Kulturë

“Liberte” në përplasje gjen hapin te vallëzimi

Në natën e katërt të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur – “Prizrenfest” është dhënë premiera e performancës “Liberte” (Liria) i koreografit, Robert Nuha. Përmes vallëzimit bashkëkohor, dy kërcimtaret Altina Binaku e Lavdije Idrizi, kanë shpalosur edhe idenë për gjetjen e lirisë, që shpeshherë është e kufizuar. Ndërsa në kopshtin e Lumbardhit është paraqitur edhe shfaqja “Zgjimi i Pranverës” i autorit Frank Wedekind, nën regji të Zana Hoxhës

Premiera e performancës “Liberte” (Liria) nga koreografi Robert Nuha, realizuar nga “Noa Dance Theatre Company”, është shfaqur në natën e katërt të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur – “Prizrenfest”. Në kejin përballë Xhamisë së Sinan Pashës, është shpalosur kërkimi i fundit koreografik bashkëkohor i Nuhës, nëpërmjet duetit, i cili në vete përmban përplasjet njerëzore me veten për ta gjetur qëllimin e jetës, për t’u përcaktuar, sikurse edhe luftën e vazhdueshme me mundësinë dhe pamundësinë e realizimit të qëllimeve.

Dy kërcimtaret, Altina Binaku dhe Lavdije Idrizi, në rolet e tyre herë e kanë gjetur lirinë për të vazhduar para, herë e kanë ndihmuar njëra-tjetrën e nganjëherë po ashtu janë bërë edhe pengesë për lirinë individuale.

Image
Dy kërcimtaret, Altina Binaku dhe Lavdije Idrizi, në rolet e tyre herë e kanë gjetur lirinë për të vazhduar para, herë e kanë ndihmuar njëra-tjetrën e jo rrallë janë bërë pengesë për lirinë individuale

Në përshkrimin e dhënë për këtë shfaqje në formë të vallëzimit bashkëkohor, thuhet se “liria e të shprehurit, liria e të jetuarit ashtu si duam, liria e zgjedhjes, liria si koncept shpeshherë vihet para të kundërtës së saj, për shkaqe të shumta, e që në të shumtën e rasteve përcaktohen nga vetë ne”, dhe se, “loja impenjative me teknikat e fundit të dansit, koncepti i shfaqjes, raporti me njëra-tjetrën në skenë përveç atraksionit, që sjellin kanë tendencë për të ngacmuar publikun mbi tema të ndryshme universale, që lidhen me lirinë në gjithçka dhe me të kundërtën e lirisë në çdo gjë”.

Image
“Liria” është kërkimi i fundit koreografik bashkëkohor i Robert Nuhës

Koreografi Robert Nuha nga “Noa Dance Theatre Company” ka theksuar se bëhet fjalë për një kërkim të ri koreografik, në pikëpamjen e thellimit dhe gjetjes së një gjuhe të veçantë fizike, por edhe konceptuale.

“Pra, mund ta quaj një dans konceptual kontemporan, i cili në vetvete përmban pikërisht tendencën individuale por jo vetëm, edhe kolektive për ta gjetur lirinë, që na nevojitet, por nganjëherë edhe shpeshherë në fakt, liria është gjithmonë e kufizuar, pra as vetë liria nëse mund ta them nuk e ka lirinë e vet totale. Pra, gjithmonë kemi ato pengesat, nganjëherë edhe ato barrierat, të cilat në vetvete ia vendosim para për shkaqe, arsye e rrethana të ndryshme, qoftë sociale, qoftë ekonomike, qoftë në pikëpamje të mentalitetit të shoqërisë ku jetojmë, e të tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij, përpjekjet e performancës shkojnë në drejtim të shtytjes së imagjinatës së audiencës.

“Ne jemi munduar me disa blloqe koreografike ta ngacmojmë imagjinatën e audiencës, duke i çuar në vendet ku ata duan të shkojnë... Ne s’kemi tentuar asnjëherë që të jemi konkretë në pikëpamjen e asaj se çka është sipas neve liria dhe mosliria. Por, ne thjeshtë kemi pas disa situata, disa insinuata për ta shkaktuar një lloj gjendjeje emocionale edhe një lloj ngarkese emocionale, po ashtu një lloj refleksioni te audienca në mënyrën se si ata e shohin dhe çfarë ata marrin nga performanca. Në fund pashë një ndikim pozitiv tek audienca dhe pashë se të gjithë e kanë përthekuar dhe përqafuar si bllok koreografik në tërësi”, ka deklaruar Nuha.

Duke shprehur mirënjohjen për organizatorët për mundësinë e realizimit të premierës në këtë festival, ai ka vlerësuar realizimin e tij në ambient të hapur.

“Mendoj se kjo është e bukura e festivalit, pikërisht kjo, që ambientet e tilla, të cilat zakonisht nuk shfrytëzohen për këso lloj gjërash t’u jepet jetë dhe në njëfarë forme të kthehen në një lloj ambienti të gjallë, ku luhet dhe interpretohen shfaqjet e ndryshme teatrale, dansit, e të tjera”, është shprehur Nuha.

Në natën e katërt të “Prizrenfestit”, në kopshtin e Lumbardhit është paraqitur edhe shfaqja “Zgjimi i Pranverës” e autorit Frank Wedekind, nën regji të Zana Hoxhës, që duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj, i dedikohet të gjithë adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999, në luftën e fundit në Kosovë.