet e saj në universitete të ndryshme në Evropë dhe më tej, duke u orientuar nga teoria e gramatikës, morfosintaksa komparative dhe njihet si gjenerativiste e sintaksologe.

Ligjërata është drejtuar nga Blertë Ismajli, e cila ka treguar se veprimtaria kërkimore e Kallullit është e përqendruar në strukturën e argumenteve, duke përfshirë diminutivët foljorë, në ndërtimet me klitikë dhe ka thënë se emri i saj lidhet ngushtë me fenomenin e ‘clitic doubling’ në gjuhën shqipe.

Habitorja si veti e ngushtë e shqipes

Kallulli ka nisur të tregojë për gramatikalizimin e habitores, rastet e veçanta të saj dhe pozicionet në strukturën e fjalisë bashkë me plotësit foljorë, duke i krahasuar me vetitë foljore të gjuhës angleze dhe gjuhëve romane.

“Hapi vendimtar në zhvillimin e habitores është shfaqja e plotësit të detyrueshëm (experiencer/përjetues), që kontraston me humbjen e tij në zhvillimin e formave të së ardhmes e kushtores së gjuhëve romane. Kjo ndodh sepse shqipja ka ruajtur një sistem të plotë morfologjik të rasave, i cili lejon eksponimin e plotë të dhanores etike, ndërsa gjuhët romane e kanë humbur sistemin e tyre rasor”, ka shpjeguar ajo.

Ka përfshirë analizën e mjeteve sintaksore për përcaktimin e diatezës, ku përveç prapashtesave trajtëformuese, ka përmendur edhe pjesëzën ‘u’ përpara trajtave foljore, të cilën e ka mohuar të quhet pjesëz, ngase historikisht është një trajtë e shkurtër e përemrave vetorë, që korrespondon pak a shumë me trajtat e gjuhëve romane.

“Aspektet formale të gramatikalizimit janë, në parim, të pavarura nga efektet e tij në strukturën predikative dhe kur karakteristika të reja vetore shfaqen pa reduktime përemrash, ato vijnë nga pjesëmarrës të vetëdijshëm në aktin e të folurit. Shfaqja e plotësve të rinj në këtë mënyrë drejtohet nga ndërfaqja konceptuale qëllimore dhe jo nga ajo ndjesore-motorike, siç ndodh në rastet më të njohura të ndryshimit morfo-fonologjik”, ka thënë me zell sintaksologia Kalluli më tej gjatë zhvillimit interaktiv të ligjëratës, duke lëvizur nga foltorja drejt tabelës me projektimin e punimit të saj.

Krahasimi me anglishten për ndërtimet predikative shqisore i ka rezultuar në përfundime të njëjta, se strukturalisht janë të njëjta, me dallimin e vetëm vendosjen për ta shprehur apo jo kryefjalën brenda fjalisë.

“Ndërtimet predikative shqisore në shqip dhe anglisht janë strukturalisht të njëjta. Dallimet lindin nga vendosja e ndryshme e parametrit ‘subjekt i pashprehur’, qartësisht një fakt i pavarur nga ndërtimet predikative shqisore dhe disponueshmëria e një C-je të pashprehur fonologjikisht në anglisht, gjithashtu një fakt i pavarur”, ka thënë ajo.

Mes tjerash ka folur për kategorinë e aspektit të mënyrës foljore, e cila zë të njëjtin pozicion në fjali, kështu që strukturalisht kanë marrëdhënie minimaliste. Sipas saj, habitorja është ndryshe nga dëshirorja dhe urdhërorja, për shkak të gramatikalitetit të saj dhe mënyrës se si formohet.

“Habitorja lind përmes një ripozicionimi të foljes ‘kam’, proces ky që nga këndvështrimi morfo-sintaksor është i ngjashëm me atë që ndodh me format e së ardhmes e të kushtores në gjuhët romane, por është në thelb ndryshe për sa i përket zhvillimit të plotësit opsional përjetues të foljeve të tipit ‘kam’, i zhdukur në gjuhët romane, por i detyrueshëm në shqip”, ka përfunduar Kallulli, duke nxitur pastaj diskutime të gjata dhe plot gjallëri për këto fenomene të shpjeguara.

Disa studiues dhe artistë kanë sugjeruar edhe emërtime të epokës së re, epokës që vjen pas postmodernizmit, ku numërohen: post-postmodernizmi, trans-postmodernizmi, postmilenializmi, performantizmi, rimodernizmi, hipermoderna, e të tjera, por edhe emërtime e manifeste të tjera që mbyllen në një fushë të caktuar që kontribuojnë ose konkurrojnë koncepte të reja”, ka thënë profesori universitar, shkrimtari e studiuesi Ag Apolloni

Postmodernizmi si paradigmë letrare

Në mbrëmjen e së mërkurës është zhvilluar ligjërata e fundit, me Ag Apollonin, i cili ka folur për paradigmën postmoderne si alternativë estetike, duke analizuar poetikën, autorët dhe veprat postmoderne. Drejtuar nga Agron Gashi, kjo ligjëratë ka mbledhur në sallën e kuqe njohës të letërsisë, për të dëgjuar me vëmendje dhe për të diskutuar në fund të saj.

Ag Apolloni është studiues dhe profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, me fokus të veçantë në letërsinë postmoderne. Gjatë ligjëratës, ai ka prekur shumë pika: prej fillimit të postmodernizmit e deri te “vdekja” e tij dhe zëvendësimi potencial me AI.

“Ka pasur dhe vazhdon të ketë zëra që insistojnë se letërsia e Kosovës është e pavarur nga letërsia e Shqipërisë dhe anasjelltas, pra që shqiptarët në dy shtete, sipas tyre, kanë dy letërsi, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 50 shtete kanë një letërsi, qesharake”, ka nisur të thotë ai kur ka folur për zhvillimin e letërsisë në vendet ku flitet shqip.

Ka spikatur kohën kur në revistën “Jeta e Re”, nga viti 1972 deri më 1974 shfaqeshin tregime që kanë pasur për autor një emër të panjohur në Kosovë, Luan Dukagjini. Askush nuk e paska njohur këtë emër, përveç themeluesit të kësaj reviste, Esat Mekuli, i cili e mbante në diskrecion të plotë. Vetëm pasi qenë botuar tregimet dhe qe shfaqur interes, ishte botua një libër me emrin e vërtetë të autorit: “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, Rexhep Qosja.

Apolloni është studiues i veprës së Qosjes dhe gjithashtu edhe i veprës së Kadaresë, veprën “Hija” të të cilit e ka quajtur si më postmodernia e tij, ndonëse jo e atillë prej fillimit, por vetëm pas ribotimeve pas viteve ’90.

“Mendoj se vepra më postmoderne e Kadaresë është romani ‘Hija’, për shumë arsye, në vitet ’90 kur botohet është një vepër tipike postmoderne, që nuk mendoj se ka qenë kështu në origjinë, por kështu ishte pas ribotimit”, ka thënë ai.

Mes tjerash, ka treguar se në Maqedoni qenë shfaqur dy vepra që tashmë mund të konsiderohen vepra klasike të postmodernizmit: “Koha e dhive” e Luan Starovës dhe “Vitet e urithit” e Kim Mehmetit. Sipas tij, kjo do të thotë që një model letrar që u mirëprit nga lexuesit dhe u injorua nga studiuesit, u bë dominues në letërsinë shqipe në fund të shekullit XX dhe vazhdon deri në ditët e sotme, madje shton se romanet më të bukura postmoderne u shkruan në këtë shekull nga autorë si Ridvan Dibra, Agron Tufa, Besnik Mustafai, Stefan Çapaliku e të tjerë. Ka përmendur edhe emra të autorëve nga Kosova që kanë shkruar me këtë frymë të letërsisë: sipas tij, dy autorët më modernistë të Kosovës, Anton Pashku dhe Azem Shkreli, njëri në prozë e tjetri në poezi.

Lamtumira me postmodernen

Apolloni ka thënë se shqiptarët kanë nisur të lamtumiren e të hallashtisen me postmodernizmin dhe “siç thuhet sot, jemi koordinuar me të huajt, para se të shkojmë në ceremoninë mortore të informacionit, i cili mbetet i fundit i pranuar nga studiuesit e huaj”. Ka folur edhe për atë që sugjerohet se çka vjen pas postmodernizmit.

“Disa studiues dhe artistë kanë sugjeruar edhe emërtime të epokës së re, epokës që vjen pas postmodernizmit, ku numërohen: post-postmodernizmi, trans-postmodernizmi, postmilenializmi, performantizmi, rimodernizmi, hipermoderna, e të tjera, por edhe emërtime e manifeste të tjera që mbyllen në një fushë të caktuar që kontribuojnë ose konkurrojnë koncepte të reja”, ka thënë ai.

Ka argumentuar se edhe veprat më postmoderne të autorëve, s’do të thotë se janë më të mirat e tij. Mes autorësh dhe veprave të tyre ka përmendur ato më postmodernet, por që nuk janë më të mirat. Sipas tij, vepra më postmoderne e Qosjes është “Bijtë e askujt”, por nuk është më e mira.

Ka depërtuar edhe në kohët më të fundit, ku ka treguar se në certifikatën e vdekjes së postmodernizmit duhet të vendoset data e vdekjes së Umberto Ecos. Sipas tij, ai ishte një makinë informacioni para shpikjes së platformave artificiale.

“Një autor që shkruan vepra postmoderne pas vitit 2022 nuk mund të merret seriozisht, madje meriton të shahet si realist histerik. ChatGPT-ja tashmë i ka zëvendësuar shkresaxhinjtë si dhe shkrimtarët dhe përkthyesit mesatarë. Dikur gara në letërsi bëhej vetëm mes njerëzve, tashmë e kemi një garë të re me inteligjencën artificiale”, ka thënë Apolloni.