Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ligji për sponsorizime − i pazbatueshëm për kulturën

Prishtinë, 22 nëntor – Janë bërë gati dy vjet prejse shteti ka edhe Ligjin për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe të sportit. Por produksionet më të mëdha teatrore joinstitucionale nuk ia kanë parë hairin. Madje as producentët e filmave. Ajo që ishte quajtur diskriminim për kulturën, sa i përket përqindjes së sponsorizimit në raport me sportin, del të jetë problem më i vogël sesa moszbatimi i Ligjit. Është një tjetër ligj që e pamundëson sponsorizimin. Kësisoj i bie që Ligji – për të cilin kur u miratua u vlerësua se u hap rrugë investimeve edhe në kulturë – mbetet vetëm në letër.

Ligji ka hyrë në fuqi nga shkurti i vitit 2017. Kabineti i Qeverisë e kishte votuar këtë Ligj në dhjetor të vitit 2016, nja dhjetë vjet pasi janë hartuar disa drafte e janë zotuar disa ministra të Kulturës se këtë ligj e kanë prioritet. Asokohe një pjesë e komunitetit artistik nuk ishte pajtuar me Projektligjin. Ishte konsideruar se i është bërë me “hile” fushës së kulturës. Lehtësitë e njëjta fiskale për bizneset pavarësisht se a do të sponsorizojnë fushën e kulturës apo atë të sportit ishin konsideruar diskriminuese për kulturën.

Ligji përcakton se sponsorizuesve për sponsorizimet në aktivitetet e kulturës u njihet zbritja nga tatimi në fitim vetëm 20 për qind. Për aktivitete sportive është 30 për qind. I bie që nëse një biznes ka fitim vjetor prej 100 mijë eurosh, të ketë të drejtë të sponsorizojë ngjarje kulturore deri në 20 mijë euro dhe për ato mjete të lirohet nga tatimi në fitim. Por sipas atyre që organizojnë ngjarje a janë producentë në fushën e kulturës, një biznes shumë më shumë ka leverdi që të sponsorizojë një ngjarje sportive sesa kulturore, pasi sporti gëzon më shumë popullaritet dhe reklama eventuale e biznesit do të shihet më shumë.

Por pavarësisht këtij diskriminimi, Ligji del të jetë i pazbatueshëm/Shaban Maxharraj

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)