Teksa është vënë në pah pesha e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, të enjten, në shënimin e 143-vjetorit, është thënë se kjo trashëgimi duhet të bartet edhe tek gjeneratat e ardhshme. Madje janë dhënë edhe zotime se do të ketë përkujdesje shtesë për Kompleksin Memorial të Lidhjes në Prizren, në mënyrë që të kujtohet dhe të prezantohet e kaluara përplot me sfida
Përfaqësuesit e lartë shtetërorë në 143-vjetorin e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit kanë vënë në pah rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike për kombin shqiptar, duke shprehur përkushtimin që kjo trashëgimi të bartet edhe tek gjeneratat e ardhshme. Madje janë dhënë edhe zotime se do të ketë përkujdesje shtesë për Kompleksin Memorial të Lidhjes në Prizren, në mënyrë që të kujtohet dhe prezantohet e kaluara përplot me sfida, që ka kulmuar me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në shekullin XX dhe të Pavarësisë së Kosovës në shekullin XXI.
Në shënimin e këtij përvjetori Prizreni të enjten ka qenë nikoqir i aktiviteteve të ndryshme kulturore, të realizuara nën patronazhin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Prizrenit.
Në manifestimin qendror të mbajtur në Kompleksin Memorial të Lidhjes së Prizrenit, zyrtarë të lartë shtetërorë e ata komunalë kanë thënë se Kuvendi i Lidhjes paraqet njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në të gjithë historinë e kombit shqiptar. Sipas tyre, në këtë organizim delegatët patën deklaruar qëndrimin për mbrojtjen e trojeve shqiptare, që asokohe rrezikoheshin prej copëtimit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se vendimi më i rëndësishëm që është shpallur në Kuvendin e Lidhjes ka qenë që kombi shqiptar të jetojë në një hapësirë të përbashkët politike, e pasuar nga vendimi për formimin e ushtrisë, departamentit të financave e tjera.
“Lidhja e Prizrenit faktikisht, unë mendoj që, e ka formuar kombin modern shqiptar. E para, sepse e paraqet kulmimin politik të rilindjes sonë kombëtare. Rilindja jonë kombëtare, siç dihet, e ka pasur dimensionin e vet kulturor, identitar, gjuhësor, edhe aspektin e vet politik”, ka thënë Konjufca. Sipas tij, duke mbrojtur vlerat e larta kombëtare dhe duke kujtuar këtë ngjarje, brezave të ardhshëm u garantohet bartja e kësaj trashëgimie.

Në prag të hapjes së Kongresit të Berlinit, më datën 10 qershor 1878, në Prizren, në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes kishin ardhur delegatët, përfaqësues fisesh, bajraktarë, bejlerë, klerikë, intelektualë e të tjerë, të cilët asokohe patën ngritur zërin kundër copëtimit të tokave shqiptare. Në mbledhjen e përgjithshme ishte marrë vendimi për krijimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, me qendër drejtuese në Prizren dhe me degët përkatëse në krahinat e ndryshme të viseve shqiptare.
Ndërkaq ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, ka thënë se nga viti 1878 Prizreni ka trashëguar këtë monument që kërkon përkujdesje të mëtutjeshme. “Kjo ishte hera e parë ku qytetarët e territoreve të banuara me shqiptarë u bashkuan për të shprehur kërkesën themelore dhe universale për vetëvendosje dhe për ruajtjen nga copëtimi i territoreve. Nga ajo kohë kemi kompleksin monumental të LSHP-së, i cili përmban vlera të rëndësishme historike, artistike dhe kulturore për qytetin, shtetin dhe gjithë gjeografinë shqiptare”, është shprehur Çeku.
Sipas tij, kompleksi i LSHP-së paraqet një perlë të trashëgimisë kulturore, që rrethohet nga monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore. Me këtë rast ai ka shprehur zotimin për përmirësimin e kushteve në këtë kompleks, me qëllim që vlerat që përfaqëson ajo të prezantohen dhe promovohen edhe jashtë kufijve të gjeografisë shqiptare.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se për nder të Ditës së Lidhjes dhe Ditës së Çlirimit të Prizrenit janë organizuar një varg aktivitetesh që synojnë përkujtimin e sakrificës së të gjitha gjeneratave të atdhetarëve që u angazhuan për lirinë e shqiptarëve.
“Festat në Prizren fillojnë më 10 qershor e mbarojnë më 12 qershor. Gjatë këtyre festave përkujtojmë jo vetëm sakrificën e atyre që u lidhën këtu në kuvendin e LSHP-së, por edhe të gjitha gjeneratave, të cilat vijnë pas tyre për të realizuar ëndrrën tonë”, ka deklaruar Haskuka.
Ky organizim ka vazhduar me recitalin e aktorit Armend Baloku, si dhe me prezantimin e veshjeve të Rugovës, Hasit, Lumës, Dibrës, Gurit të Bardhë, Matit, Hotit dhe Grudës.
Gjatë ditës përvjetori i 143-të i LSHP-së, në qytetin e vjetër, është shënuar edhe me disa aktivitete të tjera kulturore.