Kulturë

“Lidhja” zbërthen artefaktet për peshën e së kaluarës

Vetëm 6 minuta u duhen artdashësve për të soditur ekspozitën online “Lidhja”, të cilën artisti Berat Bajrami e ka lansuar të mërkurën.

Është menduar si tendencë për të risjellë në mendje rëndësinë që ka historia tek secili popull. Por rituali i hapjes e ekspozimi ishin ndryshe nga herët e tjera. Për artistin e publikun po ashtu. Gjithçka ishte në mënyrë virtuale dhe e përthekuar në një video. Një ekspozim i tillë është parë nga artisti si dëshmi se arti në secilën formë të tij është për të gjallëruar jetën. Kështu ka thënë ai në mesazhin e shkurtër që shfaqet në fillim të videos. Aty Bajrami shpalos në pika të shkurtra edhe konceptin e ekspozitës së tij, që mbetet e qasshme në profilin e artistit. Hapja e saj është bërë në kohën kur galeritë dhe çdo institucion tjetër kulturor në vend ka mbyllur dyert si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Në ekspozitë shpalosën dhjetë grafika në të cilat mbizotërojnë artefaktet që, sipas Bajramit, nuk janë thjesht disa gjetje të së kaluarës së një shoqërie, por edhe elemente të së tashmes si determinuese të së ardhmes kolektive. “Laramanja”, “Gjama”, “Lotoret”, “Hyjnesha”, “Toka”, “Bjeshka”, “Llamba” e “Lidhja I, II, II” janë emërtimet për grafikat e realizuara nga Bajrami. Ekspozita ndërthur në vete lidhjen “vertikale” dhe atë “horizontale” që artisti u ka thënë konotacion të veçantë përmes artit të tij.

Për artistin 29-vjeçar, i lindur në Drenoc të Rahovecit, pikë lidhëse mes këtyre grafikave është ruajtja konceptuale e tyre, gjersa ndarëse është mënyra e paraqitjes së tyre, të cilat vijnë në teknika të ndryshme të grafikës, duke filluar nga ato klasike, siç janë: akuatinta, mezotinta, gjilpërë e thatë, linogravura, e deri tek ajo më bashkëkohore – digjitale.

Bajrami, i cili këtë ekspozitë e ka të parën, ka thënë për KOHËN se arti asnjëherë nuk mund të krijohet në vetvete e për vetveten. Është një sintezë mes shoqërisë dhe natyrës në njërën anë, e njeriut në anën tjetër. E sipas tij, mungesa apo mosqasja fizike në galeritë e arteve në këtë kohë hap horizonte të reja.

“Nëse rëndom publiku shkon tek arti, këto kohë arti shkon te publiku. Izolimi si një formë e re e jetës vë në pah nevojën që ka njeriu për t’u gjendur në një kondicion të ri shoqëror. Kjo na shtyn drejt një rivendosjeje të theksit tek lidhja horizontale (teknologjia), si një pikë përbashkuese e që është e vlefshme, mbi të gjitha edhe si shkak për të jetuar”, ka thënë artisti, i cili ka përfunduar masterin në Degën e Grafikës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.