Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Libri që synon ta ndriçojë rolin e rumunëve në Holokaust

Maksim Goldenshteyn tregon një histori që gjyshja e tij, tashmë e ndjerë, ia kishte treguar. Ajo si një fëmijë 4-vjeçar, kishte dalë nga një geto çifutësh gjatë Luftës së Dytë Botërore për të marrë kukullat e saj të preferuara që i kishin mbetur prapa ditën kur familja e saj u dëbua me forcë nga shtëpia e tyre në Ukrainën e pushtuar nga sovjetikët.

“Ajo e dinte edhe në atë moshë se për shkak se kishte flokë më të çelur dhe sy blu, mund të kalonte si një vajzë vendase ukrainase”, ka thënë Goldenshteyn. “Ajo vendosi një shami dhe doli nga getoja”.

Është një nga historitë që Goldenshteyn, vendasi nga qyteti amerikan Seattle, e tregon në librin e tij, “So They Remember” (Kështu ata kujtojnë) i cili rrëfen - me një përzierje të kujtimeve familjare intime dhe kërkimeve të fuqishme historike - holokaustin në Transnistria, një territor në Ukrainën jugore të pushtuar që kontrollohej nga Rumania, një aleate e ngushtë e Gjermanisë naziste gjatë pjesës më të madhe të luftës. Në atë territor, ku vepronin kishte rreth 150 kampe dhe geto, dhe u zhvillua një kapitull më pak i njohur, por po aq i keq i Holokaustit, ku mijëra hebrenj u brutalizuan, u shfrytëzuan dhe u vranë. Shumë vdiqën nga uria; disa iu nënshtruan sëmundjes ose ekspozimit, disa u ekzekutuan.

Goldenshteyn, 33 vjeç, familja e të cilit u shpërngul në SHBA si refugjatë nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitin 1992, ka thënë se ai dëgjoi fragmente të së kaluarës së familjes së tij ndërsa rritej, por kurrë nuk e lidhi atë me një nga kapitujt më të errët të njerëzimit.

“Ata nuk përputheshin vërtet me imazhin e Holokaustit që unë mendoja se ishte një tregues i përgjithshëm”, ka thënë ai. Më pas, 10 vjet më parë, nëna e tij i tregoi historinë. “Në fillim isha i shokuar”, ka thënë ai. I prekur nga ajo që kishte mësuar, Goldenshteyn filloi një udhëtim dhjetëvjeçar duke hulumtuar një pjesë të historisë së Holokaustit që ai mendon se është anashkaluar kryesisht.

Pika e tij fillestare ishte të intervistonte gjyshin e tij, Motl Braverman, në shtëpinë e tij në Seattle gjatë fundjavave. Braverman, i cili vdiq në vitin 2015, u vendos si adoleshent bashkë me familjen e tij në kampin e largët të vdekjes të njohur si “Pechera”, i cili u bë i njohur për shumë të burgosur si “laku i vdekjes”. Ai zë vend kryesor në libër. “Gjyshi im tregonte me një shkëputje të caktuar, sikur të tregonte përvojat e dikujt tjetër”, ka shkruar Goldenshteyn. “Më vonë, ai më siguroi se kampi i vdekjes mbijetoi nuk ishte kurrë larg mendjes së tij”.

Njohuria mbi rolin e Rumanisë në Holokaust, brenda dhe jashtë vendit, është shumë më pak në krahasim me rolin e nazistëve. Por në territoret e kontrolluara nga Rumania nën diktaturën ushtarake të Ion Antoneskut, rreth 280 mijë deri në 380 mijë hebrenj, plus rreth 12 mijë romë, u vranë gjatë luftës. Dekadat e komunizmit që pasuan, ashtu si në Bashkimin Sovjetik, fshinë të gjitha kujtimet e Holokaustit.

“Unë mendoj se shumë pak njerëz e kuptojnë se Rumania ishte aleati kryesor i Gjermanisë në Lindje”, ka thënë Goldenshteyn. Një studim i vitit 2021 nga Instituti Kombëtar për Studimin e Holokaustit në Rumani “Elie Wiesel”, tregoi se 40 për qind e të anketuarve nuk ishin të interesuar për Holokaustin. Gati dy të tretat e 32 përqindëshit ranë dakord se Holokausti ndodhi në Rumani, dhe e identifikuan gabimisht deportimin e hebrenjve në “kampe të kontrolluara nga Gjermania naziste”.

Stefan Cristian Ionescu, një historian dhe ekspert i Holokaustit në Universitetin Northwestern, ka thënë se shumica e rumunëve “mendojnë se kjo është një përgjegjësi e Gjermanisë naziste”.

“Unë mendoj se shumë rumunë kanë ende një problem ta pranojnë se regjimi i Antoneskut dhe autoritetet rumune ... ishin të përfshirë në Holokaust”, ka thënë ai. “Në vrasjen masive, deportimin dhe shpronësimin e hebrenjve në Rumani dhe në territoret e pushtuara si Transnistria”.

Si një shtytje për ndërgjegjësimin më të gjerë të publikut, ligjvënësit rumunë miratuan një projektligj vjeshtën e kaluar për të shtuar edukimin e Holokaustit në kurrikulën kombëtare të shkollës, një veprim që u duartrokit nga shumë njerëz. Por ajo u prit me polemika në janar, kur Aleanca e ekstremit të djathtë për Unitetin Rumun, e cila është pjesë edhe e Parlamentit, e quajti atë një “temë të vogël” dhe një “eksperiment ideologjik”.

David Saranga, ambasador i Izraelit në Rumani, dënoi ashpër komentet e partisë dhe ka thënë se deklarata të tilla janë “dëshmi e mungesës së marrjes së përgjegjësisë ose e injorancës”.

Goldenshteyn beson se autoritetet rumune kanë përparuar në vitet e fundit sa i përket njohjes së rolit të vendit në Holokaust, dhe ka thënë se ishte i shqetësuar nga komentet e partisë, por gjithashtu i inkurajuar nga reagimi i komunitetit diplomatik.

“Është e rëndësishme për çdo vend me një të kaluar të errët të përballet me të”, ka thënë Goldenshteyn, babai i dy fëmijëve të vegjël. “Sepse është e pamundur të përcaktosh rrugën përpara pa e ditur se ku ke qenë. Dhe nuk ka njohuri të mjaftueshme për atë që ndodhi gjatë Holokaustit në Evropën Lindore”.

Në fund të janarit. në një ngjarje përkujtimore të Holokaustit në Sinagogën e Tempullit Koral në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, presidenti Klaus Iohannis ka thënë se pandemia ka “përforcuar virulencën e sulmeve antisemitike” dhe ka paralajmëruar kundër “teorive konspirative dhe dezinformatave”.

“Le të mos i mbyllim sytë ndaj këtyre rreziqeve reale, të cilat shpesh fshihen me zgjuarsi pas një lirie të pretenduar të shprehjes”, ka thënë Iohannis.

Në kampin “Pechera”, portat e të cilit kishin një tabelë druri ku shkruhej “Kampi i Vdekjes”, uria ishte e tillë sa u raportuan raste kanibalizmi. Si adoleshent, Motl Braverman u shmangej rojeve dhe merrte rrugë të gjata të rrezikshme në temperatura nën zero për t’u kthyer me sasi të vogla ushqimi për të mbajtur gjallë familjen e tij. Më vonë, ai do t’i ndihmonte të tjerët të iknin nga kampi për të shkuar në geto relativisht më të sigurta.

Artikuj të ngjashëm